Kosovën më shumë e ka dëmtuar Rama se sa Vuçiçi

Kosovën më shumë e ka dëmtuar Rama se sa Vuçiçi

Nga Kim Mehmeti - 30/09/2023

Nuk është aspak e vështirë të dëshmosh se frika nga fryma anti-krim që solli me vete ‘albinizimi’, se zilia e urrejtja ndaj Kurtit, janë ato që aq e kanë verbëruar Kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, sa nga ajo verbëri ai nuk mund ta sheh që është bërë bashkëpunëtori dhe shërbëtori më i neveritshëm i Vuçiçit.

Për ta dëshmuar këtë, mjafton të shohësh se si edhe në ditën e aktit terrorist serb ndaj Kosovës, ai nuk u ngrit dot të bënte as atë që e bënë serbët e arsyeshëm: ta dënonte këtë akt të dirigjuar nga Beogradi.

Apo mjafton t’ia numërosh veprimet e deritanishme ‘strategjike’ për të mirën e shqiptarisë, si për shembull: përkrahjen e ‘Botës Serbe’ nëpërmjet projektit për ‘Ballkanin e Hapur’; zbatimin e ‘masave’ ndërkombëtare ndaj Kosovës me anulimin e mbledhjes së dy qeverive; ripërsëritjen e kërkesës së Vuçiçit që, jo policia e Kosovës, por KFOR-i ta kontrollojë Veriun e saj; kërkesën për një konferencë ndërkombëtare që do e rishqyrtonte pozitën e Kosovës..., pra mjafton ta rikujtosh rolin e tij si zëdhënës i Vuçiçit, që ta kuptosh se ç’është ajo që atë e bën të sillet si të ishte Dodiku i ‘Republika Serpskës’ e jo Kryeministri i Shqipërisë.

Nuk duhet të jesh ligjërues i ndonjë universiteti të njohur të botës që ta kuptosh se nëpërmjet Veriut të Kosovës, të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, të ‘Republika Srpska’ në Bosnje dhe të rrymave proserbe në Maqedoni, Serbia i kontrollon pesë shtete të Ballkanit dhe mbetet me shpresë se nuk do mund t’i iket një konference të re paqësore ku do definoheshin kufijtë e Serbisë së Madhe, e që përfundimisht do e ‘stabilizonin’ Ballkanin?

Dhe duhet të jesh mbi mesataren idiot që të mos e kesh kuptuar se Veriu i Kosovës është fitil që mund ta kall tërë Ballkanin, por se këtë zjarrvënie mund ta bëjë vetëm Kisha Ortodokse Serbe nëpërmjet mjeshtërve të saj të luftës në Beograd. 

Gjithashtu nuk është aspak e vështirë të shpjegosh pse Kryeministri i Shqipërisë bëri dhe pse është duke bërë çmos, që Kryeministrin e sotëm të Kosovës ta shpërfaqë para ndërkombëtarëve si burrështetasin më destruktiv të Ballkanit.

Pra, ai donë ta shpallë Kurtin destabilizues të Ballkanit sepse vetëm kështu mund ta mbrojë klasën e vet hajdutokrate politike, sepse e trishton e vërteta se të huajt gjithnjë e më shumë binden se shqiptarët kanë edhe burrështetas të cilët më shumë kujdesen për vendin dhe popullin që drejtojnë se sa për shtëpitë e tyre të ndërtuara nga hajnia dhe se, tërë bota është duke e kuptuar se ta krahasosh burrështetasin e mençur të quajtur Kurti, me ‘Piktorin’ batutaxhi që e drejton Shqipërinë, është njësoj si Çërçillin ta krahasosh me ndonjë drejtorë cirku.

Po pra, është lehtësisht e shpjegueshme ndjenja se Kosovën me shumë e ka dëmtuar Kryeministri i sotëm i Shqipërisë se sa Vuçiçi, por megjithatë, ka diçka të pakuptimtë e të pashpjegueshme për autorin e këtij teksti: si është e mundur që Shqipëria e kohës së internetit, që mëmëdheu ynë që ka me mija mendimtarë, profesorë, doktorë shkencash..., të ketë mbetur aty ku ishte në kohën e pas zhbërjes së Perandorisë Osmane –  të mos mund t’i dallojë ‘Esat Pashët’ e saj që do jenë heronj të Serbisë nga ‘Ismail Qemalët’ që dinë dhe duan të ndërtojnë shtet për shqiptarët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco