Zoti President, shtyni zgjedhjet e 14 majit!

Zoti President, shtyni zgjedhjet e 14 majit!

Nga Agim Xhafka - 04/03/2023

Si këto ditë vendi nuk është gjendur kurrë. Nuk quhet udhëkryq, quhet një lëmsh i madh ligjor, politik e social njësoj si ato mijëra fijet e internetit në lagje që ngërthehen rreth shtyllës së elektrikut.

Gjykata shqiptare më e zellshme se simotra në kohë të diktaturës. Nuk gjykoi, por nënshkroi atë çfarë donte qeveria. Më saktë firmosi: "Lejimin e zgjedhjeve pa garë". Si një lojë futbolli vetëm me një ekip nga që autobuzin e ekipit tjetër e kishte kap policia dhe do e lironte, por pasi të mbaronte ndeshja!

Po jetojmë një paradoks të madh.

Partia Demokratike ka mbushur vitin që ka bërë votimet e veta, ka kryetar e organe të zgjedhura sipas statutit të saj, të cilat ia miratoi Gjykata e Shkallës së Parë, por që ngelën pa u regjistruar se nuk donte kryeministri. Ndaj u sajua sebepi sipas shprehjes, komshiu do hajë atë gatim që dua unë. D.m.th PS do të vendosë se kush do jetë dhe kryetar i PD-së.

E kështu u zvarrit ngërçi deri në limit, deri kur nuk duhej një vendim, por nevojitej një pengim gjykate. E, ja në prag të skadimit të regjistrimit të partive në KQZ u vu trari: "Çështja kthehet për rigjykim".

Pra kismet PD të marrë pjesë në zgjedhjet e moteve që do të vijnë. Kështu me një vendim e tre firma nuk do të lejohen të përfaqësohen 750 mijë votues. Do shkojnë në kuti komunistët e si opozitë ca partiçka. Tamam nuk do mungojnë patatet e një pjate ku mungon bifteku. 

Në këtë gjendje që do prodhojë përplasje sociale, protesta, manifestime e për pasojë goditje ekonomike, duhet të dalë në mbrojtje të Republikës Presidenti i vendit. Ai me një shtyrje të zgjedhjeve jep sinjal: 1 - Gjykatat ta mbyllin shpejt tollovinë juridike dhe: 2 - KQZ të ketë mundësi të hapë fushën për të garuar të gjitha forcat politike.

Flitet për thelbin e sistemit, për pluralizmin që është materniteti i kapitalizmit. 

Zoti President, mos hezitoni! Çasti historik është i vështirë. Mos u tut nga Edi Rama. Ai i do zgjedhjet me një parti se dhe tenderat ka vite e vite që i bën me një pjesëmarrës. Me mikun e oligarkun e tij ndaj borxhi ynë shkoi më shumë se sa mori Tito për 7 republikat jugosllave.

Zoti President shtyni zgjedhjet në emër të paqes sociale e progresit!

Në emër të atyre që kanë ikur dhe të shqiptarëve që po i bëjnë gati valixhet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

EO04/03/2023 18:24

Z. Xhafka,
I jeni drejtuar me ndjenjë e duhet të dëgjohesh nga z. Begaj.
Dhe, nuk do të të dëgjojë e jo se nuk ka forcë morale, por ç'është më e keqja se ka mbrujtje nga i njëjti brumë me kM-në!
Mbetet:
Presim dhe shpresojmë...

Shto koment

Denonco