Një qytet njerëzor, të pastër, miqësor për qytetarët!

Një qytet njerëzor, të pastër, miqësor për qytetarët!

Nga Bujar Leskaj - 30/04/2023

Për të drejtuar një qytet dhe për ta ndryshuar, duhet ta duash atë.

Të mençurit na mësojnë: Duajeni qytetin tuaj dhe ëndërroni ta bëni atë më të mirë, dhe kthejeni këtë ëndërr në një plan, program dhe veprim. Kryebashkiakët që lanë një gjurmë të fortë si në fushën politike ashtu edhe në qytetin që qeverisnin, e patën këtë ëndërr, kishin një vizion për qytetin e tyre dhe në një masë të madhe e realizuan.

Një shembull tipik për Vlorën është Ali Asllani, shtetari dhe poeti i shquar vlonjat.

Besoj që Hysni Sharra do të ecë në gjurmët e tij.

Ashtu siç ëndërron për një qytet të bukur, të gjelbër, të qëndrueshëm, edhe ta realizojë duke u mbështetur tek njerëzit, të cilët do të mposhtin paragjykimet shekullore, duke parë që qyteti të ndryshojë për mirë. Të frymëzojë qytetarët dhe t’i nxjerrë nga identiteti i tyre partiak, kur ky identitet pengon ndryshimin, zhvillimin.

Kryebashkiaku i ardhshëm i Vlorës, z. Hysni Sharrapo përballet në këto zgjedhje me një qytet të lodhur nga tranzicioni. Në qytet të lodhur nga narrativat rilindo-socialiste, të cilat nuk e respektuan kurrë Vlorën, qytetin dhe historinë e saj dhe që mendojnë se, duke vazhduar në mënyrë pak më të rafinuar praktikën e shtetit të pasdiktaturës, mund të frymëzonin me batuta e sllogane përpara- prapa, si në zona të caktuara të prapambetura të Shqipërisë së Mesme.

Vlonjatet, të ngopur me “kiçin”, “trash-in” e një nacionalizmi ahistorik apo të një internacionalizmi absolutisht të dëmshëm, të lodhur  nga mungesa e vizionit, ishin të etur për më shumë kulturë, cilësi jete, narrativa dhe perspektiva alternative për qytetin.

Vlora nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga emisarë të Tiranës, nuk mund të vazhdojë më të qeveriset nga ata që janë të emëruar nga Tirana apo shërbëtorë të bindur të Liderit Global, nuk mund të vazhdojë të drejtohet nga ata që duan më shumë partinë se Shqipërinë, nga ata që duan më tepër pasurimin se sa të qenit shërbestar të qytetarëve.

Ne jemi në mes të një krize të jashtëzakonshme, në një varfëri totale ekonomike, sociale e morale. Agonia e varfërisë është ulur këmbëkryq.

Z. Hysni Sharra pati guximin të thotë mendimin e tij, duke u përpjekur të projektojë të ardhmen. Ekonomisti Hysni Sharra ëndërron dhe ka projektuar një qytet tjetër. Jo fobik, i mbyllur, i mjerë dhe regresiv, siç e shtynë dhe e kufizuan të gjithë kryetarët e mëparshëm të bashkive, apo hierarkët e Rilindjes që është e kompromentuar, degjeneruar keqazi dhe tashmë pengon zhvillimin. Hysniu ëndërron dhe ka projektuar një qytet të hapur, demokratik, tolerant. Një qytet që luan një rol të rëndësishëm në Shqipëri, pse jo edhe në rajon!

Në programin e tij kryetari i ardhshëm i bashkisë, Hysni Sharra ëndërron e projekton për të zbatuar një qytet krejt tjetër, i cili nuk do t’u nënshtrohet tekave të “Liderit Global”, që e urren Vlorën, që e ndryshon, retushon apo shpërfytyron Historinë e traditën sipas tekave dhe oreksit të mëngjesit anti Vlorë, një qytet pa identitet, një qytet ku Sheshi i Flamurit është zhdukur, deti dhe Skela nuk duken më dhe sheshi përpara bashkisë është betonizuar, infrastruktura është e shkatërruar.

Qytetari fisnik i Vlorës, Hysni Sharra dhe ne ëndërrojmë një “Qytet njerëzor, të pastër, miqësor për qytetarët” në çdo kuptim të fjalës.

Një qytet që respekton traditën e historinë; një qytet të bukur, të pastër, me ujë të pijshëm, mungesën e të cilit edhe pa 32 vitesh demokraci dhe 26 vite drejtimi socialist të bashkisë Vlora vazhdon ta vuajë; një qytet pa ndotje, lider të turizmit. Një qytet për të gjithë qytetarët e në duar të qytetarëve, ku ai vetë, kryebashkiaku do të jetë njëherazi edhe Qytetari i parë edhe shërbestari i përkushtuar i qytetit...

Qyteti, që ne ëndërrojmë kishte shumë propozime dhe ide, një program për qytetin, i cili plotësoi dhe pasuroi planin e ekonomistit Hysni Sharra.

z. Hysni Sharra gjithmonë ka qenë i gatshëm të dëgjojë dhe zbatojë shumë propozime nga qytetarët dhe ekspertët.

Dhe në programin e tij gjithëpërfshirës, të mirëmenduar e të mirëprezantuar z. Hysni Sharra angazhohet që Vlorën ta shikojë ndryshe e gjatë mandatit të tij ta transformojë.

Dhe angazhimet e tij janë:

Rikthimi i institucionit të bashkisë te qytetarët.

Rikthimi i identitetit historik e kulturor të Vlorës.

Rinia dhe investimi real te ky brez.

Turizmi dhe mjedisi.

Planifikimi urban dhe infrastruktura.

Shërbimet, arsimi.

Biznesi, taksat dhe tarifat vendore.

Bujqësia, pyjet, kullotat dhe zhvillimi rural.

Mbrojtja e kujdesi social për shtresat vulnerabël.

Z. Sharra sot po kandidon në njëperiudhë shumë të vështirë. Me kundërshtarë jo vetëm një sistem të kalbur politik, grabitës e kundër vlonjatëve, por edhe një shoqëri të rraskapitur nga varfëria dhe pasojat afatgjata të krizës ekonomike, një shoqëri që sheh, por ndonjëherë duke mos vlerësuar si duhet as shkaqet dhe as vështirësitë e rimëkëmbjes ekonomike, një shoqëri që po mbyllet dalngadalë në vetvete, një shoqëri të lodhur, që po përzgjedh ikjen dhe largimin, sepse shpresa mungon dhe perspektiva është e zymtë; një shoqëri, që zgjedh shpesh herë “sigurinë e pagës”, “bukën e momentit” apo “premtimin e radhës”edhe në kurriz të demokracisë, një shoqëri, që edhe kur guxon e trysnojnë ose ia tjetërsojnë votën.

Është një kohë e vështirë, por indiferenca, pasiviteti nuk lejohet. Forcat  e gjalla të qytetit duhet të mblidhen rreth z. Hysni Sharra, të mos lejojnë që qyteti të bjerë përsëri në errësirë, intolerancë, apati, që çon në mënyrë të pashmangshme në rënien e qytetit. Ne e duam qytetin tonë, e duam historinë e tij, duam një qytet të ndritshëm, të bukur, demokratik dhe respektues ndaj traditës historike dhe mjedisit, me shqetësim për problemet e përditshme të banorëve. Le të bëjmë këtë plan, vizion për të ardhmen e qytetit. Le ta realizojmë në zhvillim.

Një qytet njerëzor, të pastër, miqësor për qytetarët!

Çdo qytetari i themi të marrë Vlorën në duart e tij, sepse: Bashkë Fitojmë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco