Keq-qeverisja dhe korrupsioni i panderprerë qeveritar

Keq-qeverisja dhe korrupsioni i panderprerë qeveritar

Nga Bujar Leskaj - 10/02/2023

Një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, duhet të përmbushë kërkesat e Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të ndërmarrë reforma konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor. Duhet të ketë transparencë dhe llogaridhënie, të luftojë realisht korrupsionin me reforma dhe politika antikorrupsion, si dhe të investojë në shtetin e së drejtës, duke ndërtuar institucione të besueshme, funksionale e në shërbim të qytetarëve! Por çfarë ka bërë sekti Rama në qeverisje në këta 10 vjet? Përgjigjja vjen nga institucione prestigjoze ndërkombëtare, që i japin notën ngelëse kësaj (keq)qeverisjeje.

I. BERZH: qeverisja në përkeqësim

Sipas “Raportit të Tranzicionit për vitet 2022-2023”, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH) të publikuar më 30 janar 2023, cilësia e qeverisjes së Shqipërisë është në përkeqësim. Treguesi që mat mirëqeverisjen ka rënë nga 5.26 pikë që ishte në 2016, në 4.62 pikë në vitin 2021. Arsyet kryesore se përse keqqeverisja në vendin tonë po thellohet janë, sipas BERZH, rritja e informalitetit dhe e korrupsionit.“ “Efekti i dëmshëm i korrupsionit është tre herë më i madh se ndikimi negativ i taksave shtesë mbi firmat, për shkak të pasigurisë më të madhe dhe kostove të transaksionit”(Faqe 7, paragrafi i tretë i Raportit) .

“Treguesit e progresit të Shqipërisë në qeverisje kanë qenë të paqëndrueshëm në dhjetë vitet e fundit”, thekson BERZH. “Vendi nuk ka qenë i suksesshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të respektuar sundimin e ligjit”( Po aty, faqe 9, paragrafi i dytë). Treguesit ku Shqipëria ka performuar më dobët janë llogaridhënia dhe zëri i qytetarëve, efektiviteti i qeverisjes, sundimi i ligjit dhe cilësia e enteve rregullatore.

“Rezultatet e qeverisjes janë përkeqësuar ndjeshëm në një numër sferash të ekonomisë gjatë gjashtë viteve të fundit, duke reflektuar kryesisht rritje të informalitetit dhe korrupsionit të perceptuar. Disa sfera të ekonomisë kanë evidentuar gjithashtu përkeqësime në pavarësinë e gjyqësorit, transparencën buxhetore dhe zbatimin e kontratave", thuhet në Raport. BERZH parashikon që ekonomia shqiptare do të ngadalësojë rritjen e saj gjatë këtij viti. 

Sipas BERZH, reforma fiskale duhej të krijonte më shumë hapësirë për politikat ekonomike dhe të forconte qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Strategjia fiskale afatmesme duhet të mobilizojë të ardhurat dhe të rrisë bazën e tatimpaguesve. Qeveria duhet të marrë parasysh rreziqet fiskale që vijnë nga PPP-të dhe të garantojë kompanitë publike.

Raporti i BERZH e cilëson të pamjaftueshme mbështetjen qeveritare ndaj shtresave në nevojë gjatë periudhës pas shpërthimit të luftës në Ukraine, të shoqëruar me një rritje të fortë të inflacionit.

Kapja e shtetit është identifikuar si një problem serioz dhe që pengon procesin e integrimit në BE. Sipas BERZH, pothuajse 3 % e vlerës së qarkullimit të firmave në Shqipëri (vlera më e lartë në rajonet e BERZH) shpenzohet për pagesa informale, në krahasim me më pak se 0,01 % në ekonomitë e përparuara, si Estonia dhe Letonia.

Raporti kritik i BERZH vjen pas shumë gjetjesh dhe konkluzionesh kritike dhe alarmante nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Transparency International, SELDI, FMN dhe Banka Botërore, lidhur me nivelin e korrupsionit dhe të kapjes së shtetit tek ne.

II.Transparency International: Shqiperia, dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës. Me ndikim tejet të tepruar të ekzekutivit dhe pa hapësirë qytetare

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit të perceptimit të korrupsionit, nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Në Raportin e përvitshëm të tij për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të publikuar më 31 janar 2023, Transparency International i jep vendit tonë vetëm 36 pikë, ose dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës, që është Bosnje-Hercegovina me 34 pikë. Shqipëria ndodhet në vendin e 101-të në renditje, së bashku me Serbinë dhe Turqinë.

Sipas Transparency International, Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Turqia janë shtetet më të korruptuara në Europë, pa përfshirë vendet e ish- Bashkimit Sovjetik.

Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim, duke u ngjitur në vendin e 85-të, me 40 pikë. Kosova renditet në vendin e 84-t, me 41 pikë. Shteti më pak i korruptuar në rajon është Mali i Zi, me 45 pikë, në vendin e 65-të.

Sipas Transparency International, në 5 vitet e fundit(2017-2022), Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikëve. Organizata prestigjoze konkludon se mos-përparimi nënkupton se vendi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Po sipas Transparency International, në një intervistë të Koordinatores Rajonale të organizatës   për Europën Lindore dhe Jug-Lindore, Lidija Prokic, “Qeveria shqiptare ka forcuar kontrollet mbi median, duke përfshirë fushata baltosjeje dhe intimidimi, si dhe ka bllokuar të dhënat publike dhe llogaridhënien mbi vendimmarrjet, duke u lejuar institucioneve publike që të krijojnë baza të reja ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit”.

Transparency International thekson se Shqipëria duhet të përmirësojë rezultatet e saj në të gjitha fushat. Kjo do të thotë se nëse reformat përqëndrohen vetëm në disa fusha, atëherë nuk ka një përmirësim të qendrueshëm dhe reformat anti-korrupsion duhet të shoqërohen nga reformat demokratike. Vendi ka nevojë për mekanizma frytdhënës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të ndikimit aktual tejet të tepruar të ekzekutivit dhe duhet të mbështesë hapësirën qytetare, në mëyrë që organizatat e shoqërisë civile dhe media të mund të veprojnë pa qenë nën presion ose të frikësuar.

Zyrtarët publikë duhet ta kuptojnë se suksesi kundër korrupsionit do të jetë i kufizuar, deri kur ata të lejojnë që vendimet që marrin të jenë të hapura për publikun.

Sipas Transparency International, performanca e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është dobësuar, veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve.

Organizata prestigjoze konkludon se performanca e demokracisë në Shqipëri ka qenë në stanjacion në pjesën dërrmuese te viteve te fundit. Ajo cilëson se Shqipëria mund të ketë sukses, vetëm nëse do të mundet të krijojë një sistem funksional kontrolli dhe ekuilibrash dhe të ndërrojë kulturën e ndëshkimit të korrupsionit, sidomos kur vjen fjala tek zyrtarët e niveleve të larta.

xx

Sekti Rama në qeverisje, në shpërfillje të hapur të rekomandimeve të vyera të Departamentit Amerikan të Shtetit, BERZH, Transparency International, SELDI, FMN dhe Bankës Botërore,  nuk ka ndërmend ta çrrënjosë kurrë anti-kulturën e mos-ndëshkimit të korrupsionit. Në të kundërt, Lideri Global po tregohet mjeshtër në arritjen e nivele më të larta, madje edhe ndërkombëtare(me skandalin McGonigal), të të korruptuarit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj12/02/2023 10:15

Tani që duket se ke kaluar në Anën e Drejtë, po t'i bëj hallall shqetësimet shumëëëëëë të padrejta që më ke shkaktuar!
(P.s. vartësit e tu më thonin na fto dëshmitarë edhe pse do të humbim vendin e punës...)
Sidoqoftë, të shkuara e të harruara... ky koment është më shumë për t'ju thënë zyrtarëve të nesërm që mos përdorni postin për interesa personal!!!! Se bëheni rilinds (jo ps-ist).

Shto koment

Denonco