Kur propaganda përkthehet si urtësi

Kur propaganda përkthehet si urtësi

Nga Hysni Gurra - 19/02/2023

Sipas disa të dhënave të besueshme që më kanë ardhur, sondazhet e brendshme të Partisë Socialiste tregojnë një garë shumë të ngushtë mes kandidatit të tyre Erion Veliajt dhe kandidatit të opozitës për Tiranën, Belind Këlliçit.

Këto të dhëna brendapartiake nuk publikohen asnjëherë, por janë një e dhënë shumë e rëndësishme.

Mendojeni vetë si është një sondazh që nuk zhvillohet me anëtarë partie por më gjerë, me qytetarë të lirë.

Sa më keq të dalin këto sondazhe aq më shumë sofistikohet e ashpërsohet propaganda në publik. 

‘Urtësia’ propagandistike na thotë se, i mirë është Këlliçi, por Veliaj është favorit.

‘Pse-në’ e kësaj nuk e shpjegon.

Urtësia propagandistike na thotë githashtu se Veliaj ka mbështetjen e socialistëve, por sondazhi i kryer në bazën e socialistëve nuk na e tregon.

Por kjo ‘urtësi’ propagandistike është vetë fryt i manipulimit, meqë arsyeja e shëndoshë na thotë se vetëm ndershmëria është kriteri i parë që duhet konsideruar për një kandidat. Këta nuk na thonë se mbi ç’kriter bazë kandidati i tyre është favorit.(?)

Vetëm duke mos i veçuar kriteret bëhet i mundur nënshtrimi (manipulimi) i opinionit publik ndaj kritereve të cilat nuk evidentohen.

Me përkufizim, kuti parësor që duhet të matet një politikan është ndershmëria.

Kërkesa për një mjedis të rezervuar për politikanët krijon një treg për politikanë të akredituar.

Ndalemi pak këtu; ‘urtësia’ propagandistike në Shqipëri ka bërë një lloj ‘akreditimi’ të gënjeshtërt për politikanin.

Politikan i akreditur në Shqipëri quhet ai person që bën shumë premtime dhe nuk mban asnjë. Ai person që vjedh më shumë dhe i shpëton ligjit (është i zoti). Është ai politikan që përdor mjete ekstra politike e ekstra demokratike për të mundur kundërshtarin, si vjedhje e blerje votash. Shantazhim të administratës publike dhe blen arbitrin (ndërkombëtarët).

Në këtë kuptim, këto janë ato kriteret mbi të cilat ‘urtësia’ propagandistike shpall favorit kandidatin e vet, Veliajn, por që nuk i rendit si kritere ku bazohet, nuk ia tregon publikut.

Politika është një institucion i ndërtuar mbi premisën se të qenit politikan i suksesshëm është produkt i ndershmërisë, mbajtjes së premtimeve përballë elektoratit dhe të sjellurit e politikanit si i punësuar i qytetarëve dhe jo e anasjellta.

Kësisoj ‘urtësia’ propagandistike vazhdon të mos e pranojë këtë premisë, pavarësisht dëshmive dërrmuese për të kundërtën.

Njerëzit e mësojnë pjesën më të madhe të koncepteve politike vetëm nga televizioni dhe rrjetet sociale, madje shpesh pavarësisht se nuk e dinë që po mësojnë.

Prandaj edhe energjia dhe vlera monetare që harxhon pushteti për të manipuluar me ‘urtësi’ propagandistike këto mjete komunikimi është e jashtëzakonshme.

Tragjike është se njerëzve u është krijuar bindja që nuk ndikohen nga kjo propagandë e manipuluar e medias dhe rrjeteve sociale, dhe bërtasin që nuk janë ndikuar.

Mirëpo, sado të kundërshtojnë, nuk zhbëhet fakti që njeriu mëson të mendojë, të dashurojë, të ndiejë, të luajë, të shajë, të bëjë politikë e të punojë pa ndërhyrjen e dukshme direkte të dikujt. Kështu është edhe ndikimi nga këto mjete të kominikimit masiv.

Dhe këtij rregulli nuk i shmanget asnjë konsumator i mediave e rrjeteve sociale në Shqipëri.

Ajo që dua të them në mbyllje të këtij shënimi është se;

1- Propaganda nuk është urtësi, është qëllim. Nëse e shihni si qëllim, dyshimi do t’ju ndihmojë të gërmoni për të parë se cili është qëllimi i saj.

2- Kriteri i parë për të matur një politikan është ndershmëria, më pas oratoria, premtimet e mbajtura etj. Sepse oratorët më të mëdhenj janë mashtruesit, kanë qenë profetët e rremë, po jo çdo njeri që pretendon se është profet është i tillë, jo çdo orator që artikulon bukur thotë gjithmonë të vërtetën.

3- Dhe e fundit, nëse do marrim të mirëqenë akreditimin e politikanëve, që këta nuk e thonë me fjalën ‘akreditim’, po e lënë të nënkuptuar. Si term ‘politikan i akredituar’ po e përdor unë për lehtësi. Atëherë, ky akreditim nuk bëhet nga media e rrjetet sociale, bëhet nga raporti i politikanit me votuesit. Sa i votuar është në një proces krejtësisht demokratik dhe të lirë.

E fundit, Veliaj është prej 8 vitesh kryetar i Tiranës. Mbi të rëndojnë akuza për korrupsion me inceneratorët, kullat, lejet e ndërtimit, teatri, keqmenaxhimi i taksave të qytetarëve etj, etj. Si është e mundur që ky të jetë favorit përballë Belind Këlliçit? Si? Mbi ç’kritere? Mbi ç’arsyetim? Pra, mbi asnjë kriter e arsyetim logjik ai nuk mund të jetë favorit, prandaj edhe ‘urtësia’ propagandistike punon kaq fort e me ngulm që të ngulisë në mendjen e njerëzve të kundërtën e realitetit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco