Drejt zgjedhjeve lokale

Drejt zgjedhjeve lokale

Nga Arbër Zaimi - 16/02/2023

Nga njëra anë partia e Ramës, me pushtetin e saj absolut në nivel qendror e në atë lokal.

Në anën tjetër opozita, e cila për herë të parë në mbi tridhjetë vjet pluralizëm, është thuajse totalisht e përjashtuar nga pushteti.

Kështu po shkon Shqipëria drejt zgjedhjeve lokale që do të mbahen në 14 maj.

Po të kishte mbetur një fije racionalitet te Rama, ai do të duhej të kishte interes të drejtpërdrejtë që të ndante pushtetin dhe përgjegjësinë, sidomos në nivelin lokal. Njerëzit janë masivisht të lodhur prej tij në mandatin e tretë, teksa bashkëpunëtorët e tij më të afërt po rrëzohen një e nga një prej skandaleve korruptive, dhe një pjesë jo e parëndësishme po përfundon në burg.

Ka patur edhe zëra se Rama mund të bëjë pikërisht këtë gjë, t’i lëshojë ca hapësirë opozitës. Psh. është folur se ky skenar mund të zbatohet në Tiranë, pasi Rama me një gur do të vriste dy zogj: nga njëra anë do ta “digjte” Veliajn, pasardhësin që ia kanë paketuar agjendat e donatorëve të huaj e rreth të cilit gravitojnë disa grupe interesi brenda PS-së, nga ana tjetër do të promovonte brenda opozitës një tjetër figurë, një të ri i cili në të ardhmen mund edhe të mos i bindej udhëheqësve të vjetër.

Por asgjë nuk duket se e mbështet një opinion të tillë. Përkundrazi, Rama ka angazhuar maksimalisht disiplinuesit e të punësuarve në administratë, patronazhistët dhe skemat si aplikacioni “aktivisti”, për të mos lënë asnjë votë pro-pushtet që të shkojë dëm. Madje edhe në Shkodër, në bashkinë e vetme ku qeveris opozita, Rama ka angazhuar multimilionerët e tij që Amerika nuk i lejoi të hyjnë në parlament - për të blerë vota se për çka tjetër. Pra, në vend se të linte hapësirë që të shfryhej presioni opozitar, ai po kujdeset të mos lërë as edhe një të çarë.

Kjo përshtypje të krijohet teksa sheh edhe mediet, kryesisht të heshtura kur vjen puna te thellimi i kritikës ndaj qeverisë, apo te hulumtimi i aferave për të cilat shkruhet në gjithë botën.

Por paradoksalisht, kjo përpjekje “totalizuese” e Ramës dhe e të tijve, mund t’i leverdisë opozitës.

Nëse fushata karakterizohet nga protestat paqësore e masive opozitare dhe nga përshtypja se Rama kontrollon pushtetin, mediet, bizneset e gjykatat - kjo nuk do të jetë në favor të Ramës. Popujt karakterizohen masivisht nga një parandjenjë anti-tiranike, dhe kjo dallohet me solidarizimin që ndodh zakonisht me viktimat e padrejtësive, kudo në vend e në botë.

Pra nëse nga një anë do të kemi opozitën e cila bën një fushatë ku masivitetin ia garantojnë protestat që duhet t’i japin zë shqetësimeve të klasave të mesme e të ulëta shoqërore - dhe nga ana tjetër Ramën me ushtarë të bindur që ose kandidojnë ose duartrokasin, - simpatia e publikut me shumë gjasë do të shkojë nga të parët. Me rëndësi megjithatë është që opozita të ruhet nga dy gjëra: e para nga këshillat e njerëzve që i thonë të jetë “më radikale”, e dyta nga riciklimi i figurave që përjashton Rama.

Dikush mund të thotë: pse duhet votuar kjo opozitë e vjetër, ne kemi nevojë për diçka të re. Natyrisht, ka edhe opsione të reja në fletën e votimit. Por një gjë duhet mbajtur mirë parasysh, e reja nuk mund të rritet aty ku pushteti konsolidohet dhe rri i pashqetësuar në mënyrë afatgjatë. Historia e shumë vendeve tregon se vetëm pas disa ndryshimeve të shpeshta (pse jo dhe të parakohshme) të pushtetit midis partive të vjetra, krijohet hapësira për të renë. Prandaj, kush e dëshiron të renë, assesi nuk mund t’i gëzohet vijimit të njerëzve të Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco