Njeri i pacipë që sillet rrotull nëpër sheshe

Njeri i pacipë që sillet rrotull nëpër sheshe

Nga Hysni Gurra - 27/04/2023

Përkufizimi i parë i njeriut të pacipë është: ai që flet fjalë e që bën punëra të turpshme në një mënyrë të tepruar. Një njeri i tillë është gati të bëjë be or'e çast; nuk e çan kryet kur flasin keq për të, as kur e shajnë; është i dobët nga karakteri dhe aq i paturp, sa mund të bëjë çdo gjë.

Kështu për shembull s'e ka për gjë t'ia marrë Kordakut (valle pijanecësh në antikitet), pa qenë i dehur e të hyjë me kor komikësh pa maskë; të vijë rreth e rrotull nëpër sheshe e të mbledhë hokatarë si vetja nga njerëzit që hynë në ato mexhlise, grindet me ata që kanë ndonjë mangësi, qoftë edhe fizike. Është i zoti të hapë hotel, të mbajë shtëpi publike, të marrë përsipër çdo punë, qoftë ato më të turpshmet, të bëhet kasnec, gjellëbërës, të lozë me zare.

I fton dhe i mbledh turmat, vihet në mes të tyre, u flet me zë të lartë e të ngjirur e më në fund i shan, s’e ka për gjë të vetëquhet e t’i quajë gomarë; disa nga ata që ndodhen aty afrohen më shumë e gajasen, kurse një pjesë tjetër shkon pa e dëgjuar fare; kështu pra, ca dëgjojnë vetëm fillimin e ligjëratës, disa vetëm pak fjalë e një palë tjetër dëgjon vetëm një pjesë të vogël.

Këtij njeriu i është mbushur mendja se vetëm nëpër mexhlise të tilla mund ta tregojë paturpësinë e tij.

Sillet nëpër gjykatore e herë ai i ngreh në gjyq të tjerët, herë paditet ai vetë prej të tjerëve; në disa gjyqe nuk shfaqet fare, duke e vërtetuar këtë mungesë edhe me be kurse në disa të tjerë çon njerëzit e tij me kutinë e shkresave në gji e me një tok letrash në dorë; s'e ka për gjë të mbledhë rreth tij njerëz të hurit e të litarit, të bëhet kryetar i tyre dhe aty për aty t'u japë hua me një fajde atipike, nënshtrimin.

Vetëm një muaj në çdo katër vjet e shfaq pacipërinë e tij, ku sulet nëpër gjellëtoret, nëpër vendet ku shitet dinjiteti dhe i hedh të hollat që mbledh nga fajdeja katërvjeçare.

Njerëz të këtillë nuk durohen dot, se mbë nj’anë shajnë gjithë botën me gojën e tyre të lëshuar e më anën tjetër thërresin aq shumë sa buçet sheshi i tërë dhe tellallët (ekranet) e tij.

E keni të vështirë t’i vendosni emrin të pacipit (?)

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco