Tranzicioni nga diktatura në partinë shtet - Si shuhet një opozitë partiake!

Tranzicioni nga diktatura në partinë shtet - Si shuhet një opozitë partiake!

Nga Sonila Meço - 04/03/2023

Analiza juridike përtej çdo ndikimi partiak pranon shkeljet, absurdin dhe zgavrat në ligje, që përshkuan të gjithë procesin e “vulës” në partinë më të madhe opozitare. Analiza logjike përtej çdo ndikimi partiak pranon lojrat, diabolizmin dhe manovrat e qëllimshme për të dëmtuar me paramendim partinë më të madhe opozitare. Qysh në prill të një viti më parë ka nisur çështja në apel, u prit gjer në afatin më të skajshëm të mundshëm të regjistrimit të partive politike në KQZ për zgjedhje (tri ditë para afatit të fundit) për të dhënë verdiktin, duke krijuar një precedent të frikshëm për sigurinë juridike nën mbikqyrje të rreptë diplomatike. 

Thënë këtë, nuk kam përmendur emra për mos të ndezur asnjë ngasje të imponuar mbi njerëz, por parime. Dhe mbërrijmë në këtë peizazh mugëtire lirie e demokracie: Partia më e madhe opozitare nuk regjistrohet dot me siglën e saj për zgjedhjet lokale, në një pushtet aktual monist vendor. Nga partia më e madhe opozitare u dorëhoq publikisht kryetari për rezultatin skandaloz në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit duke tkurrur partinë, që përfaqësonte në forcën e tretë në vend. 

Forumet dhe anëtarësia e partisë e kishin shkarkuar më herët dhe dëshmuan se organizimi i tyre ishte shumfish më i fortë, duke fituar një bashki në monopushtetin absolut lokal e me rezultatin e përgjithshëm, që vendoste këtë vullnet të dytin në zgjedhjen e shqiptarëve. Partia që ka zyrtarisht vulën dhe siglën opozitare, nuk ka mbledhur asnjëherë forumet, strukturat dhe nuk ka kryer asnjë palë zgjedhje brenda saj, ku drejtuesit janë të emëruar dhe kryetari i dorëhequr publikisht rikthehet me vendim gjykate në krye të saj. 

Gjykata zgjat një vit shqyrtimin e përkatësisë së vulës dhe siglës së partisë më të madhe opozitare gjer në limitin e afateve ligjore për regjistrim në zgjedhjet, që synojnë të zhbëjnë monizmin e pushtetit lokal pas plot 4 vitesh. Kësisoj gjykata vendos jo vetëm kush është kryetari i një partie, kur detyrë ka vetëm regjistrimin dhe çregjistrimin e tij, por vendos precedent në pranimin e ankimimit nga një grup, që nuk është palë në proces, por edhe se kush janë strukturat drejtuese dhe forumet e partisë pavarësisht vullnetit të anëtarësisë së saj.

Grupi partiak opozitar, që merr atributet nga gjykata për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale nuk ka kryer zgjedhje brenda forumeve, nuk ka kryer kurrë një mbledhje publike strukturash, ka një kryetar të dorëhequr pubkikisht, që ka refuzuar ta regjistrojë aktin juridikisht, doli i treti me rezultat skandaloz në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në kuvend nuk ka ngritur kartonin kundër vendimeve arbitrare të maxhorancës absolute, ka bashkuar votat me maxhorancën absolute për çështje, që kanë forcuar zhbërjen e procesit të kontroll-balancës mes pushteteve të pavarura, nuk ka bërë një protestë të vetme ndaj skandaleve të pushtetit, nuk ka dëshmuar asnjë kërcënim serioz për monizmin e diktuar me shkelje kushtetuese. Grup, që merr mbështetje nga maxhoranca për të ekzistuar si dëm i drejtpërdrejtë i përfaqësimit të vullnetshëm opozitar, që nuk bëri asnjë përpjekje të zbardhë goditjen opozitare nga brenda e jashtë vendit, kur maxhoranca aktuale është kapur në flagrancë për përpjekjet korruptive gjer në agjensi ligjzbatuese ndërkombëtare për të goditur opozitën.

Grup, që nuk përqendron forcat në anatemimin e një kryeministri nën akuzë nga gjykatat amerikane, por ndërton një garanci juridike, me segmente gjykatash dukshëm të kapura për të zgjatur monizmin në vend me goditjen më të rëndë të pluralizmit, që nga ekzistenca e vet.
Kjo është panorama e trishtë e një ngjarjeje, që do të hyjë në histori si akti i fundëm i një plani për të vrarë demokracinë e pluralizmin (sado të dobët) në fund të tranzicionit demokratik të vendit. Dhe 32 vitet e tij do të emërohen si: Tranzicioni nga diktatura në partinë shtet-Si shuhet një opozitë partiake.

Sepse nga ana tjetër është një opozitë shoqërore, që nuk e do monizmin, partinë-shtet, kufizimin e lirisë, zhvlerësimin e votës, pamundësinë e kërkesës së llogarisë, mospërfaqësimin, kapjen e medias, shpopullimin, drejtësinë selektive e të vonuar, arbitraritetin, mungesën e konkurencës, meritokracisë, zhvatjen me e pa ligj, shpronësimin, çmimet e vendosura me borde, zhbërjen e parlamentit nën pushtetin e ekzekutivit, aferat korruptive qindra milionëshe me taksat e tyre, pagat e pensionet e mbijetesës karshi luksit të zyrtarit publik, administratën e tejfryrë, patronazhistët, aktiv1stët, thasët e parave në tuba aspirimi, arrogancën e pushtetit dhe opozitat e emëruara në funksion të tij, listën gri të MoneyVal, raportet e nxira të DASH për situatën në vend, torturën e të afërmve nën kamiona e mbi gomone për të ikur nga sytë këmbët, hallin e azilantëve që pushtojnë Europën si të iknin prej një vendi lufte, dëmin e braktisjes nga shkencëtarët, mjekët, arsimtarët, inxhinierët e intelektualët më të mirë, që nuk duan të shohin zvetnimin e dinjitetit për të paguar shkollat e fëmijëve, këstet e kredive, qeratë, bukën e gojës. 

Dhe tek e mbramja, përballë kësaj kasaphane a ka vend në një opozitë shoqërore ku shoqëria civile kooptohet, media blihet, ose shkatërrohet, zgjedhjet fitohen në tavolinë e opozitat partiake zhbëhen me vendime gjykatash, pra a ka vend përballë një regjimi për elektorat gri? 

Mundet, po mundet, por grija përballë humnerës është ai gisht i lehtë pas shpine, që mjafton të të hedhë përgjithmonë në honin e errët e pa kthim të regjimit, që vendos edhe kur e si do marrësh frymë. 

Dhe e fundit fare, nëse pushteti absolut është i qetë se ka kapur gjithçka, se zgjedhjet i fiton edhe për 5 mandate të tjera me këtë lloj opozite karshi, me grata e non grata po deshe, përse iu desh edhe ky akt i fundit që e zbuloi dukshëm karshi publikut?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco