Cili do ta rrëzojë ‘bustin’ e Boratit?

Cili do ta rrëzojë ‘bustin’ e Boratit?

Nga Erion Dasho - 09/10/2023

Rrëzimi i shtatores së diktatorit në Tiranë, u pasua nga rrëzime simbolike edhe në qytetet e tjera, sikundër pati edhe përpjekje për rivendosjen e busteve nga një grupim qesharak dhe arkaik i vetëquajtur "vullnetarët e Enverit".

Në një nga qytetet e mëdhenj, ndërsa vullnetarët e Enverit vinin përqark me një bust të madh allçie, demokratët e rinj nuk kishin se ç'të rrëzonin. Në këto kushte, një nga zyrtarët e lartë të Partisë së Punës (sot i krimbur në para e pushtet) nxori nga zyra një bust mikroskopik të diktatorit dhe e theu demonstrativisht në rrugë duke gëzuar turmën, por edhe duke marrë një certifikatë imuniteti që i shërbeu jo pak në fillimet e veta si biznesmen.

Veprimi ishte dhe vazhdon të jetë shumë domethënës. Historikisht, diktatorët janë goditur befasisht e rëndë nga oborrtarët, madje shpesh edhe shtytjen e fundit ua japin njerëzit e enturazhit, që sikundër minjtë ndjejnë mbytjen e afërt të anijes.

* * *

Anija e Boratit ka kohë që fut ujë. Në pamje të parë, e fortë dhe fituese në betejat elektorale, imazhi i rilindjes është bërë copë e thërrime nga skandalet e paprecedentë.

Vetëm një prej skandaleve të djegësve, koncesioneve, McGonigalit, manipulimeve masive me votën, faljes së portit të Durrësit, kullëzimit të Tiranës, shpalljes "investitor strategjik" të çdo klienti apo sahanlëpirësi, arratisjes së zëvendëskryeministrit, burgosjes së ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve të inkriminuar, etj., etj., do të mjaftonte për të rrënuar emrin e një administrate dhe rrëzuar atë në cilindo vend demokratik.

Për më tepër, rilindja vazhdon të udhëhiqet prej një kryeministri qesharak (që vishet si palaço në takime diplomatike), të papërgjegjshëm (që bën aleanca dhe deklarata skandaloze të cilat dëmtojnë jo vetëm interesat e momentit, por edhe çështjen kombëtare), megaloman, autoritar dhe deri të akuzuar si konsumues droge.

Ky përafrim nuk mund ta mbajë gjatë mbi ujë anijen rilindëse.

Enveri i ri (alias Skënderbeu Nr 2) e ka mbushur kupën dhe koha e përmbysjes së "bustit" ka ardhur.

E vetmja pyetje që shtrohet është:

Cili apo cila nga bashkëpunëtorët do ta hedhë hapin e parë?!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco