A do të votojnë socialistët ndryshimin?

A do të votojnë socialistët ndryshimin?

Nga Hysni Gurra - 12/05/2023

Dëgjova Edi Ramën që bëri thirrje nga Elbasani qytetarëve që mos dalin të votojnë. Ç’ju duhet ju të votoni, ju jeni mirë, rrini mos u lodhni kot, mbyllini burrat brenda (u thoshte grave)- tha pak a shumë.

Thirrja e Ramës është marrëzi, por kush e njeh atë e di që edhe në marrëzi ai ka metodë.

Ai e ka matur zemërimin dhe pakënaqësinë popullore ndaj pushtetit të tij absolut, lokal e qendror, ai e di që pjesëmarrja e lartë në votime do të jetë votë kundër tij. Prandaj përpiqet jashtë çdo lloj norme të dekurajojë pjesëmarrjen në zgjedhje.

Megjithëkëtë është në të drejtën e tij të bëjë çdo marrëzi.

Ata që nuk duhet të marrosen janë qytetarët, socialistët të parët, ata pa parti të dytët dhe gjithë qytetarët në përgjithësi.

Socialistët duhet të dalin përtej dogmës- unë jam i majtë, familja ime është e majtë etj.

Kjo është dogmë që në këtë rast nuk u ka shërbyer atyre në këto 10 vite.

A nuk e sheh një socialist i ndershëm se partia e tij është marrë peng?

Ç’lidhje ka Erion Veliaj me partinë e tyre?

Po kryetarë të tjerë të bashkive në rrethe ç’lidhje kanë me PS?

Po 90% e kabinetit Rama, ç’lidhje ka me PS?

Nuk e dallon një socialist se të qenit dogmatik ka bërë që përfituesit e vetëm të votës së tij të jenë një grusht njerëzish që Partinë Socialiste e shohin si lopë për ta mjelur?

Po nëse për një socialist vota ka kuptim ideologjik, traditë familjare e tjerë, a nuk e dallon ai/ajo që Erion Veliaj u ngjit në hierarkinë më të lartë të PS duke sulmuar atë parti. Veliaj vishte gomarin si nuse dhe ia çonte poshtë zyrës kryeministrit socialist dhe një kabineti të mbushur plot me socialistë të vërtetë (vitet 2002-2004 kryesisht)

Po nëse për një socialist vota ka vetëm vlerën e një page mujore të tijën, familjari të tij apo të rrethit shoqëror, a nuk e sheh ai se vota e tij për një anëtar të rilindjes ka vlerën e vilave luksoze në Tiranë e në bregdet, apo vilave alpine? Ka vlerën e makinave qindra mijë euro. Pushimeve super luksoze. Bizhuteri e veshmbathje mijëra euroshe e biznese për një grusht anëtarësh të rilindjes që s’kanë asnjë lidhje qoftë organike, qoftë sentimentale me Partinë Socialiste.

Pse nuk e mendon vetëm kaq socialisti? Po ai pa parti pse rri vëzhgon në letargji?

Socialistët e kanë të thjeshtë, le ta fusin në logjikë dhe t’i bëjnë pyetje të thjeshtë vetes: Si është e mundur që asnjë socialist nuk bën hajër në parti qysh prej 10 vjetësh? Cili socialist është në kabinetin Rama sot?

Ku e kanë Erion Braçen? Çfarë i mungonte Braçes të kishte poste ministrore në kabinetin Rama? A e kanë pyetur veten socialistët- pse Erion Braçe ndenji shumë pak zëvendëskryeministër në qeverinë e dalë nga vota e tyre? Ishte i paaftë, apo si?

Po Shkëlqim Cani, pse nuk e shtyu gjatë ministër në kabinetin Rama? Nuk ishte socialist, apo si?

Po pse nuk pyesin veten socialistët- pse Saimir Tahiri që ishte socialist e jo MJAFT-ist u gjykua me lupë dhe Erion Veliaj jo?

Pse, bëri korrupsion Tahiri më shumë se Veliaj? Nuk e kuptojnë kaq socialistët?

Nuk ka Partia Socialiste djem e vajza që kanë bërë karrierë në strukturat e partisë për të qenë ministra, po u dashka të ketë një post ministror Bora Muzhaqi, Edona Bilali e shumë të tjerë personazhe anonime, të ardhur me katapultë?

A nuk e kuptojnë socialistët se Erion Veliaj po u kërkon votën më 14 maj, jo për të punuar për ta, për qytetin e Tiranës, por po u kërkon votën që pas 14 majit të shqyejë Partinë Socialiste në përpjekje për t’ia marrë atë Edi Ramës?

Në 14 maj socialistët duhet të votojnë për dinjitetin e tyre, për të shpëtuar partinë e tyre nga një bandë uzurpatorësh që ka 10 vite vjedhin e plaçkisin duke përfituar nga vota e tyre.

Po edhe ata pa parti duhet të mos rrinë indiferentë. Nuk zgjidhet çështja duke ndenjur në shtëpi, duke qëndruar pasiv. Zgjidhet me pjesëmarrje, me qytetari dhe veprim.

Shqetësimi më i madh i sektit (rilindjes) që ka uzurpuar Partinë Socialiste ky është. Në këto zgjedhje ata po e ndiejnë lepurin gjallë në bark që socialistët i kanë lëshuar dhe ndaj po dhunojnë, po i trajtojnë si skllevër për t’u marrë votën me dhunë.

A do dorëzohen socialistët? Kjo mbetet për t’u parë të dielën, por me gjasë ata e kanë vrarë frikën, ndaj edhe hienat e rilindjes janë agresuar kaq shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco