Kush vlen më shumë në ekonominë e një vendi? Burrat apo gratë?

Kush vlen më shumë në ekonominë e një vendi? Burrat apo gratë?

Nga Klodian Tomorri - 08/03/2023

Ka pasur një debat të hershëm mes ekonomistëve se kush shton më shumë vlerë në ekonomi; burrat apo gratë?

Përgjigjja bazuar në numrat klasikë të llogarive kombëtare si GDP, të ardhurat dhe produktiviteti i punës ka qenë më së shumti burrat. Por ka një problem.

Një pjesë e madhe e kontributit të grave në ekonomi nuk kapet nga shifrat e GDP. Shumica e ekonomive kombëtare nuk përfshijnë në Prodhimin e tyre të Brendshëm Bruto, vlerën ekonomike që krijohet nga punët e shtëpisë. Gatimi, pastrimi, rritja e fëmijëve, kujdesi për të moshuarit dhe shumë e shumë shërbime të tjera bien kryesisht mbi gratë. Por kjo është e gjitha punë e papaguar.

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 2018 gjeti se gratë bëjnë të paktën 2.6 herë më shumë punë të papaguar se burrat. Studimet empirike tregojnë se punët e papaguara të shtëpisë vlerësohet të jenë nga 10 deri në 40 për qind e GDP-ve në ekonomitë kombëtare. 

Ka një mënyrë për të llogaritur vlerën ekonomike të gjithë kësaj pune. Duhet të mbledhësh rrogën mujore të një kuzhinieri, atë të një sanitareje, atë të një dadoje etj, etj. Nëse i mbledh të gjitha këto, del se vlera që shtojnë gratë në ekonomi është shumë më e madhe se ajo e burrave.

Pra, me pak fjalë. Që një burrë të jetë ekonomikisht më i vlefshëm se gratë, duhet të jetë ne rangun e Elon Musk ose Jeff Bezosit. Ne të tjerët bëjmë kot të gjithë. 

Gëzuar!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco