Prej aferës McGonigal, Rama nuk ka për të jetuar kurrë mirë mendërisht

Prej aferës McGonigal, Rama nuk ka për të jetuar kurrë mirë mendërisht

Nga Ndriçim Kulla - 25/08/2023

Në përgjithësi më vjen mirë kur shoh që një shkrim apo një parashikimi imi vërtetohet nga faktet dhe realiteti. E kam thënë që në fillim të herës kur u shpall për herë të parë “non-grata” ndaj Berishës, se në logjikën dhe kohën e ekzekutimit të saj kishte jo diçka, por shumë që nuk shkonte, nuk përkonte. Derisa ne shqiptarët të majtë dhe të djathtë nuk u respektuam kurrë për provat që kërkuam, por gjithashtu edhe shtypi amerikan dhe elita e Partisë Republikane shenjojnë një padrejtësi të vërtetë nga administrata aktuale amerikane ndaj një vendi të vogël mik. E vazhdova supozimin tim me besimin e fortë se qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë nuk kish pse të “kompromentohej” duke goditur kaq fort, kaq papritmas dhe sidomos pasi kish humbur zgjedhjet për herë të tretë, jo vetë liderin e opozitës, por pikërisht  zotin Berisha, që edhe pse një ikonë  e PD, gjithsesi kishte 8 vite që ishte larguar nga pushteti.

Për të gjetur pse-në e këtij qëndrimi, për të pasur prova e fakte të kësaj ngjarje, asokohe ishte e pamundur, vetëm intuita dhe një analizë e thellë zhbiruese e gjendjes shqiptare mund ta çante apo davariste këtë mister.

Ishin sall këta elementë që shumica nuk i kishin, nuk i zotëronin ose nuk deshën t’i përdornin, duke iu sulur akoma dhe më keq e më egër opozitës, duke e përçarë atë dhe duke e sakatosur qëllimisht.

Është hera e parë që ndjej dhimbje dhe turp kur më del fjala. Që atëherë e kuptova se kjo ishte vepër e një personi të vetëm, e kryeministrit burracak e të paburrë të vendit tim, që duke pasur për qëllim asgjesimin e opozitës, kërkonte ta çonte deri në fund falimentimin  e opozitës me goditjen ndaj Berishës, pasi e kish nisur qëllimisht më parë me marrjen peng të Lulëzim Bashës, veprën e tij prej njeriu me mendësinë komuniste të një diktatori, që nuk ndalet përpara asgjëje, vetëm për ta spastruar rrugën kah pushtetit të përhershëm në dorë të tij.

Të dhënat e reja e të zbuluara ditët e fundit nga afera McGonigal vërtetuan se Edi Rama e kish gjetur nëpërmjet tij fillin për ta kryer këtë “vrasje” të dyfishtë makbethiane të opozitës.

Si në një pazar “non grata”-sh apo goditjesh të kundërshtarëve me informacione të fshehta, siç po del tashmë për manjatë të mëdhenj rusë që porosisin shefin e madh të FBI për të dënuar rivalin e biznesit të vet, Rama - i gjetur ngushtë dhe me shpatulla pas murit prej revoltës së madhe popullore të para disa viteve, që kurorëzoi me tubimet e përditshme të njerëzve në çadrën e ngritur përpara kryeministrisë - gjen një marifet, një artificë, një pelivanllëk nga ato më perversët për të shpëtuar. Porosit, me lidhjet e tij “të çuditshme” sorosiane, pikërisht këtë shef të madh që të zhbirojë afera e të gjejë mundësinë për të kapur mat kundërshtarin e tij politik, Lulzim Bashën.

Them lidhje “të çuditshme” sorosiane, jo se tashmë nuk dihet dhe është mister se kush e mban në pushtet qeverinë e tij të diskretituar nga skandalet, por për faktin se si mundet këto lidhje korruptive të përdoren për të dënuar opozitën e një vendi kaq të vogël sa Shqipëria, dhe se si ato të arrijnë që Mcgonigalin e Madh, të mësuar me manjatë e nivele njerëzish të rangut botëror, ta “ulin” në nivelin “mjeran” të Lulit të Vogël shqiptar!!!

Eh, sa turp edhe për vetë lidhjet sorosiane, që fare mirë mund të përdoreshin për lobime të frytshme në favor të ekonomisë dhe demokracisë shqiptare, që të shkojnë drejtpërdrejt edhe në favor të njerëzve të vuajtur të këtij vendi. Gjithkush e mban mend mirë frymën që populli i opozitës i dha ditëve të “tendës”, të aq shumë shpresave që ajo u ngjalli shqiptarëve, të lëvizjes studentore, e kështu me radhë.

Ishte koha e artë kur Shqipëria mund të merrte kthesën e madhe të përmbylljes përfundimtare të periudhës së tranzicionit 30- vjeçar, kohë të cilën Edi Rama e vrau me marifetin e kapjes peng të kreut të opozitës për çështjen Muzin, aferë kjo të zbuluar falë korrupsionit të të dërguarve të tij, pikërisht në njërin prej tre takimeve që, sipas dëshmive, ka pasur me Mcgonigalin.

Ndjej turp të dëgjoj që kryeministri im, ky lider që na e shpall veten si etalon të mossharjes në gjuhë të huaj(anglisht), të takohet me një “shef” të FBI për të “spiunuar” liderin e opozitës dhe për t’i shpëtuar padrejtësisht zemërimit dhe vullnetit të popullit të tij.

Mjafton ky fakt, që moralisht, botërisht dhe përjetësisht, ta njollosë me turp e neveri kryeministrin e vendit tim, me shpresën se edhe legalisht e politikisht ai të marrë gjithçka meriton, jo vetëm për këtë rast, por edhe për dy takimet e tjera, kur duhet të ketë “kompromentuar” përsëri opozitarizmin shqiptar me “blerjen” e “non grata”-s për Berishën.

Tashmë, qëllimi i tij u bë i qartë nën dritën e diellit që po ndriçon afera e tmerrshme e shefit të FBI, pavarësisht përpjekjeve titanike që po bëhen për ta zbehur këtë çështje në gjithë baltërinë dhe pisllëkun që e karakterizon.

Nuk është aspak makineria e përsosur socialiste ajo që i paskërka fituar zgjedhjet, se përndryshe për çfarë do të rrekej Rama të tirrte gjithë atë rrjetë merimange korrupsioni, madje përtej oqeanit, madje në zemër të një shërbimi të gjithëfuqishëm si FBI, për të shpëtuar me kleçka dhe sajesa prej vullnetit opozitar.

Ngaqë nuk arriti të merrte dot peng Berishën, si Lulin dikur, ai shpiku “non grata”-n lobiste nga frika që kishte se opozita mund të fitonte dhe aspak nga siguria se “makineria e patronazhistëve” të vet të funksiononte fitimtare, siç ai e trumbeton gjithandej.

Të gjesh e të përdorësh lidhje për një shef të madh të zbulimit amerikan, është si t’i hysh më këmbë rrugës më të keqe e më të vështirë të mundshme, ndaj dhe afera e zbuluar, pavarësisht përfundimit të saj ligjor, që tani ka treguar në mënyrë të tërthortë që Rama kurrë nuk ka pasur besim se do t’i fitonte zgjedhjet me të drejtë e vërtetësi, se masakra zgjedhore e gjithë këtyre viteve është realitet dhe se frika e tij proverbiale ndaj opozitës është një real-politik.

Kjo frikë, si pasojë të drejtpërdrejtë sjell një kompeks të theksuar inferioriteti ndaj fuqisë së saj, të cilën për ta kompensuar, sipas mësimeve të mjeshtërve të mëdhenj të psikoanalizës, kthehet në atë kompleks udhëheqës e gjithëpushtet të qenies njerëzore që, sipas Alfred Adler, tipologjizohet si kompleksi i superioritetit.

Ja, këtë kompleks ai ka shpërfaqur e do të shpërfaqë përherë në skenën politike shqiptare. Vetëm se rrjedhojat e përzierjes që sjellin këto dy komplekse, karakterizojnë keq në mendjen e tij një perspektivë të një mendjeje komuniste që do të shkatërrojë opozitarizmin shqiptar me çdo kusht, vetëm që të mbrohet e të arrijë të jetojë në pushtet, edhe pse tanimë në pushtet, pas kësaj afere, nuk ka për të jetuar kurrë i shëndetshëm mendërisht.

Tatëpjeta e tij politike dhe psikologjike, me zbulesat e deritanishme të tre takimeve me Mcgonigal, ka nisur dhe e ka vulosur përfundimisht me turp e neveri karrierën e tij si njeri shqiptar, shkelës traditash e zakonesh, dhe si pushtetar shqiptar që mburret të lërë gjurmë në histori. Po, tani është e qartë si drita e diellit, se ai do të lërë gjurmë, por si korruptuesi më i neveritshëm i spiunëve që shkatërrojnë opozitën e vendit të tij për të fituar padrejtësisht zgjedhjet, sepse si burrë dhe ballë për ballë nuk arrin t’i fitojë dot kurrë.

Le të bien kambanat kombëtare e ndërkombëtare, të amerikanëve miq, që kanë gabuar shumë me mbështetjen që i kanë dhënë këtij njeriu  dhe të evropianëve indiferentë që një praktikë e tillë totalitare, mos e dhëntë më Zoti të përsëritet edhe një herë tjetër në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco