Rita, ora që e kurdis Veliaj

Rita, ora që e kurdis Veliaj

Nga Agim Xhafka - 02/05/2023

Bash në kulmin e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, këngëtarja e famshme Rita Ora i bën Erion Veliajt, kandidatit lejla, një përshëndetje publike. Dhe jo urim për shëndet a për familjen, por reklamë për zgjedhjen e tij, ndikim te fansat e saj që votën t’ia japin këtij njeriu se ai i pëlqeka sfidat dhe sipas Ritës kemi nevojë për energjinë e tij.

Shkurt, kjo vajzë që quhet Rita, që famën e ka nga talenti i vet, që është artiste me emër të madh, kurdiset nga Erion Veliaj tamam si sahati i gjyshit tim. E ndërsa në TV jepej me titra ky urim -reklamë, poshtë pallatit dëgjoja: “Hajde erdhi boti me ujë Selite!”. Përballë po na ngrihet një kullë që ma rrëmbeu atë pak diell që më përshëndeste dhe te lokali i Nebiut vazhdon tallavaja deri në sabah.

Rita jeton në Londër. S’e ka fjalën, i duhet energjia e Lalit për Anglinë. E ka që të them ca fjalë t’i bëj qokën Veliajt se do më duhet. Pa do bëj ndonjë koncert, pa do më duhen ca favore, pa mbase do bëhem investitore strategjikë në një copë bregdet, pa ky djalë do ma shpërblejë mbështetjen, etj, etj.

Dhe si Rita, ky Lali këto ditë ka kurdisur plot këngëtare e artistë. Të gjithë nuk shohin kullat, trafikun tmerr, parkimin beter, ajrin që po na çon në ferr. Por thurin lavde krundesh.

Si atë mot, kur popullin e pushtoi uria e Enveri, si Lali sot, ia gjeti anën të sajojë një çmim nga Meksika sikur ishim banorët më të ushqyer të globit.

O ju vajza artiste, që ju dua shumë e do na duheni edhe për nesër, votoni moj për cilin të doni. Jeni të lira, fare të lira. Por kurdisuni sipas bindjes suaj. Dhe një këshillë të sinqertë; gjeni fjalë të matura kur shpreheni. Që nesër mos skuqeni, mos t’u vijë turp nga vetja e në skena të dilni krenare...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco