‘Çantat’ me euro tani po rrezikojnë edhe sektorët më jetikë të ekonomisë

‘Çantat’ me euro tani po rrezikojnë edhe sektorët më jetikë të ekonomisë

Nga Ola Xama - 13/05/2023

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë flasin për një vlerë rekord të konvertimit të euros në tregun zyrtar të këmbimit valutor gjatë vitit të shkuar: 7.9 miliard. Vlera është më e lartë nëse matet me periudhën prill 2022 – prill 2023 dhe shkon në 8.7 miliard euro.

Mesatarja historike e këmbimeve të euros në tregun vendas ka qenë në vlerat 5.5 miliard, por pas vitit 2015 kjo sasi nisi të rritej duke shënuar rekord vitin e shkuar në muajin dhjetor me afro 1 miliard euro të këmbyera në 1 muaj.

Autoritetet e shpjegojnë situatën me faktorët fondamentalë të ekonomisë që janë rritur vitin e fundit të përcjellja dhe nga rritja e çmimeve, por sërish kjo rritje nuk është me normën 30% siç ka qenë shtimit i sasive të konvertuara të monedhës europiane. Po edhe sikur të mos e bëjmë krahasimin në këtë formë por të matim treguesit me të cilët banka qendrore shpjegon mbiçmimin e lekut, nuk do të na rezultonin përputhje për një vlerë prej 807 milion euro.

Dërgesat nga emigrantët një vit më parë ishin 824 milion euro, vlera e eksporteve me vendet e BE-së dhe Ballkanit që përdorin euro 3.01 miliard, të ardhurat nga turizmi i shtetasve nga Europa 2.46 miliard dhe investimet e huaja nga këto vende 698 milion euro dhe 141 milion blerja e valutës në treg nga Banka e Shqipërisë.

Sikur e gjithë sasia të ishte konvertuar në treg (edhe pse nuk ndodh sepse një pjesë e prodhuesve valutën që sjellin e përdorin për të blerë lëndë të parë dhe një pjesë e investitorëve sjellin materiale dhe jo para), sërish diferenca 807 milion euro nuk sqarohet nga faktorët fondamentalë formalë. Nuk është pak, por 5.5% e prodhimit kombëtar të vendit.

Nëse rënia e euros do të ndodhte nga faktorë natyralë të rritjes së të ardhurave të bizneseve vendase, humbjet nga zhvlerësimi i saj do të amortizoheshin. Por kjo nuk ka ndodhur dhe i vetmi shpjegim mbeten paratë me “çanta”.

Tashmë ekonomia informale ka nisur të japë goditje të mëdha. Nëse më parë ajo shërbente deri diku si katalizator për të mbajtur në këmbë ekonominë, tashmë po rrezikon sektorët më të rëndësishëm të vendit: eksportuesit, prodhuesit dhe turizmin. Nëse humbjet nga rënia e euros vazhdojnë, shumë biznese rrezikojnë falimentin duke bërë që tregu të mbizotërohet nga mallrat e importit njësoj si në vitet 90’.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco