Neveri për alibinë e 'bunkerit anti-amerikan' të opozitës nga dy balerinët politikë, Rama-Basha

Neveri për alibinë e 'bunkerit anti-amerikan' të opozitës nga dy balerinët politikë, Rama-Basha

Nga Ndriçim Kulla - 09/09/2023

Shumë zemra demokratësh u gëzuan ditën kur u shpall bashkimi i deputetëve të grupit parlamentar rreth një agjende të përbashkët me kryefjalë sistemin zgjedhor. Shumë mendje demokratësh u kthjelluan kur kuptuan se kjo është e vetmja rrugë për të luftuar në parlament dhe për të shtruar rrugën e zgjedhjeve të ardhshme të lira e pa manipulime, që është alfa e çdo lufte.

Vetëm ca fytyra u thartuan, ca shpirtra u trazuan, ca shpirtra që duket t’i jenë shitur ligësisë së djallit dhe gjetën një strategji qesharake, duke risjellë edhe njëherë në skenë epitetin “bunkeri anti-amerikan”.

Ka ardhur koha që ta shpiem njëherë e mirë në “ferr” këtë shprehje, pasi jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është krejtësisht për të shpëtuar “ferrin” politiko-njerëzor që e pret vetë Lulëzim Bashën që e përdor kudo këtë shprehje si kryetemë të diskursit të vet.

Të gjithë deputetët që iu bashkuan grupit të Bardhit, e kanë pasur këtë akuzë që në fillimet e tyre, po kështu  shprehja “anti-amerikan” dihet që është fortësisht e ndjeshme për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për demokratët.

Kështu që ajo trazoi shumë zemra e mendje kur gjerat nuk ishin shumë të qarta dhe vetëm intuita politike dhe historike mund të shërbente si dritë. Jo të gjithë e kishin këtë dritë dhe jo të gjithë demokratët  votuan të bashkuar  për PD e zotit Berisha ose e bojkotuan atë.

Kjo është histori tashmë, e thjeshtë dhe e qartë, vetëm se rezultati ose fuqia e rreth 600 mijë zemrave dhe demokratëve që votuan pikërisht për këtë që Basha e quan paturpësisht “bunker non-grata ose anti-amerikan”, tronditi mendjet e lira e të shëndosha të përfaqësuesve politikë demokratë.

E gjithë kjo masë e madhe votuesish nuk janë kurrsesi anti-amerikanë, por përkundrazi, siç mund të jem edhe unë, janë ithtarë të mëdhenj të amerikanizmit, të provuar me vepra dhe prova historike. Dhe a e dini pse? Sepse unë ashtu dhe të gjithë ata që votuam Berishën përveç provave që duhej të na jepnin dhe nuk na i dhanë kurrë, kërkonim t’i jepnim një sinjal mikes sonë madhe Amerikës por dhe  Europës se kaq shumë na ka vajtur thika e regjimit Rama në asht, sa jemi gati të thyejmë edhe një “rregull” e të votojmë një non-grata.

Si popull i kulturës dhe bashkësisë europiane dhe euroantlantike a nuk  kemi ne  të drejt ne t’i respektojmë në jetën tone shoqërore parimet dhe normat e shtetit ligjor, sipas të cilave askush nuk mund të dënohet pa fakte dhe prova?!

Mesazhi i votimeve të para ky qe, por koha kaloi dhe vetë dyshja balerine Rama-Basha nuk duroi nga tmerri dhe marazi, dhe u ngjitën në skenë për të “performuar”  me sharmin e tyre demagogjik, tashmë të mykur dhe plot erë, skandale të tjera, që e shpallën si dritë dielli të vërtetën e tyre perverse të spiunimit.

Ishte po Rama që për të kapur Bashën e spiunoi dhe e kapi “të gjallë” Bashën me skandalet e çështjes “Muzzin” dhe “Tesla” që do të jenë përjetë  një gur i varur në qafë për pseudo-karrierën e tij politike.

Aq të gjallë e kapi sa Basha nuk ka për t’i shpëtuar kurrë “ferrit” amerikan të këtyre dy çështjeve dhe praktikisht është një “non-grata politike” që koha do ta formalizojë edhe si të tillë.

Pse vallë nuk e ndjeu veten të turpëruan, të dënuar dhe gati-gati të shkatërruar në besimin e vet amerikan, çdo demokrat i thjeshtë kur Rama e tallte dhe e shpotiste në çdo dalje Lulzimin, si të blerë me rublat ruse të Muzzinit apo si anti-amerikan?! Doli që kjo akuzë ishte e vërtetë dhe ish gatuar si po duket  nga vetë kryespiuni McGonigal, në takimin e parë në Nju-Jork me Edi Ramën.

Atëherë çfarë sy e faqe ka kjo vemje e pështirë bashjane t’u flasë demokratëve për “bunker anti-amerikan”?! 

Krejt i kundërt qe rrugëtimi i besimit të demokratëve ndaj çështjes berishiane të “non-gratës” së tij. Nëse ty ata të mbrojtën dhe të besuan, sepse qe shumë i fortë turpi dhe akuza për rublat ruse, doli që gjithçka ish e vërtetë në fund.

Ndërkohë që për Berishën shumë njerëz në fillim qenë të dyzuar, pasi besimi dhe feja shqiptare e amerikanizmit dihet që janë shumë të forta. Ndaj bashkimi nuk mundi të ndodhte që në fillim, ndaj ai u zvarrit, pikërisht sepse ekzistonte kjo mëdyshje në mendjet dhe zemrat e tyre. Mirëpo çështja Mc Gonigal dhe zbulimet e dosjes së saj shqiptare dhe mjaft dilema të tjera, provuan që gjithçka ishte një lobim i neveritshëm korrupsioni me para të paguara në një garazh, një sajesë apo një qokë sorosiane për Ramën, për t’i ruajtur lëkurën nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit.

Në fillim kjo dukej fantashkencë, ndaj dhe mëdyshja justifikohej por kur gjerat dolën sheshit, kur u zbulua se në dy takimet e tjera të famshme Rama kishte lobuar kundra Sali Berishës për ta dënuar me një “non-nongrata” të shpikur, arsyeja dhe logjika e ftohtë dhe e shëndoshë  filloi të shohë përtej.

U zbulua se edhe non-grata angleze ishte një farsë. U prit plot dy vjet që të provoheshin akuzat ndaj Berishës, apo të jepej një shpjegim për to.

Edhe kongresmenët amerikanë e kërkuan me ngulm dosjen e tij edhe shtypi më prestigjioz amerikan është shprehur i habitur, por asgjë.

Më tej, mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë: Dakord, Rama ka 10 vjet në fuqi dhe trumbeton që e keqja e këtij vendi është Berisha, i  korruptuari, deri dhe vrasësi, po pse vallë nuk e pati kohën e bollshme dhe të mjaftueshme me të gjitha pushtetet që zotëron,  madje edhe me  kryespiunin e FBI-së përgjatë gjithë këtyre viteve,  për t’i provuar këto akuza dhe për ta eliminuar njëherë e mirë politikisht Berishën?!

Ja, pra që nuk ka qenë e mundur të provohet asnjë akuzë, derisa arriti të sajojë një lobim korruptiv “non-grata”.

Po të  isha amerikan, tërbimi më i madh se sa turpi, do të më vinte nëse do lexoja se kryespiuni i vendit tim, “degjenerohet” deri aty sa të marrë lekë në një garazh për një Bashë a Berishë, politikanë të një vendi kaq të vogël e kaq të largët si Shqipëria, që nuk kanë kurrfarë peshe në gjeopolitikën globale.

Çfarë fshihet vallë pas një turpërimi të tillë historik?

Një qokë ose favor sorosjan, që na bën të shkulim qimet e kokës, sepse e barazon fatin e vendit tim të vuajtur me dritën e errët të korrupsionit në një garazh.

Ja ky është anti-amerikanizëmi i paskrupullt i Ramës dhe i Bashës, që me korripsionin e tyre arrijnë të “turpërojnë” mikun tonë të madh, vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin.

Neveri më të madhe historike në marrëdhënien shqiptaro-amerikane se sa kjo që ka bërë Rama nuk ka. Po njëlloj edhe lobimi i Bashës me para ruse është një vulë e pashlyeshme anti-amerikane, që kurrë s’mund t’i shqitet.

Ja për këto arsye, zemrat dhe mendjet e demokratëve duhet të jenë të qeta e të kthjellta: Miti i anti-amerikanizmit të partisë së tyre tashmë ka rënë, e provuan vetë pehlivanllëqet me spiunllëqe e lobime të çiftit Rama-Basha.

Tani, ata kanë një betejë të re, në rrugë dhe në parlament, edhe me një figurë të re të bashkuar e të pastër, të pakorruptuar, të ndershme intelektualisht si Gazment Bardhi, që e provoi se ishte vetëm në shërbim të kauzës së demokratëve dhe ardhjes së tyre në pushtet, në dallimi nga skenari personal i Bashës, që me këto veprime diletanteske të shpalljes së kryetar i PD, do t’i shpëtojë vetëm “ferrit” të dënimit për dosjen Muzzin, duke gjetur për partner një tjetër “adash”, atë që do t’i shpëtojë “ferrit” të tij me emrin McGonigal, siç  është kryeministri Rama.

Le t’i lëmë këta të dy në pritje të “ferrit” të tyre dhe le të hapim derën e  së ardhmes së demokratëve me bashkimin e tyre të madh që sapo ka ndodhur. Ky është vetëm fillimi i fitores, ndaj tërbohen “balerinët” dhe bërtasin si të marrët nëpër rrugë “ anti-amerikanët, anti-amerikanët”.

Populli demokrat që ka votuar nuk ka qenë kurrë i tillë, tani e kuptuan edhe përfaqësuesit e tij politikë dhe u bashkuan, tanimë një gjë të tillë duhet ta pranojnë pa kushte dhe ndërkombëtarët, sepse rrethi i opozitarizmit popull-deputet u mbyll, nuk ka më variabla të tjerë për t’u përdorur në tryezë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco