Anëtarësimi me faza në BE - një ide në horizont

Anëtarësimi me faza në BE - një ide në horizont

Nga Genc Pollo - 08/09/2023

Në një konferencë për sigurinë globale (GLOBSEC 2023) të mbajtur në Bratislavë, Sllovaki në 31 maj të këtij viti moderatori pyeti dy panelistët, kryeministrin shqiptar dhe atë maqedonas se cili ishte reagimi i tyre ndaj fjalimit të Presidentes së Komisionit Evropian von der Leyen të mbajtur para një ore në panelin e mëparshëm. Zotërinjtë Rama e Kovacevski përsëritën trivialitete rutinë si “ne kemi bërë reforma por BE është e avashtë me ne”.

Dëgjuesit e pranishëm që kishin ndjekur edhe znj. von der Leyen do të kenë menduar se dy kryeministrat ose nuk e kishin dëgjuar Presidenten e Komisionit, ose nuk e kishin kuptuar se cfarë tha ajo ose, për arsye taktike, po zgjidhnin të evitonin komentet. Cilido qoftë rasti do të ishte shumë e dobishme të ndaleshim tek tezat e paraqitura në Bratislavë lidhur me zgjerimin e BE në Ballkan nga ana e Presidentes së Komisionit Europian.

BE me 34 anëtarë bëhet “kallaballëk”

Ideja e një shteti kandidat që anëtarësohet me faza të BE është një lloj risie në historinë e Evropës së Bashkuar. Deri tashti çdo shtet që synonte anëtarësimin paraqiste kërkesën në BE, pranohej si kandidat, negocionte kriteret e kushtet dhe kur këto konsideroheshin tërësisht të përmbushura fillonin procedurat ligjore të aderimit. Vendi i fundit që u anëtarësua në këtë mënyrë ishte Kroacia në v2013. Në dekadën që vijoi zgjerimi i Bashkimit ngeci. Shkak kryesor ishte se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor ngecën në transformimin e tyre duke filluar me shtetin ligjor. Madje në disa raste bënë regres. Këtij problemi ju shtuan vështirësitë me fqinjët (Shkupi me Athinën e me Sofjen), me njeri-tjetrin (Beogradi me Prishtinën, Sarajevën e Podgoricën) dhe mes vedi (Bosnje-Hercegovina). Por nga ana tjetër edhe në kryeqytete evropiane, duke filluar nga Parisi, ideja e anëtarësimit të gjashtë shteteve ballkanike konsiderohej si një ngatërresë shtesë (duke u rritur numri i shteteve anëtare nga 28 në 34 komplikohej vendimmarrja e Unionit edhe ashtu e rrezikuar nga vetot individuale).

Anëtarësim me faza (staged accession) në horizont

Prej më shumë se pesë vitesh në rrethetme ndikim në Evropë diskutohet një tjetër udhë drejt BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Thelbi i saj është që vendet kandidate të kenë akses gradual në Tregun e Përbashkët, në institucionet e tij, në fondet e kohezionit dhe status special pranë disa organeve të Unionit. Por pa qenë anëtarë, të paktën për një periudhë, në organet e BE si Këshilli Evropian, Këshilli i Ministrave, Parlamenti Europian, Komisioni ose Gjykata e Drejtësisë e BE, në të cilat përpunohen, miratohen por edhe vetohen, shqyrtohen dhe kontrollohen të gjitha politikat dhe aktet ligjore të BE.

Në nivelin politik për herë të parë kjo ide u propozua në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të vitit 2019 nga pretendentë kryesorë për postin e Presidentit të Komisionit; që atëhere “anëtarësimi me faza” ka qenë objekt debati dhe përkrahje nga parti të mëdha në parlamentet e shtetevekryesore të BE. Ndërkohë think-tanke të njohura prezantojnë analiza e rekomandime në këtë drejtim.

Por fjalimi i znj. von der Leyen në Bratislavë shënoi edhe nivelin më të lartë politik të përkrahjes së “anëtarësimit me faza”.

Ursula von der Leyen në ligjëratë të drejtë

Nga fjalimi në Bratislavë i Presidentes së Komisionit Europian jehonë në media bëri pothuaj vetëm pjesa lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe ndihma e BE. Për arsye të kuptueshme. Por pjesa e Ballkanit nuk u referua as në mediat shqiptare e rajonale; mendoj se është me rëndësi të njihet prandaj po citoj më poshtë paragrafët përkatës:

“Për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së në dy dekadat e fundit, aksesi në Tregun e Përbashkët ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike. Por vendet që tashmë janë në një rrugë premtuese në BE duhet të përfitojnë gjithashtu nga ky treg i yni. Për shembull, Ballkani Perëndimor mund t'i bashkohet Tregut Unik Digjital në fusha të tilla si tregtia elektronike ose siguria kibernetike. Ne mund të lehtësojmë tregtinë në mallra dhe pagesa. Dua që tregu ynë i vetëm të jetë një shtytës i ndryshimit, jo vetëm për vendet që tashmë i janë bashkuar familjes, por edhe për ato që janë ende në rrugën e tyre…

Kjo lidhje më e ngushtë me tregun tonë të vetëm duhet të shkojë paralelisht me një Treg të Përbashkët Rajonal (TPR; dmth me Procesin e Berlinit dhe zmbrapsu Ballkan i Hapur - shën. i autorit GP). Një TPR është vendimtar për të zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit. Është thelbësore që Ballkani Perëndimor të bëhet një rajon më atraktiv për investitorët evropianë. Dhe, nëse bazohet në rregullat dhe standardet e BE-së, ky TPR mund të ndihmojë gjithashtu në përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin tonë. Ne duam t'i ofrojmë paraprakisht Ballkanit Perëndimor disa nga avantazhet e anëtarësimit. Por kjo do të thotë se edhe disa kërkesa të anëtarësimit duhet të plotësohen paraprakisht. Disa nga reformat që janë pjesë e procesit të anëtarësimit janë kyçe për besimin e investitorëve. P.sh ndërtimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas, prokurimeve publike të shëndetshme dhe rritjen e luftës kundër korrupsionit. Ose mendoni për tregun e energjisë.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një potencial të madh për t'u diversifikuar larg karburanteve ruse. Por aty duhet të rritet efiçienca e energjisë, të përshpejtohet diversifikimi përmes më shumë burimeve të rinovueshme. Ballkani Perëndimor mund t'i arrijë të dyja: pavarësinë energjetike nga Rusia dhe harmonizimin më të ngushtë me Bashkimin Evropian për të përshpejtuar anëtarësimin. Pika ime e fundit është e drejtpërdrejtë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Ballkanin Perëndimor me rritjen e fondeve të para-anëtarësimit (IPA). Ka një nevojë të madhe për investime në Ballkanin Perëndimor. Këto investime do ta bëjnë jetën e njerëzve më të mirë. Dhe ata gjithashtu do të shtrojnë udhën drejt Unionit tonë. Për këtë arsye, ne duhet të rrisim burimet e dedikuara për Ballkanin Perëndimor. Në këto kohë të trazuara, ky plan me katër pika është oferta e duhur për Ballkanin Perëndimor” (https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/SPEECH_23_2993 ).

Kontraste Parlament/Komision

Kush ka ndjekur debatin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian në 11 korrik 2023 nuk mund t’i mos i ketë bërë përshtypje kontrasti midis fjalimit të Komisionerit të Zgjerimit në njërën anë dhe rezolutës “Shqipëria 2022” që u miratua në plenare.

Komisioneri fliste plot optimizëm për çeljen e negociatave në korrik 2022, për “delegacione nga Tirana që janë të përgatitur e aktivë” dhe për zgjedhjet lokale të majit duke cituar titujt pozitivë të raportit të ODIHR-it e duke shtuar se ishin më të mira se ato katër vjet më parë (krahasimi me bashkitë 100% PS si pasojë e bojkotit të Bashës është edhe i vërtetë, edhe për të qeshur, edhe për të qarë).

Ndërsa rezoluta e votuar atë ditë nënvizonte me shqetësim shkeljet e rregullores së Kuvendit për të cunguar rolin e opozitës, refuzimin e paligjshëm të komisioneve hetimore (afera McGonigal-GP), apelonte që qeveria të garantonte të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje (PD reale-GP), refuzonte amnistinë fiskalo-kriminale dhe pasaportat e arta, theksonte se projekti i Portit Durrës (Al Abaar) duhet të mos shkelte MSA-në, dënonte përdorimin nga partitë politike të të dhënave personale (dmth PS me patronazhistët-GP), shprehte shqetësim për arrestimin e paligjshëm të Belerit dhe për zaptimet qeveritare të pronave në Himarë, dënonte kufizimin e lirisë së shprehjes e të medias me detaje në disa paragrafë, shqetësohej për financime jo transparente e pasoja social-ekonomike e mjedisore të hidrocentralit Skavica e të aeroportit Nartë-Vlorë. Nëse dikush do e njihte Shqipërinë nga kjo rezolutë do të mendonte se vendi kandidat ishte në mos “shtet i dështuar”, të paktën “shtet i kapur”.

Negociata pa progres

Kontrasti i mësipërm rikthen debatin mbi efektin transformues dhe dobinë konkrete të negociatave për anëtarësim në BE në veçanti dhe procesit të integrimit në BE në përgjithësi.

Prej një dekade dy shtete të rajonit, Mali i Zi e Serbia, zhvillojnë negociata anëtarësimi me BE. Gjatë kësaj periudhe Mali i Zi ishte një shtet pothuaj monopartiak deri në dy vitet e fundit kur u realizua ndryshimi i pushtetit me votë por u hapën probleme të tjera gjeopolitike. Serbia gjatë kësaj periudhe konsolidoi një regjim monokratik me opozitë të përçarë e media të kontrolluar të mbështetur në korrupsion shtetëror e kriminalitetin e organizuar si dhe me orientim gjeopolitik jo-europian e jo-euroatlantik. Këto probleme si përherë mbeten përgjegjësi e popujve përkatës dhe e politikanëve të tyre. Por nuk lipset t’i shmangemi pyetjes mbi impaktin pozitiv konkret të negociatave me BE-në. Ose të mungesës së këtij impakti dhe arsyet e kësaj mungese. Në qarqet filo-evropiane në Serbi dhe tek shumë studiues evropianë ndihet frustrim për një problem tjetër: se procesi i integrimit evropian është kapur nga regjimi serb dhe është keqpërdorur për legjitimimin e masave antidemokratike e të shtet-kapjes. Dhe BE, në radhë të parë Komisioni Evropian, sipas tyre jo vetëm nuk i ekspozon e i kritikon problemet, por hesht për to duke pretenduar se nuk i sheh.

Kushtëzimi serioz në vitin 2020

Në vitet 2014-2021 raportet e deklaratat e Komisionit Evropian për qeverinë Rama e për Shqipërinë ishin njëfarë Fasade Potjemkini e një realiteti imagjinar. P. sh. Brukseli nuk foli një fjalë për kanabizimin total në vitin 2016 nga dyshja Tahiri-Rama. Po ashtu Komisioni u tregua i verbër për devijimet serioze të reformës në drejtësi; një proces ku kishte investuar shumë dhe që donte patjetër ta shpallte si rast suksesi.

Që nga prilli 2018 Komisioni Evropian rekomandoi në mënyrë të përsëritur çeljen pa kushte të negociatave me Shqipërinë; gjithashtu në mënyrë të përsëritur Këshilli Evropian (shtetet anëtare) nuk e morën parasysh ketë kërkesë. Në mars 2020 Këshilli Evropian, në vijim të 9 kushteve të Bundestagut, përcaktoi 15 kushte të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushte që të mund të çeleshin negociatat. Ky detyrim u konfirmua edhe në një rezolutë të Parlamentit Evropian në mars 2021. Me arsyetim të shëndoshë Këshilli e Parlamenti gjykuan se nuk mund të çeleshin negociatat me një shtet ku ndër të tjera mungonte Gjykata e Lartë e ajo Kushtetuese dhe ku votat bliheshin hapur nga qeveritarë të pandëshkueshëm. Ky kushtëzim dha impulse për të normalizuar deri diku jetën institucionale e politike në vendin tonë edhe pse 15 kushtet nuk u përmbushën plotësisht.

KM Edi Rama reagoi ndaj 15 kushteve duke i quajtur bllokim politik “sepse askush më mirë se Komisioni Evropian me mijëra ekspertë të shkëlqyer nuk mund të vlerësojë gjendjen më saktë e qartë”. Por po të dëgjosh se çfarë thonë privatisht ekspertët e BE në Tiranë për gjendjen e administratës publike, zbatimin konkret të legjislacionit dhe aftësinë e implementimit legjislacionit të BE) të zë mërzia. Sa merren parasysh këto mendime në shkallët e hierarkisë dhe sa pasqyrohen në raporte është çështje tjetër.

Sot kur ne jemi në negociata prej një viti me BE është me vend pyetja se çfarë impakti pozitiv kanë patur ato në cilësinë e demokracisë e të shtetit ligjor (Kriteret e Kopenhagës). Po të krahasosh rezolutën e 11 korrikut 2023 të Parlamentit Evropian me atë të një viti më parë nuk sheh progres e me gjasë sheh një farë regresi.

Raporti “screening” për Shqipërinë i prezantuar në 20 korrik 2023 nga Komisioni Evropian është dokumenti bazë që analizon gjendjen e vendit; mbi këtë bazë BE do të duhet të vendosë mbi ecurinë e negociatave. Megjithatë teksti i paraqitur nuk ndryshon shumë nga raportet formaliste të mëparshme; radari i Komisionit nuk sheh as problemet madhore e akute dhe as trendin shqetësues korruptokratik që trajtohen me kompetencë në raportimet e disa mediave e OJF-ve ndërkombëtare.

Me rënien e kushtëzimeve, proçesi i negociatave duket se është kthyer në rutinën e vjetër të verifikimeve formale të legjislacionit. Kjo mënyrë mund të ketë qenë adekuate për anëtarësimin e Suedisë e të Austrisë në vitin 1995. Në këto vende ka funksionuar sundimi i ligjit, shteti nuk ishte i kapur dhe rotacioni elektoral i pushtetit ishte i mundshëm. Pra të famshmet e tashmë gjysëm të harruarat Kritere të Kopenhagës ishin të përmbushura. Për disa shtete në Ballkanin Perëndimor fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet.

Në diskutim është efekti transformues pozitiv dhe “evropianizues” i integrimit në BE. Deri tashti tek ne duket se BE ka një rol frenues ndaj përkeqësimit si në rastin e pasaportave të arta, të amnistisë fiskalo-penale (sipas Edi Ramës edhe ShBA ka qenë kundër) apo edhe të ndërprerjes së IPARD-it së fundmi. Por edhe në këtë rol BE dëften limite: Brukseli nuk frenoi dot projektin plaçkitës të Portit Durrës, megjithë shkeljen e MSA-së; po ashtu Komisioni Europian e squlli kundërshtimin fillestar në parim ndaj legalizimit të kanabisit në kritere teknike jo shumë domethënëse.

Anëtarësimi me faza si mundësi e shans

Një shpjegim për mungesën e interesat për reforma reale e të zbatuara në vendet e Ballkanit Perëndimor është se ato mund të kufizojnë e ndoshta të rrezikojnë pushtetin e sundimtarëve aktualë ndërkohë që sforcimi nuk shpërblehet: anëtarësimi mbetet shumë vite larg dhe maksimumi i arritshëm është çelja e ndonjë kapitulli tjetër në negociata. Fokusi  mbetet te fondet e Brukselit. Ato mund të kenë impakt pozitiv p.sh. në vepra infrastrukturore kur prokurimi e i tërë procesi është korrekt. Por mund të agravojnë edhe një situatë oligarkiko-korruptive siç rezultoi me fondin IPARD në Shqipëri dhe ku së fundmi Komisioni Evropian fatmirësisht e më në fund dha një sinjal parimor duke ndërprerë aktivitetin e këtij fondi.

Por këto më së shumti janë aktivitete zhvillimore që do të ishin të ngjashme edhe në Afrikë apo në Amerikë Latine dhe pak kanë të bëjnë në thelb me integrimin evropian.

Anëtarësimi me faza premton ta ndryshojë këtë rutinë. Anëtarësimi në një program të BE si p.sh. lidhur me energjinë apo transportin hap mundësi konkrete duke filluar me aksesin në Tregun e Përbashkët deri tek fondet e kohezionit përkatëse. Ky hap sjell avantazhe konkrete që ndihen afatshkurtër në sektorin ekonomik-shoqëror përkatës. Por mbi të gjitha sjell edhe detyrimin për të përmbushur që në fillim kriteret evropiane përkatëse në mënyrë reale e të verifikueshme. Në këtë rast raporti incentiv/sforco ndryshon në favor të incentivit krahasuar me anëtarësimin konvencional.

Anëtarësimi me faza duke prekur interesa direkte mund të jetë një mënyrë për të (ri)zgjuar interesimin shoqëror për integrimin evropian. P. sh. nëse një shtet në Ballkan arriti të anëtarësohet në aksh programin evropian dhe ekonomia e shoqëria si pasojë gëzon benefitet, atëherë qeveritë në shtetet e tjera të rajonit do të vihen nën presion nga shoqëritë e tyre për të përmbushur ato kritere që të realizohet anëtarësimi me benefitet e tij. Një efekt i tillë vështirë se arrihet me deklarime abstrakte se anëtarësimi do të ndodhë në vitin 2030.

Në muajt e fundit “anëtarësimi me faza” është përmendur kalimthi në mbledhjet qeveritare rajonale; Presidentja von der Leyen pritet t’a rikonfirmojë këtë ide apo nismë në fjalimin “Gjendja e Unionit” që do e mbajë ne mes te këtij muaji.  Nëse anëtarësimi me faza” zyrtarizohet, kyç i suksesit mbetet rigoroziteti në verifikimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve. Por a do të jetë në gjendje Komisioni Evropian t’a bëjë këtë? Apo prirja “gjeopolitike”,siç e përkufizoi znj. von der Leyen në fillim të presidencës së saj, do e shtyjë të mbyllë njërin sy. A do të jenë Këshilli dhe Parlamenti po aq parimorë dhe ekzigjentë siç u treguan para tre vjetësh me Shqipërinë? Ne lipset të shpresojmë që këto pyetje të marrin një përgjigje pozitive.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco