Fuqia e drejtësisë amerikane në Tiranë dhe ambasadorja Kim

Fuqia e drejtësisë amerikane në Tiranë dhe ambasadorja Kim

Nga Basir Çollaku - 18/02/2023

Diku më 20 e 21 janar të motit të ri trejavësh, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij ishin në një zjarrmi ulëritëse, sepse u kish plasur një super-dosje amerikane ndër duar: korrupsion, shkelje sanksionesh, spiunazh!

U turrën taboret mediatike e politike plot me padi në SPAK për opozitën, me ngjarje 15 – 20-vjeçare. Dosjet për politikën janë si vera, sa më e vjetër aq më e shijshme.  Prokuroria fatkeqe si xhelatinë i shkoi pas avazit, qeverisë. Zhurmoi bashkë me të.

Departamenti i Drejtësisë kishte dërguar ndër të tjera një dosje në gjykatë, në Uashington. Po atje ishte arrestuar ish-Drejtori i Kundërzbulimit të Neë York, Charles McGonigal. Në aktakuzë përmendej 14 herë emri i Edi Ramës, i kryeministrit të Shqipërisë.

Niveli më i lartë i zyrtarit të FBI-së të arrestuar dhe akuzuar në historinë e inteligjencës amerikane. Takime infomale të Ramës me agjentin dhe dy kolegë të tij. Porosi hetimi kundër opozitës nga Rama. Shpërblime me biznese. 225 mijë dollarë “cash” në një parking në USA. Një oligark rus i sanksionuar nga amerikanët, Oleg Deripaska në ortakëri biznesesh. Kinezët të përfshirë në histori të kësaj dosjeje.

Mediet më të mëdha në SHBA ka një muaj e kanë lajm të parë. Imazhi i FBI-së, i akuzuar si e korruptuar dhe Rama në këtë valle korrupsioni. Hetimi ne Kongres e Senat vijon.

Ç’kishte ndodhur?!

Demokracia më hibride në botë, ajo e Shqipërisë, cenoi si të korruptuar FBI-në, institucionin më të pakorruptueshëm të demokracisë më solide në botë, atë të Amerikës. Rama, piktori bojatisës, u bë aktor!

Ç’ndodhi në Tiranë?!

Rama u izolua tre javë. Angazhoi gjithë pushtetin e prokurorinë të prodhojë ngjarje larg vetes të harrohej Charles.

Arrestoi Alda Klosin, zyrtaren e grabitur 700-mijë euroshe - mori në hetim Fatmir Mediun për Gërdecin - i bëri padi Berishës e Bashës për “21 janarin” - caktoi datë për vulën e PD-së - arrestoi në ajër Stela Gugalljen - shpalli në kërkim Klodian Zoton pas tre vjetësh -  lajmëroi krehje qelie për Arben Ahmetajn - çoi në SPAK, Damian Gjiknurin - pataksi Erion Veliajn - trembi Ballën, Spiropalin e Ballukun - qerasi si shpeshherë, opozitarë, me flirte financiare të rrëmujëzonin andej nga PD-ja - nxori kokën dy orë në “Klan”, por prapë asgjë.

McGonigal shpërthen çdo orë e më tepër.

Ambasada amerikane nuk flet. Njëanshmëria e saj e vazhdueshme pro Ramës, tej Konventës e stofit diplomatik, këtu ngeci. FBI duket ka zbritur prej javësh në Tiranë. Tani flet “ustai”.

Zonja Kim ka qenë në çdo prokurori e çdo gjykatë. Në KLP e KLGJ. Kudo. Ka mbajtur leksion dhe në Kushtetuese. Në çdo zyrë drejtësie. Shpeshtësia e vizitave të saj dhe e porosive kontekstuale më shumë i stepi se i motivoi prokurorët e institucionet, të dubluara dhe emëruara nga Rama, duke përfshirë edhe SPAK. Por tani zonja Kim nuk thotë asnjë fjalë dhe nuk do të thotë aspak. Mirë nuk bën. Por mbase nuk mundet. Nuk foli për Ramën kur u gjykua si “gruaja e Bilalit” për foton 80-mijë dollarëshe me Obamën.

Nuk foli kur u hetua Lulzim Basha, për lobimin e PD-së nga Nik Muzin, ndonëse kjo mesele doli plot “e charlosur”. Nuk do të flasë as tani. Nuk e ndihmon dot Ramën me asnjë fjali apo veprim, sepse është e thjeshtë: amerikanët politikanë e diplomatë, kur flet drejtësia, thonë shkurt: Gjykata vendos!

Nëse ambasadorja do të thoshte edhe gjysmë rreshti për dijeni ngjarjeje që mbron Ramën, kjo e çon edhe atë të rrëfeje tek Juria e Madhe, ta thotë në gjykatë në Uashington; mbase mund të inkurajonte SPAK-un të bashkëpunonte me Departamentin e Drejtësisë për të ndihmuar hetimin. Mbase.

Kjo dosje amerikane e Ramës në Tiranë tregon se si duhet të ishte Reforma në Drejtësi.

Fuqia e drejtësisë amerikane të çështjes Rama-McGonigal, bën të pafuqishëm këdo tjetër që përpiqet të ndikojë, sado pushtet e para të ketë. Juria “pret” bileta sa të jetë e nevojshme. Zoti e bekoftë Amerikën.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco