Rrethimi i madh

Rrethimi i madh

Nga Sonila Meço - 19/07/2023

Komisioni Europian pezullon grantet për bujqësinë nga programi IPARD II për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Ky vendim vjen pas një hetimi të Zyrës kundra Mashtrimit të Bashkimit Europian.

Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se autoritetet shqiptare nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen.

‘Për mos të lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,’ shkruhet në letrën e Wolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG AGRI, drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.

Patjetër mbrojtja e taksapaguesve europianë nga korrupsioni është prioritet absolut. Dhe kjo vlen për çdo projekt ndërkombëtar në Shqipëri financuar prej tyre. Përfshi reformën në drejtësi. Argument, që në çdo takim me diplomatë të huaj është komunikuar më shumë se një herë. Dhe prej çdo takimi kam dalë me shijen zeher të pyetjes pa përgjigje: po taksapaguesin shqiptar kush dreqin e mbron?

Dhe për t’i dhënë formë përmbajtjeve të hallakatura, sa me reagime, sa me lobime, indiferencë a neglizhencë të autoriteteve ndërkombëtare në raporte, publikime, njoftime e komunikime on dhe off record ndihmon kjo valë rrathësh koncentrikë, që më shumë se një rrethim i vogël, nga ku mund të përvidhesh me sukses me dy tre lobime, ngjan një rrethim i madh ku llogari duhet t’i japësh jo vetëm taksapaguesve të tu (që ua ke pirë lëngun me kohë), por sidomos atyre europianë e përtej, që kanë financuar qëllim-mirë reformat demokratike anti korrupsion e mirëqeverisjeje në vendin tënd.

Mbrojtja e interesit publik në Shqipëri e rajon është dëmtuar jo pak nga doktrina ‘stabilitet mbi demokraci’, duke sjellë prodhimin e autokracive të krimbura në korrupsion e shembje të shtetit të së drejtës.

Ish-kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel në një shënim në Foreign Policy shkruan se presidenti Biden kërkon me çdo kusht ‘të ruajë stabilitetin në Evropë’, por një gjë e tillë ‘ka shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës’.

Kritikat e Engel ndaj qendrimit amerikan në konfliktin Kosovë-Serbi oshëtinë në Kongresin amerikan, ku Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore me të dërguarin e SHBA-së në rajon, Gabriel Escobar. I pyetur drejt, pa hezitim, në kokë nga Kongresmeni Keith Self se ‘një koleg demokrat, që ka drejtuar këtë komision (duke iu referuar shënimit të Eliot në FP), i cili pretendon se administrata e Biden po qetëson Serbinë në dëm të demokracisë dhe se a kishte ndonjë koment si zyrtar i administratës Biden, Escobar iu gjegj duke përmendur sanksionimin e shefit të inteligjencës serbe, Vulin mes disa argumenteve të tjera.

Pra e lexuar qartaz Vučić-it po i afrohet radha, duke mbërritur kësisoj në përthyerjen e paimagjinueshme deri dje të bindjes se Kurti po i bën dëm Kosovës e po favorizon Serbinë me rezistencën e tij. Por jo vetëm, tashmë deviza ‘stabilitet mbi demokraci’ po kriset fort nga brenda vendeve prej ku gjeneroi, pasi krijimi i autokracive krimbur në korrupsion e krim nuk prodhoi as njërën e as tjetrën.

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës pati një atù dhe vizion të qartë për ku dhe si do ta orientonte presionin ndërkombëtar në një nga pikat më nevralgjike të hartës gjeopolitike europiane, duke rezistuar me këmbëngulje, duke vendosur Kosovën të parën dhe parimet funksionale të shtetit të së drejtës dhe anti korrupsionit në ditë të vështira për demokracinë në rajon dhe botë dhe në tehun delikat të zgjedhjes së imponuar ndërkombëtare mes stabilitetit dhe demokracisë.

Me gjasa tejet të forta, sot qendrimi dhe rezistenca e tij po shpërblehet dhe përkundër çdo insistimi nga ‘liderët rajonalë’ të vetshpallur nuk po sanksionohet ai, por Serbia e Vulinit.

Sot, në euobserver.com, Michael Meyer-Resende, Drejtori Ekzekutiv i Democracy Reporting International, në një analizë mbi indiferencën e qeverive anëtare të OSBE-së ndaj gjetjeve dhe raporteve të organizatës thekson se ‘OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe organizata të ngjashme janë efektive kur merren seriozisht. Qeveritë e Europës mund të shpenzojnë para sa të duan për to. Por nëse e trajtojnë punën e tyre si procese dytësore burokratike-teknike që nuk ndikojnë në politikë, paratë shkojnë dëm. Që kjo situatë të përmirësohet, duhet të ketë një ndryshim rrënjësor në perceptimin se demokracia dhe të drejtat e njeriut në shtetet e tjera evropiane ku hedhin para për mbështetje e reforma kanë rëndësi për të gjithë. Ka rëndësi për sigurinë tonë afatgjatë.’

Dhe tashmë ka nisur kërkesa e llogarisë në vendet europiane e përtej nga taksapaguesit, opozitat e shoqëritë civile respektive mbi efektivitetin e politikave dhe fondeve në vendet aspirante për në BE, ku doktrina mbizotëruese ka qënë ‘stabilitet mbi demokraci’, por produkti final autokraci, krim e lulëzim i krimit të organizuar.

Madje euobserver.com në shkrimin e fundit jep edhe recetën e menjëhershme për ‘provokimin’ e ndryshimit të sjelljes së demokracive perëndimore ndaj vendeve me liderë autokratikë, kalbur korrupsioni:

‘Nëse një mision vëzhgues i zgjedhjeve të OSBE-së konstaton se një shtet anëtar i BE-së nuk zhvillon zgjedhje demokratike, kjo duhet të trajtohet si një emergjencë e BE-së.’

Ky është rrethimi i madh, që të përmbledh me gjithë hamësit ‘e dardhave e mollëve pas shpine’ dhe tallavanë, që buçet ‘vetëm përpara’. Edhe lobistët dorëzohen një ditë për të zgjedhur klientë më me rendiment.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco