1.4 miliardë Euro paga bashkiake

1.4 miliardë Euro paga bashkiake

Nga Akil Kraja - 18/04/2023

Nga viti 2016 e deri në fund të vitit buxhetor 2023, kostot totale të bashkive të vendit për shpenzime personeli pritet të kapin një vlerë prej 1.4 miliardë euro. Nëse ngushtojmë periudhën nën analizë vetëm në periudhën 2019-2023, kohë e cila nënkupton që të gjitha baskitë, përpos një, ishin nën drejtimin e Partisë Socialiste, kostot e personelit të bashkive në katërvjeçarin e fundit mund të shkojnë në 780 milion euro.

Në vitin 2015, shpenzimet e personelit për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të vendit kapnin vlerën e 78 milion eurove në vit. Duke filluar viti 2016, pati një rritje të njëpasnjëshme të këtij zëri buxhetor. Dhe sipas raportimit zyrtar, shpenzimet e personelit për vitin 2021 kapën vlerën prej 203 milion euro në vit. Një rritje prej 2.6 herësh. Përderisa pagat e administratës publike nuk janë rritur me po kaq herë, justifikimi i vetëm është që numri i punonjësve bashkiakë gjatë tetëvjeçarit të fundit të jetë rritur proporcionalisht me këtë shifër.

Reforma territoriale presupozohej të ulte kostot e drejtimit të bashkive në vend, duke ofruar në paralel një shërbim më cilësor. Shifrat më lart tregojnë që efikasiteti financiar i bashkive nuk rezulton të jetë rritur detyrimisht. Kështu si shembull, në vitin 2015 pagat krahasimisht përfaqësonin 66% të shpenzimeve kapitale, çka do të thotë që 6 lek shkonin për paga, 10 shkonin për investime. Në vitin 2021, ky raport tejkalohet duke shkuar në 103%. Teksa 10.3 lek shkojnë për paga, 10 shkojnë për investime, pra kostot e personelit janë në vlerë absolute më të larta se ato për investimet.

Por jo vetëm e shtrenjtë, reforma territoriale rezulton dhe një dështim në nivel të shërbimit. Ri-shtetëzimi i Ujësjellës Kanalizimeve duke ia hequr ato bashkive të vogla nën një agregim/bashkim rajonal, dhe i kaluar nën pronësinë e pushtetit qendror, respektivisht me 51% nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, tregon që bashkitë e vendit nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbimin e kërkuar. Dhe në fakt, në Tiranë, 6 litra në 10 litra ujë të prodhuar humbin në rrjet dhe pse çmimi i ujit është rritur me 40%. Belinda Balluku rezulton një menaxhere me e mirë se Erion Veliaj?

Është uji, por janë dhe plehrat. Menaxhimi i mbetjeve është shërbimi i dytë kryesor që ofrohet nga pushteti vendor në Shqipëri. Si pjesë e riformimit të sistemit, tarifa e pastrimit u rrit anembanë vendit në shumicën e bashkive në vend prej vitit 2015. Por pavarësisht kësaj rritjeje të tarifës, dhe pavarësisht faktit se 1.4 miliardë euro i alokoheshin pagave për stafet bashkiake, menaxhimi i mbetjeve në qarqet kryesore në vend, Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës e Vlorë iu kaluan kompanisë së Klodian Zotos dhe inceneratorëve të tij jo-funksional ose fantazmë siç është rasti i Tiranës. A po marrim vallë një shërbim më cilësor teksa vjedhja me inceneratorët i kushton qytetarëve shqiptarë sërish disa qindra miliona euro të tjerë?

Në përmbyllje, më 14 maj, qytetarët nga mbarë vendit duhet të kuptojnë që vota e tyre nuk kushton 50 euro, dhe as sa premtimi i një rroge mujore në bashki. Buxhetet bashkiake janë miliarda euro të cilat nuk shkojnë për ngrohjen e shkollave dhe çerdheve të fëmijëve dhe nipave tuaj. Janë paratë tuaja që nuk shkojnë për të sistemuar rrjetin e ujërave të pijshëm, vaditjen e kullimin. Janë buxhete që nuk shkojnë për rrugë me standarde, por për asfalt elektoral që gropat u ridalin në krye të pak muajve. Shqiptarët, familjarët, miqtë e të njohurit tuaj që kanë zgjedhur emigrimin në këto vite nuk kanë ikur nga vendi se ‘andej’ jetohet më mirë. Në fakt ata kanë ikur sepse këtu taksat e tyre vidhen. Më 14 maj, vota juaj, vlen miliarda euro. Mendojeni mirë si e jepni atë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco