20 shkurti, dita e triumfit të shqiptarëve mbi barbarinë komuniste! Dita e kujtesës tonë kombëtare!

20 shkurti, dita e triumfit të shqiptarëve mbi barbarinë komuniste! Dita e kujtesës tonë kombëtare!

Nga Sali Berisha - 20/02/2023

Të dashur miq, 32 vjet më parë mëngjesin e 20 shkurtit të vitit 1991, qindra-mijëra qytetarë antikomunistë të Tiranës dhe të mbarë vendit, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike dhe Sindikatat e Pavarura, u mblodhën në qytetin 'Studenti' në revoltën qytetare më të madhe, më të zjarrtë dhe më të fuqishme që Tirana kishte njohur në tërë historinë e saj, në mbështetje të mbi 720 studentëve të ngujuar në një grevë epike urie. Studentet dhe studentët, që të organizuar nga Partia Demokratike dhe Shoqata Studentore ishin ngujuar në Kinoklubin e qytetit të tyre në kushte tmerrësisht të vështira dhe të vendosur deri në sakrificë sublime, kërkonin nga regjimi heqjen e emrit të diktatorit stalinist Enver Hoxha, Universitetit të Tiranës.

Me 20 shkurt të vitit 1991, uragani i lirisë i qytetarëve, të rinjve, studentëve, të persekutuarve, më i madhi që Shqipëria ka njohur në tërë ekzistencën e saj, do vërshonte nga qyteti 'Studenti' drejt sheshit 'Skënderbeu' dhe me një energji “nukleare", guxim në kufijtë e legjendës, do të përballej me diktaturën më të egër të Evropës, mjetet e saj të dhunës, dhe duke e mposhtur atë, do të përmbyste në orën 14:05 shtatoren e diktatorit më mizor që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre, Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës së dytë botërore, siç do ta shpallte në pranverën e vitit 1991 në Samitin e tij të Parisit, Bashkimi Demokratik Evropian, organizatë që gruponte të gjitha partitë e qendrës së djathtë të Evropës!

Në piedestalin e zbrazur të shtatores së diktatorit gjakësor qytetarët- heronj të Tiranës vendosën flamurin tonë të lirë, Flamurin e Skënderbeut.

Miq, 20 shkurti i vitit 1991 do shënonte ngjarjen më kulmore të Revolucionit Demokratik, fitoren më të madhe të forcave antikomuniste në Shqipëri.

Enver Hoxha ishte diktatori monstër, që në 47 vite të sundimit të tij barabar, persekutoi, burgosi, internoi, ekzekutoi në plojën e luftës së klasave apo eliminoi me uri kronike dhe sëmundje në sistemin e tij hiperkolektivist, qindra e mijëra shqiptarë, dy herë më shumë se sa të gjithë diktatorët e tjerë të vendeve ish-komuniste të Evropës përveç Bashkimit Sovjetik.

Me 20 shkurt të vitit 1991, shqiptarët çliruan veten e tyre nga zinxhirët e pushtimit më barbar të mendjeve, shpirtrave dhe lirive të tyre. Ata me zvarritjen, prerjen e kokës së shtatores së diktatorit i bënë gjyqin publik antikrishtit të historisë së tyre, tiranit që iu kishte ndaluar me Kushtetutë Krishtin, Muhamedin e madje edhe vetë Zotin.

Por 20 është dhe dita e shembjes së busteve të gjalla, bllokmenëve hoxhistë, gjakpirës në pushtet, regjimit të tyre mizor.

Revolta antikomuniste e shqiptarëve e 20 shkurtit të vitit 1991 detyroi Ramiz Alinë të kapitullojë dhe të firmosë heqjen e emrit Enver Hoxha, universitetit, dhe të plotësojë të gjitha kërkesat e te grevës së urisë të mbi 720 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta të vendit!

Miq, 20 shkurti i vitit 1991 është gjithashtu datëlindja e dytë e Partisë Demokratike, e cila jo vetëm organizoi dhe drejtoi me sukses, guxim dhe vendosmëri lëvizjen studentore dhe mbarëpopullore, revolucionin demokratik të shkurtit 1991, por qëndroi fuqishëm ndaj grushtit të shtetit, kurtheve dhe akteve terroriste të klikës komuniste në pushtet, që kishin si qëllim hakmarrës primitiv shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe shkatërrimin e Partisë Demokratike, asgjësimin e saj.

Në valën e terrorit të egër të klikës hoxhiste u ekzekutuan ato ditë pa gjyqe nga falangat e krimit në pushtet në rrugët e Tiranës, sportisti i njohur Artan Lenja dhe 11 qytetarë të tjerë!

Nderim për jetë martirëve të shkurtit të vitit 1991, studentëve dhe pedagogëve grevistë të urisë dhe të gjithë atyre burrave dhe grave djemve dhe vajzave që firmosën me gjakun, sakrificat, trimërinë e tyre shembullore librin e lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve!

Por 20 shkurti 1991 si dita e ngadhënjimit të qytetarëve më të shtypur, më të dhunuar, më të izoluar e më të uritur të botës mbi tiraninë më çnjerëzore, më të egër të kohërave është gjithashtu Dita e Kujtesës tonë kombëtare. Kjo është dita e nderimit të sakrificës, dhimbjeve, vuajtjeve të qindra e mijëra burrave dhe grave, të rejave, të rinjve, fëmijëve dhe të moshuarve qëndrestarë, viktimave të kalvarit horror të regjimit të satanit shqiptar, Enver Hoxha.

Prandaj sot le të përulemi me nderimin dhe mirënjohjen tonë më të thellë para të gjithë atyre, që lanë rininë, ëndrrën, të ardhmen, jetën para skuadrave të pushkatimit apo në kampet dhe burgjet e diktaturës si viktima të luftës së klasave, kundërshtar të regjimit apo që vuajtën nga uria dhe vdiqën nga sëmundjet e saj në sistemin skllavopronar të diktaturës hoxhiste!!

Të dashur miq, sot pas 32 vitesh ky 20 shkurt për mbarë shqiptarët është dita e kushtrimit të lirisë, guximit, trimërisë së qytetarëve shqiptar për t'u ngritur në këmbë në një revolucion të ri demokratik kundër monizmit të ri, të bazuar mbi vjedhjen, krimin, drogën dhe për t’ju rezervuar me këtë revolucion bijve bastardë të xhelatëve hoxhistë, me në krye Edvin Kristaq Ramën, fatin e merituar të diktaturës së etërve primitivë dhe barbarë!

PS. Ribotohet me plotësime.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco