‘Kinezëritë’ e fushatës së Edi Ramës me fondet e buxhetit të shtetit

‘Kinezëritë’ e fushatës së Edi Ramës me fondet e buxhetit të shtetit

Nga Ola Xama - 26/04/2023

Në fushatën e zgjedhjeve lokale po shihet gjithnjë e më shumë se si fondet publike po përdoren për të ndikuar mbi votën e qytetarëve në favor të kandidatëve të partisë që është në pushtet. Në të gjitha projektet që prezantohen, si ato në infrastrukturë, edhe ato që shkojnë në ndihmë të shtresave në nevojë është futur në lojë fuqishëm buxheti i shtetit.

Bashkia e Tiranës ka hapur disa tendera si zona e lirë ekonomike TEDA, tregu agro-ushqimor në Farkë, sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve të qytetit, të cilat po promovohen në masë gjatë fushatës së kandidatit socialist Veliaj. Këto projekte kushtojnë 80 milion euro dhe janë sa 90% e investimeve publike të një viti të plotë kalendarik të bashkisë. Shumica e procedurave të prokurimit u hapën në fund të vitit të shkuar dhe buxheti u planifikua në fund të dhjetorit në mënyrë që t'i shpëtohej ndalimeve të Kodit Zgjedhor.

Bashkia e Tiranës po promovon projekte si Piramida, Sheshi Skëndërbej, Stadiumi Air Albania, Teatri Kombëtar dhe rindërtimi nga tërmeti. Këto investime janë të gjitha ose me fonde të huaja, ose PPP dhe pjesa më e madhe me financimin e buxhetit qëndror. Pikët po i merr bashkia. Paratë që buxheti ka derdhur për bashkinë e Tiranës për vitet 2019-2022 arrijnë në 260 milion euro.

Edhe në Durrës e njëjta gjë. Do bëhet projekti për Portin e Durrësit, i cili zgjidhet ose jo znj. Sako, nuk e ndryshon rrjedhën sepse bashkia nuk ka gjë në dorë gjë. U promovua Eco Park që u bë me paratë e buxhetit, tregohet rindërtimi që u bë me paratë e buxhetit, ndërsa janë hapur deri tani 6 milion euro tendera për asfalt.

Në Elbasan, kandidati socialist tregon në një mbledhje me qytetarët se si ulën taksat këtë vit, si do të rriten pagat për administratën, si do të ndërtohet By Pass-i që është aks kombëtar dhe nuk hyn bashkia, ndërsa bën thirrje që t’i japin votën atij dhe t’i thonë "Po" Auto Moto Parkut, kur projekti po bëhet nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pra ka marrë fund si punë.

Fushata e kryeministrit dhe ministrave të tij në të gjithë vendin po përdor gjithnjë e më shumë si pikë politike rritjen e pagave dhe dhënien e 50 mijë lekëshit pensionistëve tani përpara zgjedhjeve. Një tjetër shpërblim 50 mijë lekë u njoftua nga Zv/Kryeministrja se do të jepet në shtator, kur ligji e ka që kësti i dytë i taksës së jashtëzakonshme të prodhuesve të energjisë mblidhet në 30 nëntor.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2020 u bënë me konsensus të plotë nga të gjitha partitë politike  dhe u duk sikur kishin vullnetin që t’i jepnin fund këtij fenomeni 30 vjeçar të përdorimit të fondeve publike në fushatë. Por këto parime që u dakordësuan jo vetëm që nuk po respektohen, por u quajtën nga kryeministri si “kinezëri”. Unë mendoj se në këtë pikë kryeministri ka të drejtë.

Në filozofinë kineze të Ying dhe Yang, një nga mendimtarët më të shquar, Zou Yan, që ishte dhe themeluesi i kësaj shkolle, besonte se e mira dhe e keqja nuk janë dy forca që kundërshtojnë njëra-tjetrën, por që bashkëveprojnë. Bashkëveprimi dhe përplasja e tyre krijon energji, nga e cila lind lëvizja dhe zanafilla e njerëzimit. Në thelbin e këtij mendimi, e mira nuk është më e madhe se e keqja dhe anasjelltas, por kanë fuqi të barabartë e cila mban botën në harmoni. Sa më shumë rritet e mira, aq më shumë dhe e keqja. Sa më shumë vendosen rregulla për të luftuar të keqen, aq më shumë shtohen dhe teknikat për t’i shpëtuar rregullave.

Ndaj dhe në Shqipëri për sa kohë paraja do të shihet si formë energjie dhe pushteti, te filozofia kineze do shkojmë. Do forcojmë rregullat, dhe do sofistikojmë manovrat për t’iu shpëtuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco