DEA amerikane nis konsultimin publik me shqiptarët

DEA amerikane nis konsultimin publik me shqiptarët

Nga Hysni Gurra - 06/03/2023

Një nga ngjarjet më të rënda të këtyre 3 dekadave po përcillet si një lajm i rëndomtë nga media.

DEA, agjencia amerikane kundër drogës me anë të një njoftimi kërkon informacion nga shqiptarët për drogën dhe pastrimin e parave.

Kjo tregon që trafiku i drogës dhe pastrimi i parave është kthyer në një shqetësim serioz për agjencinë numër 1 në botë në luftën ndaj trafikut.

Pyetja është: ku janë institucionet shqiptare?

Pse DEA nuk ka besim te institucionet e sigurisë, te policia, te SHISH?

Pas largimit me dhunë të drejtorit të policisë (përkundër kërkesës amerikane), pas largimit me ‘dorëheqje’ të kreut të SHISH, pas skandalit McGonigal, amerikanët nuk kanë më besim te qeveria shqiptare.

Çarë po bën qeveria shqiptare?

Të kundërtën e asaj që po bën DEA.

Nëse DEA do të luftojë pastrimin e parave, Rama kërkon të legalizojë paranë e pisët.

Nëse DEA kërkon të luftojë trafikun e drogës, trafikantët e drogës kanë kapur prej kohësh jo vetëm policinë dhe drejtimin e qyteteve bregdetare, por edhe vetë qeverinë Rama.

Nëse DEA kërkon informacion për paratë e drogës, Rama organizon ‘konsultime kombëtare’ për legalizimin e drogës.

Nëse DEA kërkon të luftojë kokat e trafikut ndërkombëtar, qeveria e Ramës kërkon të japë pasaporta të arta.

Nëse agjencitë amerikane e dëshmojnë se ç’bëjnë kur ndeshen me një rast të rëndë korruptimi si ai i McGonigal, Rama del si gjel në majë të plehut dhe thotë me siguri budallai se nuk do të ketë hetim dhe nuk do lejojë hetim parlamentar.

Ftohja e shumëpërfolur e Ramës me amerikanët nuk ka lidhje me qefmbetje, por me faktin se Rama duke keqlexuar mbështetjen ka marrë kot dhe jo vetëm me retorikë, por me veprime konkrete.

Pasi shpëtoi paq duke lënë në burg vetëm ish ministrin më të suksesshëm të qeverisë së tij, Saimir Tahiri me akuzën për hashashizimin e Shqipërisë, Rama mendoi se mund të bëj çfarë të dojë me paratë e trafiqeve, mund t’i legalizojë, mund të blejë zgjedhje, mund t’i përdorë sipas qefit.

Por, duket këtë radhë do t’i has sharra në gozhdë. Amerikanët po marrin si model denoncimi ‘qytetarin dixhital’ të Doktorit.

Nuk kanë më besim te qeveria Rama, por duan qytetarin dixhital direkt e në WhatsApp në Uashington.

DEA nuk ka më besim te drejtësia e re.

Vërtet nuk kemi parë gjë akoma.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco