Gjirokastra t'i lërë bedelët e Ramës, të zgjedhë birin e vet, Dorjanin!

Gjirokastra t'i lërë bedelët e Ramës, të zgjedhë birin e vet, Dorjanin!

Nga Ndriçim Kulla - 06/05/2023

"Pikërisht në këtë situatë fatale, kur të gjithë po ikin nga sytë këmbët nga ky qytet, biri i tij Dorjan Lani po u paraqet bashkëqytetarëve të vet një projekt shprese, plot vizion, transparencë financiare dhe parësisht, llogari-dhënie kapilare, nëpërmjet një qeverisje të hapur me qytetarët, biznesin dhe të rinjtë."

Personalisht jam një adhurues i pafund i qytetit madhështor të Gjirokastrës, të cilin më mirë se kushdo e ka prezantuar botërisht shkrimtari i ynë i madh Ismail Kadare.

Në mënyrë modeste, duke qenë se jam përfshirë edhe emocionalisht për ruajtjen e vlerave unikale të këtij qyteti , kam propozuar dikur publikisht një projekt, për dixhitalizimin tredimensional, mbi mundësinë e ruajtjes së orgjinalitetit të ndërtesave, që sot mund të shembën nga pakujdesia ose edhe pamundësia për t’i restauruar në kohë dhe ndoshta për t’i rindërtuar në të ardhmen. Por, kur vëmendja p֝ërqëndrohet marrëzisht tek kullat dhe tek “idetë madhështore” të kryeministrit këto shqetësime dhe ide avullojnë.

Për gjithë shqiptar֝t, por sidomos jugorët qyteti i gurtë përbën një nga bastionet më të forta, në formë dhe përmbajtje, të shpalosjes gjithnjë të ajkës së kulturës, dijes dhe administrimit shoqëror të gjithë identitetit shqiptar. Ndaj si intelektual dhe si një adhurues i kahershëm i botës gjirokastrite nuk mund të rrija indiferent e të mos thosha një mendim për garën e kryebashkiakut të këtij qyteti.

Aq më tepër që lidhja ime me Gjirokastrën ka qenë shumë e veçantë nëpër të gjitha dimensionet si personalitet i letrave, botues dhe krijues. Falë admirimit dhe dëshirës historike për t’ia bërë të njohur gjithë botës vlerat e bukurisë dhe arkitekturës së qytetit, kam ideuar, realizuar dhe botuar një album të posaçëm kushtuar këtij qyteti. Po njëlloj, për birin e saj më të shquar, shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave kam shkruar një libër studimor që më ka marrë një pjesë shumë të madhe të kohës krijuese. Në këtë kuptim, do të doja që edhe Gjirokastrën ta kundroja si një bastion të zhvillimit të turizmit dhe kulturës, si dy pjesë përbërëse të vetë strukturës së qenies historike dhe shoqërore natyrale të këtij qyteti.

Mirëpo ka shumë vjet që qyteti mendjeve të ndritura, edhe në këto drejtime parësore, ka rënë peng i mendjes boshe dhe marrëzisë së Edi Ramës dhe drejtuesve të përzgjedhur prej tij. Pse vallë ka arritur në një pohim të tillë?

Dikur bashkia demokrate nën drejtimin e Ylli Asllanit pati vizionin të kryente dy akte madhorë! Ajo i riktheu Gjirokastrës përfundimisht me gjithë madhështinë Festivalin Folklorik Kombëtar dhe ia doli ta rendiste qytetin në UNESCO duke i dhënë Gjirokastrës dy karta të forta në thithjen e turistëve, dashamirësve dhe donatorëve.

Nga ana tjetër në kohën e tij Berisha nënshkroi në vitin 2009 restaurimin e Pazarit historik me Fondin Shqiptaro-Amerikan! Por panorama e zhvillimit dhe hedhjes së themeleve të tij strukturore, mund të konsiderohet e përmbushur edhe me një nga arritjet më të mëdha të rivlerësimit të trashëgimisë sonë monumentale, rindërtimit nga themelet të shtëpisë së Kadaresë ( një objekt ikonë dhe simboli më i kërkuar nga turistët).

Në këtë vazhdë, ky monument nuk u la i veçuar, por pasua edhe me restaurimin e mbi 30 banesave të tjera karakteristike. Më tej, për të mos i lënë gjërat në mes e të veçuara nga njëra tjetra, u mendua që i gjithë ky taban i fortë kulturoro-arkitektonik të plotësohej edhe me një impiant solid infrastrukturor.

U ndërtua kështu rrjeti i ujit të pijshëm me zanafillën te marrëveshja e vitit 2013 me KFË gjermane. Janë të gjitha këto nisma themelore ato që ndërtuan rrugën e drejtë dhe shtruan planin e rimëkëmbjes në vitet e ardhshme të turizmit në hotelerinë familjare në të gjithë qytetin e rrethinat e tij piktoreske.

Po si iu përgjigj perspektiva e qeverisë Rama këtij vizioni të mirëndërtuar demokrat?

Le të bëjmë një skicim të shpejtë të gjendjes, të pranuar nga të gjitha forcat politike: mjerimi ekonomik, shpopullimi masiv, boshatisja masive e qytetit dhe krahinave të mrekullueshme po e çojnë kryeqendrën e Jugut të Shqipërisë drejt rrënimit!

Falimentimi i biznesit, i fermave, papunësia, abuzimet dhe mbyllja me dhunë e institucioneve të drejtësisë, arkivave, degradimi i shëndetësisë, universitetit dhe shumë mekanizmave të tjerë publike po e shndërrojnë këtë truall të lavdishëm në tokë të djegur, duke i hequr qytetit shërbimet bazë dhe përmbajtjen administrative. Nga ana tjetër, nuk mund të nihilizojmë gjithçka nga përpjekja socialiste në gjallërimin e turizmit, mirëpo në dhjetë vite ata u morën vetëm me makiazhe, pra me dukjen e jashtme të tij, jo me përmbajtjen.

E vërtetë që ndërtuan edhe një bypass në përroin pas kalasë, vetëm se ky variant doli të qe në kundërshtim me UNESCO-n dhe në një terren që mbart rrezik rrëshqitje në çdo moment shirash ku një përgjegjësi të pashfaqësuar dot e mban bashkia me kryetar aktual z.Flamur Golemi i cili nuk mbrojti interesat e banorëve, por të pushtetit.

Mos harrojmë gjithashtu se gjirokastritëve iu desh një luftë e madhe për të ndalur dorën e Ramës e Kumbaros me variantin e parë të bypassit që, ashtu siç ishte ideuar dhe projektuar mund të arrinte të rrëzonte themelet e kalasë, nëse nuk do të kundërshtohej fortësisht nga banorët! Dhe në një garë të tillë për qytetin llogaridhënia është e rëndësishme, rrjedhimisht edhe fatura e dështimit duhet të jetë e lartë.

Edhe nga pikëpamja dekorative ka shumë për të thënë. P.sh. parkingu në sheshin e Çerçizit ka probleme me formën si magje brumi dhe murin mbajtës që pengon soditjen e qytetit, apo qoftë edhe me ashensorin që del si oxhak në mes të sheshit, pa kurrfarë shije estetike.

Të gjitha këto tregojnë jo vetëm për papërgjegjshmëri dhe mungesë vizioni, por hedhin poshtë edhe tezën e suksesit të trumbetuar aq shumë nga ana e Ramës që qeveria dhe bashkia duhet të jenë në të njëjtën rezonancë.

Pikërisht në këtë situatë fatale, kur të gjithë po ikin nga sytë këmbët nga ky qytet, biri i tij Dorjan Lani po u paraqet bashkëqytetarëve të vet një projekt shprese, plot vizion, transparencë financiare dhe parësisht, llogari-dhënie kapilare, nëpërmjet një qeverisje të hapur me qytetarët, biznesin dhe të rinjtë.

Si njëri nga përfaqësuesit më të denjë të gjeneratës së re gjirokastrite, ekonomist e bankier i suksesshëm, njëherësh dhe intelektual plot kurajo, cilësi morale dhe kapacitet profesionale për të udhëhequr komunitetin në udhëtimin e vështirë të rimëkëmbjes dhe progresit, ja se si iu është paraqitur ai përgjatë kësaj fushatë, sivllazërve të vet:

“Unë jam njëri prej jush, dhe kam dëshirën e sinqertë të vendos aftësitë, përkushtimin dhe vullnetin tim në themel të ringritjes së qytetit dhe fshatrave përreth tij. Besoj tek familja, zoti, atdheu, demokracia, vlerat e gjirokastritëve dhe iniciativa e tyre e lirë. Besoj tek ndryshimi dhe brezi i ri”.

Janë pikërisht këto shtylla të çdo politike të djathtë progresiste, tradicionale dhe njëherësh moderne, ato që kanë bërë që projekti tij të fitojë çdo ditë e më shumë zemrat dhe mendjet e bashkëqytetarëve.

Në fakt përtej eksperiencës së suksesshme si bankier, platforma e tij është sintezë e mendimit më të kualifikuar të të gjithë aktorëve më përfaqësues intelektualë të zonës, ndaj ky gërshetim i parimeve të tij në teori dhe praktikë, i jep garanci dhe është e kalkuluar deri në detaje.

Në themel të propozimit të tij qëndron rikthimi i Gjirokastrës si kryeqendër e zhvillimit të Jugut, e dashur për të gjithë banorët dhe dashamirësit e saj nga e gjithë bota. Për të arritur këtë, prioritetet e tij janë shumë të qarta, përtej skematizmit dhe shumë pranë shqetësimeve parësore të qytetit.

Në radhë të parë, një prioritet strukturor, për të përgatitur Gjirokastrën e të ardhmes, si qytet të vlerave dixhitale në çdo shërbim.

Në radhë të dytë, për ta shndërruar Gjirokastrën përtej qendrës rajonale të UNESCO-s edhe në vatër të gjallë të kulturës, folklorit, festivaleve dhe sporteve!

Në radhë të tretë, duke hedhur bazat e një Gjirokastre të gjelbër, ekologjike dhe miqësore me mjedisin, një qendër të prodhimeve bio dhe energjisë diellore.

Për t’a mbështetur vizionin e zhvillimit të saj turistik, përveç aftësive akomoduese të turizmit, do të duhet të mendohet e realizohet edhe një aeroport, që do të arrinte t’i shërbente të gjithë zonave të jugut që konvergojnë në aksin lidhës të Gjirokastrës me detin. Ndërsa, nga pikëpamja financiare, qyteti do të duhej të shpallej zonë e lirë ekonomike midis dy shteteve, e lehtësuar nga taksat dhe e subvencionuar nga EU.

Janë të gjitha këto arsye themelore në ringjalljen e shpresës tek e ardhmja që duhet të bindin shumicën e qytetarëve gjirokastritë të lënë mënjanë bedelët e Ramës dhe të zgjedhin birin e tyre të pastër, të përkushtuar dhe profesionist, Dorjan Lanin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco