Goditja me (anti)ligj e studentëve të mjekësisë!

Goditja me (anti)ligj e studentëve të mjekësisë!

Nga Bujar Leskaj - 21/07/2023

Ligji për studentët e mjekësisë është antikushtetues. Ai zeron autonominë dhe vendim-marrjen e arsimit të lartë publik dhe cënon të drejtën themelore të studentit-qytetar, për arsim të lartë të pakushtëzuar dhe për specializim të lirë në profesion. Është një ligj i denjë për vende si Korea e Veriut dhe Kuba, por jo për Shqipërinë. 

Po i mbyllim studentët jo me viza, por me ligj!

I ftuar në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, një student i mjekësisë u shpreh se tashmë nuk janë të mbyllur më me viza por me projektligjin e qeverisë Rama. “Unë kam pasur ëndërr që pasi të mbaroja studimet këtu dhe të specializohesha jashtë,  më pas të kthehesha prape këtu, por edhe këtë mundësi po na e hiqni”, cilësoi ai.

Ligji e detyron mjekun të specializohet në Shqipëri. Shumë shpejt nuk do të kemi më mjekë të specializuar jashtë vendit, për një profesion që vjetërohet me orë dhe jo me ditë!  

Për projektligjin do të duhej të ishin shprehur të gjithë personalitetet mjekë që janë sot pedagogë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, por kjo nuk ndodhi dhe është shembull i qartë i politizimit të skajshëm të arsimit tonë të lartë publik dhe i frikës që këta pedagogë kanë, po të shprehen lirisht.

Në anën tjetër, qeveria shpërfilli diskutimet për projektligjin në komisionet e Kuvendit dhe erdhi   me nivele të dyta dhe të treta të përfaqësimit, madje nuk pranoi as t‘u përgjigjet pyetjeve. Urdhri i mjekut u struk, ndërkohë që studentet e mjekësisë do të jenë shumë shpejt profesionistë të Urdhrit, të cilët, me ligj, duhet t‘i përfaqësojë ky urdhër.

Ligji për studentët e mjekësisë është në kundërshtim flagrant me Ligjin për Arsimin e Lartë të vitit 2015, një ligj modern, i përgatitur nga ish-Ministrja Lindita Nikolla me stafin e saj. Është në kundërshtim me nenin 91/1 të tij, i cili shprehet se “Në përfundim të studimit, studenti pajiset me diplomën e arsimit të lartë ose çertifikatën përkatëse”, si dhe me Nenin 3, Pika 3 “ç” “Autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë garantohet nëpërmjet të drejtës për të përcaktuar tarifat e studimit”.  Mbi bazën e cilës prerogativë ligjore qeveria shkel me të dyja këmbët këtë nen të këtij ligji, duke vendosur një tarifë-gjobë për studentët e Mjekësisë?

Përballë argumenteve që sollën studentët, përfaqësuesit e qeverisë u treguan refraktarë, populistë dhe nuk ofruan argumenta logjikë. Nuk është e ndershme dhe profesionale, që qeveria të shkarkojë të gjithë problematikën e mungesës së mjekëve, në fraza si gjoja “patriotizëm i pamjaftueshëm” apo “atdhedashuri e pamjaftueshme” e studentëve të mjekësisë.

Si mund të prezantosh për argument faktin që studimet në mjekësi janë të shtrenjta dhe studentët janë borxhli ndaj shtetit?! Mos vallë prindërit e tyre nuk paguajnë taksa, njëlloj si prindërit e studentëve që studiojnë shkencat teknike, të cilat kanë edhe ato kosto shumë të përafërt?!

Projektligji duket qartë se ka ardhur nxitimthi, gjë tipike për nismat ligjore të sektit Rama në qeverisje. Ai nuk është konsultuar mjaftueshëm, jo vetëm me grupet e interesit, por as edhe me stafin akademik të Universitetit Mjekësor të Tiranës, për të mos folur për mjekë, personalitete që e njohin mirë sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Dua të sjell rastin e mjekut të shquar shqiptar Kita Sallabanda, i cili punon si neurokirurg në Spanjë dhe ofroi pardje publikisht, në një intervistë televizive, tre rrugët që ai mendon, për të motivuar mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.

Së pari, përmes një politike shëndetësore, ku një pjesë e mirë e të drejtave të studimit për mjekësi të jepen nga studentët që vijnë nga zona të thella të vendit.

Së dyti, qeveria të krijojë kushte për mjekët që punojnë nëpër rrethe dhe në fshatra, duke u dhënë shtëpi, duke krijuar atë që quhet shtëpi e mjekut. Mjekët të banojnë në shtëpitë e shtetit dhe kur mbarojnë ciklin e tyre të punës, kthehen.

Së treti, qeveria të pajisë çdo qendër shëndetësore, kudo ku ajo ndodhet, me elementët e domosdoshëm që mjekët të punojnë. 

Ligji për studentët e mjekësisë- masë enveriste

Ligji nuk jep asnjë zgjidhje, për të mos folur për zgjidhje të qëndrueshme, të sigurimit të numrit të nevojshëm të mjekëve dhe të shpërndarjes së tyre në të gjithë territorin. Ai nuk adreson problemin themelor që kemi me ofrimin e shërbimeve mjekësore në vend.

Duke qenë cënues në raport me Kushtetutën, ky ligj mund të shfuqizohet menjëherë nga një mazhorancë tjetër qeverisëse. Ne automatikisht, të parin ligj që do të abrogojmë, kur të vimë në pushtet, do të jetë ky ligj, kjo masë enveriste!

Numri i pamjaftueshëm i mjekëve është pasojë e politikëbërjes së gabuar të sektit Rama në mjekësinë tonë publike, dhe jo faj i studentëve të mjekësisë, të cilët gjoja paskan prirje të emigrojnë në masë. Sikurse vetë studentët e thanë me forcë në komisionet e Kuvendit, asnjë prej tyre nuk dëshiron të lërë vendin, nëse do të kenë mundësi të specializohen jashtë dhe të kthehen të ushtrojnë me dinjitet profesionin.

Nuk mund të shkarkojmë problemet e mbartura të mjekësisë sonë publike në këto dhjetë vite keq-qeverisje, vetëm në kurriz të studentëve dhe mjekëve të rinj të 3-4 viteve të ardhshme!

Qeveria nuk ka pse t’ua mbyllë vendin e tyre studentëve të mjekësisë me ligj! Shtetin ligjor e mbështesim në Kushtetutë, dhe jo në Shtetin e Rilindjes! Jam munduar të kuptoj filozofinë dhe frymën me të cilën ministrja e Arsimit dhe Ministrja e Shëndetësisë kanë sjellë në Kuvend projektligjin për studentët e mjekësisë.  Gjithshka reduktohet në batutën :”Topi është i imi. Penalltinë e gjuaj vetë!”.  Cilët jeni ju, ministra të Rilindjes, që ëndrrat dhe të drejtat legjitime e kushtetuese të të rinjve, për të zgjedhur lëndën që dëshirojnë dhe për t’u diplomuar, ua mohoni dhe i persekutoni në këtë mënyrë?

Duke parë këtë absurditet dhe aventurizëm të Sektit Rama në pushtet me këtë ligj, të lind natyrshëm pyetja: me rritjen e tarifave tek Universiteti Mjekësor i Tiranës, përmes këtij ligji, që do të sjellë edhe rritjen e menjëhershme të tarifave në universitet  jo-publike që kanë degë të shëndetësisë, mos po kërkoni të realizoni pozicionin kartel edhe në shërbimet mjekësore në arsimin tonë të lartë?! Nuk ju mjaftojnë kartelet në ekonomi?

Me këtë ligj, dyshoj se çfarë kemi arritur në 30 vjet. Pyes: a kemi arritur ne, mbas 30 viteve, që sloganin “Të shërbejmë aty ku ka nevojë Atdheu”, ta zëvendësojmë me postulatin e shenjtë “Aty ku të shërben tregu?”. Jo, nuk kemi arritur! Nuk kemi arritur që Shtetin e së Drejtës ta përshtasim me parimet e David Rikardos dhe të Adam Smithit, për dorën e padukshme rregulluese në ekonomi, të kërkesë-ofertës    

Profesioni i mjekut vijon të jetë tejet i kërkuar edhe në vendin tonë dhe profesionistët me nivel të mirë shkencor mund të ndërtojnë shumë mirë jetën e tyre në Shqipëri. Mbajtja e mjekëve në atdhe kërkon reforme tërësore, zgjidhje racionale dhe të qëndrueshme, dhe jo gjoba prej 5 mijë e treqind euro në vit, për të paguar studimet e mjekësisë, nëse largohesh.

Është e sigurt se tregu ndërkombëtar për mjekët do të rritet në vitet dhe dekadat që do të vijnë dhe do të jetë gjithnjë e më atraktiv për mjekët e rinj të vendeve që nuk afrojnë kushtet e duhura të ushtrimit të profesionit, përfshirë edhe vendin tonë. Por kjo perspektivë nuk mund të përballohet me ligje-gjoba dhe masa mbylljeje të stilit enverist.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco