Lajmi i fundit

Nëna me 3 fëmijët të zhdukur prej tre ditësh/ Gjendet i pajetë në Drin një prej të miturve. Dyshohet se…

Sot pushtetari i pangopur në Shqipëri i ngjan një kafshe të zhveshur nga organi i dëgjimit

Sot pushtetari i pangopur në Shqipëri i ngjan një kafshe të zhveshur nga organi i dëgjimit

Nga Ndriçim Kulla - 08/10/2023

 

Na ish njëherë një vend që mbahej në këmbë nga e paligjshmja. Jo se mungonin ligjet, as edhe pse sistemi politik nuk qe i bazuar në parime që pak a shumë të gjithë i konsideronin si të bashkëpranuara.

Vetëm se ky sistem, i artikuluar në një numër të madh qendrash pushteti, kishte nevojë për mjete financiare të stërmëdha (kishte nevojë, sepse kur mësohesh të jetosh me shumë para nuk je më i aftë ta konceptosh jetën në një mënyrë tjetër), mjete këto që mund të siguroheshin veçse në mënyrë të paligjshme; d.m.th. duke ua kërkuar atyre që i dispononin, në këmbim të favoreve të paligjshme.

Pra, kush mund të jepte para në këmbim të favoreve, në përgjithësi i kish bërë këto para falë favoreve të përfituara më parë; ndaj bëhej fjalë për një sistem ekonomik në një lloj mënyre qerthullor e jo të papajisur me një harmoni krejt të tijin’. Fillon kështu, në mars të rreth 40 viteve më parë, një artikull ose më mirë një tregim i shkurtër i shkrimtarit të njohur italian Italo Calvino, në faqen e parë të ‘La Republika’, me titullin e kthyer më pas në një emblemë:

‘Apologji mbi ndershmërinë në vendin e të korruptuarve’. Ia vlen ta lexosh e ta rilexosh atë artikull, jo vetëm për të rrokur hidhnisht prej tij aspektet e veçanta që përkojnë aq fort me aktualitetin e sotëm shqiptar, por edhe për të shqyrtuar domethënien që mund t’u mvishet fjalëve të tilla si ‘ndershmëri’ dhe korrupsion’.

 Ajo që karakterizon sot me ngjyra aq të dukshme shfaqjet e shumta dhe komplekse të jetës sonë shoqërore është një andrallë e vërtetë morale që i ka rrënjët te varfëria dhe mungesa e ‘ndërgjegjes së mendimit’ (siç e pat etiketuar dikur Merxhani), një ndërgjegje kjo që as tranzicioni ynë i stërzgjatur nuk arriti dot ta kristalizojë në vetveten shqiptare.

Është e vërtetë që gjendja e vështirë ekonomike është një konstante e përhershme e brumit të apatisë, e përbri saj mund të vendoset edhe shprehja e urtë popullore se ‘njeriu i pangopur i ngjan një kafshe të zhveshur nga organi i dëgjimit’, por asgjë nuk mund ta mbrojë mbulimin e ‘kllapisë dhe mpirjes mendore’ që mbizotëron sot në çdo sektor të jetës sonë, sidomos në raport me korrupsionin, këtë plagë të mahisur të sistemit shoqëror shqiptar.

‘Fjala është e argjendtë ndërsa heshtja e artë’, kjo duket të jetë diçitura e qëndrimit popullor në një ambient që mundohet të na e paraqesë frikën si një pemë shterpë, që s’ka fuqi moralizimi dhe etike që mund ta shkulë.

Kështu, të gjitha format e paligjshme, nga ato më dinaket deri tek ato më të egrat, forcoheshin në një sistem që shquhej për një stabilitet, kompaktësi dhe koherencë të veçantë, brenda të cilit aq shumë njerëz mund ta fitonin avantazhin e tyre praktik pa humbur avantazhin moral të pasjes së një ndërgjegjeje të qetë. Ndaj, do të mund të quheshin unanimisht të lumtur banorët e këtij vendi… .

Si e përshkruan Calvino këtë ‘ngrirje të stuhishme morale dhe shoqërore që ‘pllakos’ si normalitet në vendin e të korruptuarve’, një situatë kjo që duket sikur përshkuan mrekullisht gjendjen e të sotmes shqiptare, ku korrupsioni nuk është frutë i një rasti të izoluar, një domosdoshmëri (ekonomike), një etje e pashfrenuar personale për para e pushtet, diçka kjo pa dyshim e dënueshme dhe e patolerueshme, por  një problem  dhe  kërcënim. Ky i fundit fillon të trupëzohet kur korrupsioni shndërrohet në një fenomen sistemik, njëlloj si ai për të cilin foli profetikisht, që më 1980, Calvino i madh.

Ngjarjet dhe skandalet që dërmuan sistemin politik italian në fillim të viteve ‘90, e vërtetuan këtë paralajmërim të hidhur. Ndaj, ngritja në këmbë e tërë njerëzve ose aktivizimi i të gjitha sistemeve imunitare të demokracisë duhet të kanalizohet drejt kundërpërgjigjes së këtij rreziku të madh sot në Shqipëri. E ajo nga e cila duhet të nisemi është fakti se ky është një detyrim kushtetues, i cili shprehet qartësisht kështu: ‘të gjithë qytetarët kanë për detyrë t’i qëndrojnë besnikë Republikës e të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet’.

Ky nen do të duhet të lexohet çdo ditë në zyrat e institucioneve tona publike e në fillim të leksioneve nëpër shkolla e universiteteve (e pse jo, edhe nëpër seancat parlamentare), për t’i dhënë kështu një diktim sistematik moralitetit civil, pa të cilën humbet peshën çdo demokraci e shoqëri. Vetëm se ky angazhim nuk duhet të ndërpritet këtu, por duhet të vazhdojë edhe me pohimin: çdo qytetar të cilit i besohen funksione publike, ka për detyrë t’i zbatojë ato me ‘nder’ dhe ‘disiplinë’. Kjo fjali p.sh. është pjesë e një neni të caktuar në kushtetutën italiane, ndaj, pse jo,  të mos qe ndërfutur edhe si pjesë e ndryshimeve që reforma sorosiane në drejtësi nuk e përfilli ?!.

Është një fjalë e vogël, por e magjishme fjala kushtetuese ‘me nder’, pasi është e vetmja që e bën të papranueshme linjën mbrojtëse të adaptuar tash prej vitesh nga segmente të caktuara apo individë të politikës ose administratës, të cilët, për t’iu shpëtuar përgjegjësive, strehohen në shprehjen-formulë ‘nuk ka asgjë penalisht të dënueshme’, ose ‘nuk është shkelur asnjë normë administrative’,’ose përgjegjësia është personale’.

Sa herë kemi dëgjuar në këto vitet e fundit denoncime që ‘mbulohen’ pikërisht sepse luajnë në zonat e ‘errëta’ e të ‘zbrazëta’ të ligjeve, por që moralisht janë një skandal i vërtetë. E kjo pasi nga mendja e të gjithëve fshihet ajo pjesë e domosdoshme e atij neni të kushtetutës, që i detyron ata që kryejnë funksionet publike jo vetëm me respektimin e legalitetit, por edhe me zbatimin e detyrave me disiplinë dhe me nder.

Për Lumo Skëndon, si dikur për Bejkonin, dija dhe morali janë fuqi vërtet dinamike, përndryshe karakteri njerëzor dobësohet, intelekti degjeneron dhe një popull i vogël me këto elemente të shprishura humbet shumëçka. Vetëm njerëzit e pastër mund të ngjiten në majën e jetës mendore dhe morale, aspak hajdutët e rëndomtë, aq më keq kur ata janë ‘pushtetarë’ si pushtetarër e sotëm. Ja cila duhet të jetë ajo kategori e caktuar punonjësish publikë që duhet t’i garantojnë shoqërisë atë ‘vlerë të shtuar’ për të cilën ka aq shumë nevojë edhe vetë demokracia jonë: atyre nuk u kërkohet aspak të jenë të virtytshëm.

Tokëvili e pat rrokur edhe këtë aspekt, duke dëshmuar se ‘nderi e zhvillon veten së jashtmi, kurse virtyti jeton për vetveten e kënaqet veç prej dëshmisë së vet’. Nuk duhet harruar kurrë ideja e fuqishme e Ciceronit: ‘Ç’mund të bëjnë ligjet pa traditat e doket e mira’. Në jetën shoqërore të një vendi ka epoka ose dekada kur ajo kthehet në një karrocë të prishur, që sado ta shtysh bie prapë në llucë së bashku me ata që e shtyjnë. Identike me jetën tone shoqërore nën sundimtarin që ka nën këmbët e tij çdo institucion shtetëror, të pavarur, por dhe demokratikë. Të ndershmit iu ngjajnë atyre drurëve frutorë që të goditur nga rrufeja, duket sikur nuk do të mbulohen dot kurrë më me lule e pemë; kurse veset e këqija një të vdekuri që e mbërthen fort të gjallin e nuk e lë të ngrihet’. Drejt një ‘peizazhi’ të tillë është prirur vit pas viti administrimi i ndershëm dhe moral i shtetit shqiptar për të mirën e përbashkët sidomos gjatë këtij 10 vjeçari qeverisjeje.

Kategoria e ‘garantëve  ‘ nisi të zvogëlohej gjithnjë e më shumë deri në hollësi, në favor të zgjerimit të zonës së ‘shërbëtorëve të shtetit’, që u transformuan në shërbëtorë të vetvetes, as të nderuar e as të virtytshëm. U mendua se kjo mënyrë administrimi e politikës dhe administratës publike ishte me kosto zero. Madje u shpotit kushdo që evokonte si zgjidhje zbatimin e frymës dhe nenit kushtetues që i mëshonte ‘nderit’, madje me një arrogancë sfiduese u nënvizua se ajo është thjesht një normë pa sanksione. Një logjikë kjo që arriti dalëngadalë të fshinte nga sytë e njerëzve përgjegjësinë politike dhe të reduktonte deri në zero përgjegjësinë administrative.

Në vend të ‘nderit’ dhe ‘disiplinës’ u instalua ‘pandëshkueshmëria’, tipari spikatës i një klase drejtuesish të lartë në nivelet më të rëndësishme të udhëheqjes, që filloi ta ndiejë kështu veten të paprekshme. Madje, dhe rastet e rralla të dorëheqjeve që kemi njohur deri tani, janë paraqitur përgjithësisht si akte heroike, në një kohë kur janë thjesht certifikimi i detyrueshëm i një sjelljeje legjitime. Më e keqja është se ky nocion nuk mbeti i përhapur vetëm në kategorinë e ‘shërbëtorëve publikë’, por arriti të infektojë pjesën më të madhe të shoqërisë, me virusin e aq lehtshëm për t’u përhapur me emrin ‘kështu bëjnë të gjithë’. Është ky nocion që i jep sot  korrupsionit shqiptar një aspekt karakteristik dhe dallues nga të gjithë të tjerët, pasi ka një shtrirje shumënivelëshe dhe kapilare, në një lidhje që shkon deri thellë në marrëdhënie shqetësuese me kriminalitetin.

Në fund të artikullit të vet, Calvino flet për një klasë të caktuar individësh që duhet të arrijë ta ‘pushtojë’ dalëngadalë hapësirën e saj brenda shoqërisë së vendit të të korruptuarve. Është klasa e atyre njerëzve që ishin të tillë ‘jo falë ndonjë arsyeje të veçantë’ (nuk iu drejtoheshin parimeve të mëdha, as patriotike, sociale apo shpirtërore), ishin të ndershëm falë zakonit të tyre mendor, kushtëzimit karakterial dhe tik-ut nervor.

Pra, nuk mund të bënin dot asgjë pse ishin të tillë, pse gjërat që u dëshironte zemra nuk ishin të vlerësueshme drejtpërdrejt në para, pse mendja e tyre funksiononte gjithmonë në bazë të atyre mekanizmave që lidhin gjithmonë punën me fitimin, meritën me respektin dhe kënaqësinë vetjake me kënaqësinë e të tjerëve. Shqipëria ka 33 vjet që po e pret këtë klasë, ajo mbetet gjithmonë në kërkim të ‘kultivimit’ të farës së një kundër-shoqërie të tillë. Në teorinë politike, demokracia është regjimi në të cilin ekzistojnë kushtet më të përshtatshme për kultivimin e drejtësisë.

Premtimet e pambajtura që mbolli tranzicioni shqiptar nuk do të na bëjnë të korrim ‘furtunën’ e krijimit të një ‘ kundërshoqërie’ të tillë, por lindja dhe zhvillimi i saj le të kthehen në yllin polar të gjithë qiellit të shoqërisë dhe mendimit shqiptar të së ardhmes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco