Të gjithë fajin e ka Berisha

Të gjithë fajin e ka Berisha

Nga Hysni Gurra - 29/03/2023

Bodigardët mediatikë të Ramës ia kalojnë edhe Nastradinit në gjetjen e shkaktarëve të ngjarjeve të rënda.

Pa kaluar disa orë nga breshëritë e automatikut ndaj Top Channel, bodigardët mediatikë të Ramës e gjetën fajtorin: Berisha!

Madje nesër pritet që të avancojnë më tej dhe të thonë se Berisha është shkaktari që po pengon hetimet dhe zbardhjen e së vërtetës.

Në një vend ku kryeministri dhe shpura e tij reagojnë jo si njerëz që janë 10 vjet në pushtet, por sikur të jenë në opozitë, në një vend ku ministri i Brendshëm flet si “e ëma e Zeqos në majë të thanës”, dhe bën thirrje për solidaritet dhe hetime, nuk është çudi që i vetmi që nuk ka faj është ai që është përgjegjës.

Ai që për ngjarje të rënda thotë: “kokat hëngshi”. Ai, i cili ditën që varroset viktima pa iu dridhur qerpiku thotë: “Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sigurtë”. Ai që nuk e ka problem zbrazjen e Shqipërisë bën shaka dhe thotë: “shifrat tregojnë…”

Ai që i vendos tritolin medias nuk ka asnjë faj për situatën e medias në Shqipëri.

Ai që “agresoi” Top Channel pak javë më parë si “gjobëvënës”, sot i komplimenton se janë të vetëpërmbajtur.

Por nuk është problemi tek Ai. Ky është mendimi i gardistëve mediatikë të Ramës. Fajin për ngjarjen në Top Channel e ka Berisha, sikundër është Berisha që ka faj për ikjen e 1 milionë shqiptarëve, për rritjen e çmimeve, për shumëfishimin e çmimit të apartamenteve, për rrënimin e bujqësisë dhe pa dyshim edhe për korruptimin e Mcgonigal. Po të mos ishte Berisha, Rama nuk do të kishte nevojë të korruptonte shefin e FBI-së.

Këtu u duhet dhënë të drejtë bodigardëve të Ramës se edhe për ngjarjen e rëndë në Top Channel fajin e ka Berisha. Të gjithë fajin e ka Berisha. Çudi si nuk i kanë kërkuar dorëheqje?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco