Është koha të pozicionohesh! Tregoni përgjegjshmëri, ndryshoni gjërat

Është koha të pozicionohesh! Tregoni përgjegjshmëri, ndryshoni gjërat

Nga Hysni Gurra - 27/02/2023

Qofsh qytetar i thjeshtë, intelektual, gazetar a çfarëdo qofsh, nëse jeton në Tiranë dhe të ka ardhur në majë të hundës betonizimi, pisllëku i ajrit e i rrugëve, trafiku, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, uji i (pa) pijshëm, zhurma, transporti publik, mungesa e parqeve, korrupsioni…duhet të pozicionohesh.

Të pozicionohesh së paku për të parë se ç’mund të bëjë një kandidat që nuk është provuar, nuk është i akuzuar për korrupsion, nuk është provuar si mashtrues… Këtë tjetrin keni 8 vite që e shihni. Në 32 vjet demokraci, 19 vjet Tiranën e ka qeverisur Rama me Veliajn.

Dëmi më i madh Tiranës i është bërë në këto 19 vjet. Tirana është një ndër qytetet me kosto jetese më të shtrenjtë në Europë, me çmime banesash e qiraje po ashtu ndër më të shtrenjtat, siç dhe është më e varfra për 85% të qytetarëve rezidentë dhe më e ndotura.

Kam ndjekur me vëmendje këto takimet e Këlliçit me qytetarët. Ajo që vërej është dëshira për ndryshim, duket se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës.

Sallat ku bën takime Belindi janë plot. Në rrugë qytetarët që e takojnë, i qajnë halle, ankohen, kërkojnë një ngjallje të shpresës.

Po i përmend këto për të theksuar dëshirën e madhe që ekziston për ndryshim. Sepse Belindi nuk ka as “Akt1vist”-in, nuk ka asnjë njeri në punë se s’ka pushtet, nuk ka asnjë nder të bërë ndonjë oligarku sepse s’ka pasur pushtet të japë leje ndërtimi apo tendera. Ka veç fjalën dhe kredon e të qenit i pastër, ndaj i ka edhe sallat plot e ndalohet nga çdo qytetar që e has në rrugët e qytetit e fshatrave.

Këta do të përpiqen ta blejnë pushtetin prapë, sepse kanë para korrupsioni e para të pista sa s’thuhet, kanë mediat.

Por qytetarët duhet të dinë se vota e tyre është më e fuqishme se paratë e pista. Qytetarët duhet të dinë se vota e tyre është fuqia më e madhe që ekziston.

Tregoni përgjegjshmëri, ndryshoni gjërat.

Nëse 2 vitet e para gjykoni se Belindi nuk mban premtimet, mblidhjuni para derës së bashkisë dhe largojeni.  Bëjeni këtë disa herë, me kryetar bashkie e me kryeministra, vazhdimisht e vazhdimisht. A ka mundësi njëherë në dy vjet të ndërrohen?! Më mirë të paguajmë para për të bërë zgjedhje çdo dy vjet, sesa të na vjedhin 4, 8 a 10 vjet rresht!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco