Pse duhet të braktisen vulëhumburit me vulë

Pse duhet të braktisen vulëhumburit me vulë

Nga Avni Nezaj - 02/04/2023

Forca politike që rrëzoi komunizmin në Shqipëri gjendet ne një situate lëkundjeje të themeleve të saj. Këto lëkundje nuk kanë krijuar ndonjë çarje të thellë, por kokëçarje kanë krijuar.

Një grup opozitarësh të shtirur dhe që mbështeten deri me tenderë nga Rama kanë uzurpuar simbolin e partisë dhe vulën e saj. Këtë nuk e kanë marrë me vota por e kanë marrë me gjykatat e rinovuara të Rilindjes. Dhe rrinë e bëjnë moral me vulën në xhep. Duke pretenduar se ata që kanë vulën, kanë gjithçka.

Realisht vula është një objekt i rëndësishëm dhe kjo ka prejardhje që nga lashtësia. Që kur nuk ekzistonte shkrimi dhe leximi. Me vulë shiteshin mallrat e bliheshin bagëtitë. Me kalimin e kohës ndryshoi edhe objekti i vulës. U shtuan transaksionet që vuloseshin. Bëhen shitje të mëdha, transporte të mëdha, ligje të mëdha që pa vulë janë asgjë nganjëherë. Pra vula është e rëndësishme për të kaluar mall në doganë. Mos të humbtë vula se ngelesh pa shitur e pa blerë.

Dhe këta opozitarët që e kanë marrë këtë objekt me vendimin e gjykatave të Ramës, duan ta përdorin këtë vulë, kështu, për shkëmbime tregtare, influence, apo shitje e blerje. Nuk duan që tu humbë. Për këtë kanë edhe ndihmën e pakursyer të Edi Ramës.

Por në një forcë politike vula ka vetëm një simbolikë që shoqëron në fund fletët e letrave të komunikimit. Vula e vërtetë janë ata që votojnë, ata që zgjedhin, ata që i japin kuptim një fryme që krijon pastaj një forcë politike. Ata vënë vula dhe mbajnë vula. Ata vulosin gjithçka.

E në këtë aspektin politik Alibashët janë totalisht vulë humbur. Nuk ka sens asgjë në sjelljet e tyre. E vetmja gjë që ka sens tek sjellja e vulëhumburve është këmbëngulja e tyre që ti shërbejnë pazarit për të cilin përdoren vula të tjera. Pazarit me Ramën dhe Rilindjen që të dëmtojnë opozitën e vërtetë të këtij vendi. Nuk u ka kurrkush faj që janë pakicë, por janë një pakicë krejt e papërfillshme. Në demokraci kjo lloj sjellje e kësaj pakice që i ngjishet pushtetit është si sendet njëpërdorimshe, hidhet shpejt. Prandaj duhet të braktisen.

Vulëhumburit kanë humbur çdo betejë që nga 2013 e vijojnë të këmbëngulin se do fitojnë beteja të tjera që me vulë e pa vulë i kanë të groposura. Edhe ata kandidatë që vula caktoi nëpër disa bashki, po ikin. Po japin dorëheqjen, sepse po e kuptojnë se janë thjesht dekor i pazarit të radhës të vulëhumburve vulëmbajtës. Po e kuptojnë se po përdoren kundër idealeve të tyre. Kundër atyre idealeve qe themeluan Partinë Demokratike dhe sollën lirinë e shqiptarëve vite më parë. Këta nuk është se thjesht po ikin. Ata po dalin nga rreshti “antikomunist” që i mbante dorë për dore me Taulant Ballën.

Uroj që edhe ata që kanë mbetur të ngjitur pas vulës të kuptojnë mesazhin. Të gjejnë kurajo dhe të dalin nga korniza e bojës së vulës dhe të bashkohen në betejën e vërtetë që ka opozita, me diktaturën e re.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco