Nafta e Shpiragut si hapja e negociatave

Nafta e Shpiragut si hapja e negociatave

Nga Avni Nezaj - 29/08/2023

Naftë në Shpirag. Zoti po na shikon. Fondi sovran. Para me thes. Do hamë me lugë floriri. E shumë e shumë pasthirrma në një shqipe të pastër u shpërndanë mediatikisht nga kreu i qeverisë shqiptare për një investim të një kompanie private që akoma nuk ka konfirmuar asgjë nga ato që thotë Rama me petët që i rrinë rreth tij në tepsinë e pushtetit.

Njoftimi për zbulimin e rëndësishëm është thënë kohë më parë. Biles janë hapur edhe shishet e shampanjës për të. Pastaj u bë një njoftim i dytë e për këtë u hapën dyfish shishe shampanje. Në njoftimin e tretë u ftuan edhe të huaj e jashtëtokësore për të vërtetuar zbulimin e madh. Po se çfarë merite ka qeveria e Ramës në këtë zhvillim, nëse është i vërtetë, nuk kuptoj. Investimi ka nisur para 2013 dhe po vijon akoma sepse kompania që e ka nisur atë është një nga më të fuqishmet ne botë dhe Rama me rrethorët e tepsisë së tij nuk mund ta përzinin se e kishte sjellë Berisha!!!!

Do Zoti dhe del nafta edhe gazi. Por sajimi i telenovelës se në çdo muaj do ketë një zhvillim të ri, është e lodhshme. Nuk mbulohet dielli i korrupsionit  me shoshën e propagandës e as me sonda shpimi sado të gjata që të jenë. Sa herë që del një dosje e re në SPAK, Rama nis e numëron tubat e shpimit në Shpirag. Deri dje numëronte muajt e pandemisë dhe lëkundjet e tërmeteve.

A ju kujtohen dekoratat dhe shishet e shampanjës që ndante çdo vit për hapjen e negociatave me BE. Negociata që nuk u hapen kurrë, e sot jemi në një nivel më poshtë se ai që e la qeveria Berisha më 2013. 

A ka ndonjë ngjashmëri me konferencat e shtypit për nisjen, firmosjen, çeljen e negociatave me nisjen, shtrirjen, zbulimin e naftës dhe gazit në Shpirag. Bile rëndësia e Shpiragut dhe Brukselit janë në një baraspeshë të habitshme sipas Rilindjes.

Koha e zbulimeve duhet ti shkojë në dorë qytetarëve që të bëjnë zgjedhjet tyre e jo sa here ka zgjedhje të miklohen e të manipulohen e sapo mbarojnë ato, të vidhen dhe mashtrohen.

Kjo lojë e propagandës ndërmjet tubave të Shpiragut dhe negociatave që kanë vite që rrotullohen ka një ngjashmëri perfekte.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco