I humbur, por i vlerësuar nga vetvetja

I humbur, por i vlerësuar nga vetvetja

Nga Agim Nesho - 28/09/2023

Sot, konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama na krijoi një përshtypje midis dhimbjes së humbjes me politikat e tij të jashtme me mospranimin që Albin Kurti e mundi në arenën ndërkombëtare. I dëshpëruar por i vetë-lavdëruar për rolin e tij imagjinar, i ngjashëm me udhëheqësen historike të popullit izraelit.

Por çfarë pamë në këtë paraqitje? Me këtë komunikim publik kryeministri Rama:

1. Kërkon të mbetet faktor në politikën ballkanike, kur për shkak të vetë-kompromentimit me politikat e tij kundër interesave të Kosovës: si përkrahja e skenarëve sllavo-rus për ndryshimin e kufijve, Ballkani i Hapur apo duke mos ofruar një politikë bashkëpunuese me institucionet e Kosovës, ka shkaktuar një refuzim të politikave të tij nga opinioni publik në gjithë hapësirat Shqiptare.

2. Kërkon të justifikojë qëndrimin për rikthimin e situatës dekada më parë me kontrollin e plotë të KFOR në Veri të Kosovës, brenda sovranitetit të një shteti të lirë, demokratik e multietnik të njohur nga të gjitha fuqitë perëndimore. Në këtë drejtim Shqipëria nuk mund të jetë propozuese dhe mbështetëse e një propozimi të tillë, që në analizë të fundit ju shërbejnë interesave të nacionalistëve serbë. Pranimi i ‘Republikës së KFOR’, të cilën muaj më parë e paralajmëronte si një rrezik që vinte nga Kurti, do të thotë indirekt pranimi i konfliktit të ngrirë në veri të Kosovës dhe lënien hapur të mundësisë së diskutimit të kësaj çështje në të ardhmen nga fuqitë e mëdha. Atë që trumbeton Rama për KFOR e kërkoi Vuçiç pas sulmit terrorist.  

3. Kosova nuk ka më asnjë lidhje me kërkesat e atyre liderëve, si Rama, që kërkojnë Konferenca të reja paqeje për Kosovën. Përpara idesë së kontrollit të plotë nga forcat e KFOR, që mund të ketë lindur në disa vende perëndimore për ruajtjen e stabilitetit, Ramës i takon që të kërkojë urgjentisht anëtarësimin e Kosovës në NATO.

4. Kryeministri Rama është konfuz në trajtimin e Veriut të Kosovës duke hequr paralele me Donbas-in e Ukrainës. Kosova ushtron sovranitetin e saj në një territor të përcaktuar qartë dhe të njohur nga Perëndimi dhe shumica e shteteve të OKB-së. Donbas është një rajon i pushtuar nga Rusia duke ushtruar agresion ndaj një shteti sovran si Ukraina. Në qoftë se Serbia do të sulmojë Kosovën ashtu si Rusia Ukrainën do të marrë një përgjigje të merituar nga perëndimi. Zoti Rama nuk ka nevojë të projektojë skenarë të tillë të cilat vetëm në mendjet diabolike të nacionalistëve serbë dhe rusë ekzistojnë dhe duan ti bëjnë realitet. Serbët në Kosovë janë një komunitet aq i vogël nga 2-4 % sa nuk justifikojnë as teorinë famëkeqe të Vulin për hapësirat serbe në Ballkan.

Rama pranon potencialisht ‘Donbasin’ në Kosovë dhe tërheq vëmendjen që mund të vijmë në një situatë të tillë duke paramenduar që Serbia është një shtet agresor, por nga ana tjetër e ka të vështirë të pranojë që regjimi i Vuçiç po provokon hapur. Rama duhet të distancohet urgjentisht nga politikat e tij dhe marrëdhëniet e fshehta me nacionalistin Vucic.

Duke u hequr si ‘patriot’ distancohet nga BE që nuk po dënon zinë e shpallur nga qeveria serbe, dhe nga ana tjetër nuk po përkrah qëndrimin e unifikuar të Kosovës për të dënuar regjimin e Beogradit si organizator i akteve terroriste në Veri të Kosovës. Minimalisht mund të influencojë në unifikimin e zërit ndërkombëtar për ta vënë Serbinë para përgjegjësisë dhe të ndëshkohet për akte të tilla terroriste dhe agresioni të përsëritura.

Si rezultat, kjo konferencë për opinionin publik Shqiptar dështoi të pranojë:

1. Që Serbia është një shtet, i cili po realizon një politikë të rrezikshme destabilizimi për Ballkanin Perëndimor

2. Nuk arrin të distancohet hapur nga A. Vucic dhe vazhdon të përkrahë Ballkanin e Hapur si një strategji rezervë për shpëtimin e regjimit.

3. Ka frikë të njohë dhe të vlerësojë vizionin dhe qëndrimin e Kryeministrit Kurti, por gjithmonë do të krijojë idenë që ai është ‘lider i madh’, si Golda Mayer që shpëtoi kombin e Izraelit.

4. Rama nuk arriti të shpjegojë qëndrimin e tij të dyshimtë të goditjes së Kryeministrit Kurti në kancelaritë botërore kur vetë shtypi amerikan ka evidentuar që “të paktën 2 kryeministra ballkanik, përvec atij serb, kanë kërkuar zëshëm largimin e Albin Kurtit, si kryeministri i cili ka krijuar këtë situatë tensioni në veri të Kosovës”.

Kjo dalje e sotme e kryeministrit Rama ishte një përpjekje e sforcuar për të balancuar pozicionin e tij. Çfarë përfituam nga deklaratat e sotme është vetë-shpallja e kryeministrit Shqiptar si një figurë e madhe e krahasueshme me Golda Meir, që në fakt na ndihmoi të kuptojmë që Golda Meir i vërtetë në shprehjen e kryeministrit është Albin Kurti.

Ngjarjet e tanishme kërkojnë nevojën urgjente që komuniteti ndërkombëtar të gjejë dhe të mbështesë aktorë të rinj në Ballkan, pasi u provua që projektet Rama-Vuçiç janë plotësisht destabilizuese. Të paktën të përkrahin idenë e rivendosjes urgjente të demokracisë për të bërë riciklimin e elitave që e kanë kthyer Ballkanin në një strehë të politikave autokratike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco