Në Romë, një kambanë edhe për ne

Në Romë, një kambanë edhe për ne

Nga Mehmet Elezi - 06/04/2023

Njoftohet se partia e kryeministres Meloni propozon një ligj që mbron gjuhën dhe identitetin italian. Projektligji kërkon: ndal fjalëve të huaja në komunikimet zyrtare. Përndryshe gjobë, 5.000 deri 100.000 euro!

Sigurisht gjobat s’janë rruga e duhur, Italia do të gjejë mënyra të tjera të përshtatshme. Por kumti nga projektligji është kambanë.

Sidomos për gjuhët e kulturat “e vogla”.

Sidomos për ne shqiptarët.

Italishtja është gjuhë e madhe e një kombi të madh, të zhvilluar. I ka dhënë njerëzimit kryevepra planetare.  Italishtja mund të gërvishtet, por pa rrezik ekzistencial. Megjithatë shteti është në këmbë.

Po gjuha jonë e bukur, e lashtë, unike?

Më e rrezikuar se kurrë në historinë moderne.

Nga globalizmi (i pashmangshëm).

Nga integrimet europiane (të domosdoshme).

Nga snobizmat e mjera shqiptare.

Nga injorantët e diplomuar, që kujtojnë se me përdorë pesë fjalë anglisht, që i dinë edhe lypësit e rrugëve, dëshmojnë kulturë.

Këta të fundit janë njerëz të shtetit. Politikanë, punonjës të medias. Ata që duhet ta mbrojnë të parët shqipen, bash ata e shkelin me këmbë.

E tregtojnë si mall “second hand!”.

Për dy lekë, si fustanet e të vdekurve te Gabi!

Qeveria miraton në heshtje.

Akademikët, institutet, katedrat, kundrojnë në heshtje.

Në sistemin shkollor dhemb më fort anglishtja se gjuha kombëtare, shqipja.

“Gjaku ynë i shprishur” po shprishet edhe më.

Ku humb gjuha shqipe, shuhen shqiptarët.

Bota s’vjen me na ba ADN-në për të thënë: nuk dinë shqip, por janë shqiptarë!

Kambana bie më fort për ne.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco