Elozh i politikës në periferi!

Elozh i politikës në periferi!

Nga Andi Mustafaj - 22/02/2023

Lëvizja e Foltores solli një risi pozitive dhe një dinamikë të re për Partinë Demokratike dhe Opozitën shqiptare në tërësi. Ky ishte pa asnjë dyshim një lajm i mirë për vendin tonë. Për vite me radhë, nga humbje në dështim, opozita shqiptare nuk arriti të thyente makinerinë gati luftarake ngritur nga Edi Rama për të kapur dhe abuzuar me të gjitha pushtetet e mundshme. 

Ndaj është thelbësore që sot, ndoshta më shumë se kurrë, të nxirren mësimet e duhura nga këto ngjarje që gërshetohen. Një prej këtyre mësimeve, një nga më të rëndësishmit dhe më të nënvlerësuarit, është marrëdhënia e politikanëve me Tiranën. 

Le të themi një të vërtetë faktuale, sado e vështirë qoftë ajo: në 9 vite në Tiranë është fituar vetëm një kauzë dhe kjo është ajo e armëve kimike. Pallatet janë ndërtuar me paratë e drogës, shtëpitë e qytetarëve janë shkatërruar pa kompensim të drejtë, teatri u rrafshua, bashkia u dorëzua, komisionet parlamentare nuk prodhojnë pasoja, sistemi i drejtësisë u formatua siç dëshiron qeveria, një pjesë e OJF vazhdojnë e mbyten me parat e korrupsionit qeveritarë për të mbyllur sytë mbi situatën në vend, shumë media vazhdojnë të botojnë kasetat e regjistruara të politikanëve dembel, ligjet pa përjashtim miratohen siç don qeveria, edhe kur kjo e fundit shkel hapur marrëveshje të bëra më parë me opozitën. 

Pavarësisht kësaj, shumica dërrmuese e veprimtarisë politike vazhdon të përqendrohet në Tiranë. Nga dyert e selive të partive politike deri tek karriget e studiove televizive, duke kaluar nga faqet e rrjeteve sociale, përplasen pareshtur politikanët e djeshëm, të sotëm dhe të ardhshëm në kërkim të dritës e cila mendojnë se do u sjell lavdinë e heronjve. 

Pakkush duket se kupton kurthin brenda të cili bien. Në mënyrë të përsëritur, porsi dallga që thyhet që thyet mbi shkëmbim, vullnetet më të forta gjunjëzohen, shpirtrat më të fortë korruptohen nga Tirana e sunduar, nga Tirana kontrolluar, nga Tirana e dërrmuar.  

Thënë kjo, është lehtësisht e kuptueshme që veprimet e veçuara të një njeriu, në kushtet në të cilat ndodhemi mund të prodhojnë vetëm rezultate të kufizuara. Vetëm strukturimi dhe institucionalizimi i një filozofie të re është në gjendje të prodhojë pasojat e kërkuara në shkallë vendi. Partia Demokratike, për shkak historisë së saj dhe rolit që luan si partia më e madhe opozitare ka përgjegjësinë që ta bëj një gjë të tillë. 

Këtë gjë duhet ta bëj nëpërmjet një plani të qartë të shpërndarjes së burimeve njerëzore nëpër rrethe dhe ngritjen e një strategjie të përshtatur sipas zonave. 

Një gjë e tillë do mundësojë së pari dhe mbi të gjitha kohën e nevojshme për formimin e politikanëve dhe personave që do thërriten të marrin përgjegjësi publike apo administrative. Në një errësirë relative, ata do të ballafaqohen me veten dhe me qytetarët, me dhimbjet dhe vuajtjet e tyre duke kërkuar në mënyrë të pareshtur zgjidhje për ta. Fitorja e kauzave do jetë kartëvizita e parë, më e qenësishmja dhe e vlefshmja e arsyes se përse shqiptarët duhet të na besojnë fatet e së ardhmes së tyre. 

Një gjë e tillë do të mundësojë në radhë të dytë të thyhet rrethimi i Tiranës, aty ku sistemi të sheh, të veçon, të thërrmon. Në frymën e suksesit të lëvizjes së Foltores, e vetmja që ka shkundur në mënyrë të suksesshme një lidership të instaluar në vendin tonë, Partia Demokratike duhet të ndezë jo një zjarr të madh në Tiranë por një qind, një mijë zjarre anembanë vendit që të vijnë më pas të bashkohet në Tiranë. 

Larg qendrës, forca e rëndesës është më e dobët, larg qendrës, politikanët e rinj mund të fluturojnë më lehtë në majat e duhura. Momenti është i duhuri me ardhjen e shpejtë të zgjedhjeve vendore për përqafimin e kësaj filozofie të re veprimi. Ne nuk jemi të dënuar të dështojmë. 

Andi Mustafaj, Drejtues i Departamentit Brain Gain dhe Ekselencës së Partisë Demokratike. Artikull i shkruar në kuadër të Laboratorit të ideve

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco