Koha e Edi Ramës ka mbaruar!

Koha e Edi Ramës ka mbaruar!

Nga Erion Dasho - 23/04/2023

Në këto zgjedhje, shqiptarët duhet të japin një mesazh të qartë. Koha e Edi Ramës dhe Rilindjes ka mbaruar!

Gjëja më e parëndësishme është se kush vjen në pushtet pas tyre. Kushdo që të vijë do të jetë më i mirë se ata.

Argumentet:

- Në demokraci nuk ka pushtet të përjetshëm. Demokracitë më të konsoliduara funksionojnë me cikle. Ardern në Zelandën e Re para tre vitesh fitoi në mënyrë plebishitare; këtë vit u dorëhoq. Kjo është demokracia.

- Pushteti të konsumon. Amerikanët kanë përcaktuar dy mandate për presidentin e tyre. Mjafton për të realizuar vizionin qeverisës, përmbushur premtimet, etj. Nëse një lider nuk arrin dot për 8 vjet të zbatojë vizionin e vet për vendin, bashkinë, komunën, etj., nuk ka gjasa ta bëjë as edhe për 8 vjet të tjerë apo më shumë.

- Nuk mund të jesh inovativ për gjithë jetën. Nga një lider, aq më tepër në kohën tonë, priten plane strategjike, projekte zhvillimore, ide transformuese, etj. Përvoja mbarëbotërore ka treguar se inovacioni përfundon në mandatin e parë dhe konsolidohet në të dytin. Më tej vazhdon inercia.

- Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Në Francë humbi zgjedhjet De Gaulle, në Britani Churchill dhe këta burra shteti fituan luftën më të madhe në historinë e njerëzimit. Në Izrael humbi Ben Gurion që ishte babai i shtetit. Nëse këto kombe të mëdhenj zëvendësuan heronjtë, çdokush tjetër mund të zëvendësohet.

Nuk duhet harruar se burrat e sipërpërmendur të shtetit nuk hynin tek të korruptuarit dhe hajdutët.

Në anën tonë të dheut, konsumimit për shkak të kohës së gjatë në pushtet i shtohen aferat si djegësit, koncesionet, favorizimet e oligarkisë, aleancat e hapur me krimin dhe trafiqet, prokurimet abuzive dhe tenderat me një ofertues, blerja e medias, blerja e votës, nënshtrimi i shoqërisë civile, fushatat e trushplarjes dhe intimidimit, etj.

Për të mos përmendur dështimet flagrante të qeverisjes, siç janë mbetja e sektorëve të tërë të ekonomisë pa punëtorë (përfshi turizmin, ndërtimin dhe bujqësinë, tre sektorët tanë strategjikë), vjedhja e identitetit dhe të gjithë të dhënave të shqiptarëve të cilat nuk dihet se në sa ankande janë shitur në dark ëeb, të pastrehët e tërmetit që ende flenë në çadra, dhjetëra mijëra vdekjet gjatë pandemisë dhe, ajo që i vë kapakun të gjithave, shpopullimi masiv dhe ikja pa kthim e shqiptarëve.

Për të gjithë këto arsye, shqiptarët duhet të kuptojnë se cikli politik i Edi Ramës ka mbaruar. Në 14 maj ai duhet të marrë "kartonin e verdhë" dhe në zgjedhjet e 2025-ës duhet të largohet përfundimisht nga skena politike se bashku me ansamblin e vet të Rilindjes.

Përndryshe asgjë e mirë nuk i pret shqiptarët...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco