Nuk ka kthim prapa-Marrëveshja për ndërkombëtarët është punë e kryer

Nuk ka kthim prapa-Marrëveshja për ndërkombëtarët është punë e kryer

Nga Baton Haxhiu - 02/03/2023

Zhvillimi më i rëndësishëm tani është pas nesh. Serbia dhe Kosova i kanë premtuar BE-së pëlqimin e tyre për Marrëveshjen e sponsorizuar nga BE-ja për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç u tha të martën në Bruksel, ky nuk është më një propozim. Për sa i përket komunitetit perëndimor-marrëveshje me ose pa nënshkrim, është prapë një marrëveshje.

—–

“Të dy udhëheqësit, Kurti dhe Vuçiç duhet të jenë shumë të vetëdijshëm, se deri më 18 mars, ata do të duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. 18 Marsi nuk është dita për raundin e dytë të 27 shkurtit. Është fundi i linjës për atë që filloi më 27 shkurt. Ndërkohë, Mirosllav Lajçak dhe Gabe Escobar, dhe të tjerët do të punojnë shumë për të kapërcyer mosmarrëveshjet ekzistuese në Udhërrëfyesin e Zbatimit. Ata do të dëgjojnë, duke kërkuar gjëra të reja që palët mund të sjellin në tryezë, por jo kërkesa të pafundësishtme”.

Kështu fillon një qëndrim i fortë dhe i pamëshirshëm, që burimi ynë ndërkombëtar drejton për Albin Kurtin dhe liderët e Kosovës dhe opozitës në përgjithësi.

Mesazh, ky, që mund të jetë i ashpër, i fort dhe i pakujdesshëm në “kujdesin maksimal diplomatik” që përçohet, dhe se duket është e vetmja mënyrë e komunikimit që bëhet për të ardhmen e Kosovës. Kjo mund dhe do të thuhet edhe më qartë në zyrën e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Në pamje të parë duket i ashpër dhe kërcënues, por kur lexohet me kujdes, është i domosdoshëm për Kosovën, sepse përcakton shijen e kujdesit të atyre që ndihmuan në ndërtimin e pavarësisë së Kosovës. Për ata që e kanë të vështirë të kuptojnë, është e qarte se shija e mesazhit është se kaq mund të bëj Amerika dhe Evropa në fazën e tashme te dialogut.

Burimi ndërkombëtar, që ka bërë publikun e Kosovës të njihet me logjikën e negociimit dhe me rrugën që do të marrë negociata në mes Kosovës dhe Serbisë, ka frikën që mund të dështoi gjithçka dhe Kosova të marrë rrugën e pakshim, nëse nuk përfundon çështja dhe nuk nënshkruhet marrëveshja.

Ata i kanë dhënë të drejtë vetes të kenë epitetin e birësuesit të Kosovës dhe në emër të saj thonë qartë se: Si prindër birësues të Kosovës, ne duhet të sigurojmë që Kosova të veprojë me përgjegjësi. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës. Në pikën 8 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës thuhet se “Me pavarësinë vjen edhe detyra e anëtarësimit të përgjegjshëm në bashkësinë ndërkombëtare”.

Por, këtu nuk përfundon shtrëngimi diplomatik dhe karotat më duket se kanë përfunduar. Ata e kujtojnë Kurtin dhe Osmanin dhe opozitën ne veçanti, sepse është shumë vonë që ta luajnë Kurtin opozitar, me një qëndrim të pakthyeshëm që kanë ata, ndërkombëtarët, në raport me qëndrimet e tyre karshi të ardhmes. Edhe pse marrëveshja nuk ka të bëj me njohjen ata konsiderojnë se është e vetmja dhe pikë.

Ata bëjnë me dije edhe këtë:

“Themeluesit (baballarët) e Kosovës thanë se e kanë pranuar plotësisht këtë detyrë. Autoritetet aktuale të Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshëm në veprimet dhe fjalët e tyre. Edhe pse Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit nuk ka të bëjë me njohje reciproke, ajo e definon Kosovën ndërkombëtarisht pothuajse njësoj. Pajtueshmëria dhe bashkëpunimi me marrëveshjet ndërkombëtare është një tipar thelbësor i një vendi që kërkon njohjen si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar. Nëse Kosova nuk vepron me përgjegjësi, siç premtuan themeluesit e saj, kjo forcon argumentet e atyre që pretendojnë se komuniteti perëndimor bëri një gabim në vitin 2008. Le të mos shkojmë në atë rrugë!”

Kjo është porosi pa ekujvoke dhe e rëndë.

Zhvillimi më i rëndësishëm tani është pas nesh. Serbia dhe Kosova i kanë premtuar BE-së pëlqimin e tyre për Marrëveshjen e sponsorizuar nga BE-ja për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç u tha të martën në Bruksel, ky nuk është më një propozim.

Për sa i përket komunitetit perëndimor, marrëveshje me ose pa nënshkrim, është prapë një marrëveshje.

Dhe nga kjo nuk ka kthim prapa.

Çështja është si të interpretohet brenda Kosovës ky nënshkrim.

Në një nga veprat e tij Kafka flet për një përjetim të poshtërimit. Për një gabim kur babai kishte marrë për krahu Franzin duke e lënë jashtë gardhit të oborrit në mes të ftohtit e në pikë të natës të zhveshur lakuriq. Disa vite më vonë, Kafka shkruante në letrën e tij se çështja më e rëndë për të nuk ishte as ftohti i pamëshirë që i kishte hyrë në palcë, se sa turpi qe kishte për faktin e lakuriqësisë në sytë e botës.

Franzi kishte kuptuar se duke mbetur i pambrojtur dhe i zhveshur pa bërë asnjë faj, ose një faj të papërfillshëm, atij iu kishte krijuar bindja se është një qenie e vogël, e papërfillshme.

Thjesht, ishte një asgjë.

Ndjenjën e pafajësisë e ka edhe Kryeministri i Kosovës, sot, siç e kishte lakuriqësia e Franzit. Mirëpo dhimbjen që ai mund ta ketë nga keqtrajtimi ndërkombëtar është i madhe, sepse nuk përkon me realitetin e nuk përputhet me atë që Kosova ka ofruar ndër vite në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Por fajësia e pafajshme e Kurtit është e kaluara e tij opozitare.

Duke na lënë përballë dhe me asgjë të fituar, të ndarë edhe nga gjithë bota, ka lëshuar rrënjë një ndjenjë poshtërimi, vogëlsie dhe është e habitshme si Kurti nuk ka revoltë nga shpërfillja.

Por e vërteta është se duke qenë i poshtëruar për shkak të politikave të tij, më shumë, dhe për shkak të gjeopolitikës në veçanti, Kurti ka vendosur, më të drejtë, të vras Albinin Opozitar. Dhe të jetoi me Albinin politik. Nuk ka rrugë tjetër.

Problemi 1: Leximi i gabuar gjeopolitik

Kurti dhe menaxhimi i tij i dialogut. Rrezikimi i raporteve me aleatë, projektimi i joseriozietit. Këto janë temat që Kurtin e kanë bërë të shënjueshëm dhe vështirë të menaxhueshëm. Por kryesorja ka qenë keqleximi i gjeopolitikës.

Lufta në Ukrainë ka ndihmuar për të ri-përqendruar vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, por vëmendja përkthehet në një rezultat vetëm nëse ekziston vetëdije për pozicionim të saktë në raport me atë vëmendje.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë keqlexuar skajshmërisht situatën gjeopolitike pas rikthimit të vëmendjes.

Ideja e tyre, siç është parë qysh nga fillimet e luftës, ka qenë që të koncentrohen në shpjegimin rusofil të Serbisë shumë më shumë sesa në qartësimin pro-perëndimor të Kosovës.

Me arrogancën provincial, pa pas sensorë për peshën e vendit dhe kohën ku jetojmë politikisht,  Kurti dhe Osmani kanë ligjëruar nëpër studio të mediave ndërkombëtare jo vetëm se kush është Serbia, por edhe si duhet të sillet perëndimi ndaj saj.

Ata kanë provuar të bindin Perëndimin se Vuçiç, meqë udhëhiqet nga të njëjtat forca të errëta si Putin, do të provojë të futet në Kosovë, siç ka bërë edhe Putin në Ukrainë. Kjo, në mendjet e tyre, do t’u krijojë ndërkombëtarëve idenë se kufiri Kosovë-Serbi qenka kufiri i botëkuptimeve-perëndimi demokratik dhe sulmuesit autokratë.

Kurti thoshte në BBC se ndërkombëtarët po e “nënvlerësojnë agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës dhe dëshirën e Beogradit për të befasuar”, por edhe shumë fraza të tjera me retorikë qendrore luftën, duke prodhuar kështu një ofendim për inteligjencën perëndimore.

Osmani njëjtë, prezantonte me anglishten e rrjedhshme botën para një dileme: “Ju kujtohet se nuk besohet se Rusia do sulmonte Ukrainën, por ndodhi”, duke aluduar në një skenarë të ngjashëm potencial me Serbinë në Kosovë.

E gjithë ideja këtu, për të bindur perëndimin se në fakt fronti Kosovë-Serbi është fronti SHBA-Rusi, apo Perëndim-Rusi.

Ishte edhe intervista e fundit e presidentes ku deklarimi i saj u bë shkak për përgënjeshtrim deri në tallje.

“Serbia po përgatit sulm në Kosovë në bashkëpunim me Grupin rus Vagner”, i tha ajo mediumit britanik The Telegraph.

KFOR doli me deklarim më pas, duke treguar se konstatimi nuk qëndron dhe se s’po përgatitet kurrfarë sulmi.

Por, kjo s’ndodhte vetëm nëpër media publikisht, por edhe në takime privatisht. E kanë treguar disa veta momentin kur Donika Gërvalla i kishte thënë ambasadorit amerikan në Kosovë “kujdes se në Kremlin më nuk është Jelcini, por Putini”.

Çfarë nuk kuptonin dot as Kurti e as Osmani e as Gërvalla ishte që ndërkombëtaret, veçanërisht amerikanët, afërsia e Serbisë me Rusinë nuk i bën të heqin dorë nga Serbia, por të rrisni përpjekjet në drejtim të saj.

Serbia është aktualisht projekti qendror amerikan, sepse nga lufta në Ukrainë, amerikanët janë në ofensivë për t’i shkëputur Rusisë sa më shumë aleatë potencialë.

Të vetëdijshëm se fuqia e tyre e fortë dhe ajo “e butë” është dominuese në kombinim me rënien e iluzioneve se Rusia përbën superfuqinë që e mendonin të gjithë, do jenë partnerë më joshës, ata sollën edhe gurun e diplomacisë amerikane, Christopher Hill, si ambasador pikërisht në Serbi.

Ai nuk erdhi për ta bindur Serbinë asgjë në raport me Kosovën, por për ta bindur në raport me Rusinë.

Shenjat ishin të vërejtshme. Hill prezantoi një diplomat të angazhuar dhe shumë miqësor. Ishte ai iniciatori i nismës për Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy vendeve të prezantuar nga Antony Blinken, ku nga ky vit diplomatë serbë shkojnë punojnë në Departament të Shtetit. Ishte ai po ashtu që i premtoi Serbisë edhe ndihmë ushtarake për t’ia modernizuar ushtrinë. Serbia është projekti kryesor i Amerikës në Ballkan aktualisht dhe afërsia e Serbisë me Rusinë veças shton përpjekjen për sukses në këtë projekt.

Dhe në këtë iniciativë amerikane gjëja e fundit që do t’u binde ndërmend ishte pengesa nga miku i vogël Kosova.

 “A bëhet ore luftë për targa?”, i thoshte Hill Besnik Bislimit në një komunikim virutal në konferencën në Beograd. Kjo pyetje me dëshpërim bëhej në kohën kur Kurti besonte se një shpërthim eventual në Veri e favorizon Kosovën, sepse perëndimi e pozicionon Serbinë si agresori i radhës në stil rus.

Ishte aq e thjesht të kuptohej. Gati se nuk thuhej haptazi edhe nga vetë amerikanët. Por dy liderët tanë as nuk e kuptonin dhe as nuk donin t’ua shpjegojë dikush, për shkak të arrogancës së injorantit.

Problemi 2: Opozita dhe sjellja e tyre ndaj kësaj faze. Opozita e tashme është qeveria e deridjeshme. Me çka ballafaqohet Kurti sot është edhe produkt i tyre. Duke pasur përvojë të gjatë në qeverisje këto parti, LDK dhe PDK, duhet të kenë vetëdije për seriozitetin e momentit dhe situatës. Tani nuk është koha për të diskutuar rreth kualitetit të marrëveshjes (thuajse dikush tjetër do të mund të nxirrte diçka më mirë) dhe as pse Albin Kurti ka ndryshuar qëndrime (përfshirë edhe për Asociacionin). Sot duhet rreshtuar përkrah aleatëve, ashtu siç kemi bërë me 1999 dhe 2008. Dhe të gjitha këto diskutime janë debate për një fazë tjetër. Jo për sot. Dëmi që shkaktojnë me debate te tipit “Po Albini kshu dje, e kshu sot” është shumë më i madh krahasuar me dobinë elektorale. Por një gjë është e sigurt që kjo opozitë nëse ka heshtur deri tash, duke lënë Kurtin të nënshkruaj dhe të ketë benefite elektorale nga nënshkrimi I gabuar, ka treguar se Lumiri dhe Memli nuk e kanë shijen e udhëheqjes dhe mbajtjen e shoqërisë opozitare me qëndrime dhe vizion. Ata po humbin të gjithë; Peshën, rëndësinë dhe lidershipin.

Ata e dinë mire shumë se nëse aleatët vendosin ta dënojnë e ta poshtërojnë Albin Kurtin, nuk do ia bëjnë këtë liderit të Vetëvendosjes por kryeministrit të Kosovës. Dhe kjo është e pariparueshme edhe për të ardhmen e tyre ne politike dhe në pushtet.

Problemi 3: Miku im Edi Rama duhet të jetë i vetëdijshëm për rolin politik, përgjegjësitë morale që ka si dhe për fuqinë e vërtetë të Shqipërisë. Shqipëria është treguar e ngathtë edhe pse është dashur të projektojë fuqi që reflekton peshën e 6 milionë shqiptarëve që janë në rajon. Nuk është dashur që Edi Rama të tërhiqet nga ndonjë ofendim primordial që ka ardhur nga Ramush Haradinaj apo ndonjë qasje bajraktariste e Albin Kurtit. Nuk është dashur të ofendohet as nga kosovocentrizmi i shpurës së LDK-së dhe komplekseve të Vjosa Osmanit.

Edi Rama është treguar centrist brenda Shqipërisë duke humbur rastin që të tregojë se fuqia shqiptare nuk është e tipit të shekullit të 15 por ka një qëndrim gjashtëmilionësh kur janë në interes çështjet e mëdha kombëtare. Duke u frikuar secili nga problemet e brendshme dhe nga beteja e forte për asgjënë, kemi humbur rastin të tregojmë se funksionojmë si një komb. Ne ende jemi një shpurë feudale që më të rëndësishme kemi një shtirje dhe përjetim perëndimi se sa një kauzë që të ardhmen e bën të paluhatshme dhe të sigurt.

Edhe një here për Tradhtinë

Kujtoni Nënshkruesit e deklaratës së Republikës së Irlandës. Ata  u pushkatuan të gjithë. Por ishin vizionar. Giffordi ishte lutur që mos ta pushkatonin por lutjet e tij kishin mbetur të varur në plumbin që po e godiste për tradhti.

Përkundër vdekjes që po i vinte nga linçuesit publik të pashpirt, ai po thërriste se nënshkruesit e Republikës së Irlandës ishin të pamposhtur.

Ata që kishin shkrepur plumbin mbi Giffordin me shok, të gjithë nënshkruesve të pavarësisë së Republikës së Irlandës kishin përfituar privilegjet e “tradhtisë”. Ata, Giffordi me shok, sot, janë të shpallur hero sepse Republika e Irlandës po jeton kohën më të mirë politike të saj. Kurse vdekja e tyre po shënjonte turpin historik të logjikës vetëvendosjane për vrasjen në emër të tradhtisë. Ata që kishin vrarë ishin të shtyrë nga britanikët që akti i tyre të mos merrte epitetin e madhështisë së shtetit që po krijonin por në histori të shkonin si tradhtarë. Nuk po them që VV ishte shtyrë nga Serbia dhe njerëzit ë tyre, por ishte e habitshme që ata të ishin të ngjashëm në veprime dhe ta kuptonin politikën si dëshirë e njëjtë me qëllime të kundërta.

Të jesh hero brenda vdekjes është një moment hyjnor, por të përjetosh lirinë dhe të tradhtosh atë që ke premtuar, është ndjenjë e fajësisë së përjetshme. Është diçka si jeta politike e Albinit dhe Vjosës që “vranë” dhe linçuan liderët që formuan shtetin e Kosovës.

Në asnjë mënyrë, askush, nga ne që e shohim nga jashtë problemin e Kosovës dhe përjetojmë politikëbërjen e Albinit me shokë, veprimet politike nuk do duhej t’i cilësojmë me këtë epitet. Epitetin e Tradhtisë. Përkundrazi!

Albin Kurti do nënshkruajë dhe nuk do ta quajmë tradhtar. Përkundrazi. Mund ta fitojë edhe Nobelin me Vuçiçin bashke.

Por si shoqëri nuk guxojmë që e kaluara e tij opozitare të mos jetë e ndëshkuar, sepse bëhemi shoqëri që s’ka memorie dhe lejohen që gabimet të bëhen rregull normal i shoqërisë. Popullizmi duhet të vdes bashkë me idenë e pafuqisë dhe gënjeshtrës brenda,

Kurti ta bëjë aktin e domosdoshëm të nënshkrimit, dhe pastaj merremi me gabimet e së kaluarës.

/Albanianpost.com

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco