Edi Rama ka thirrur amendamentin e 5-të

Edi Rama ka thirrur amendamentin e 5-të

Nga Klodian Tomorri - 02/02/2023

Në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara ekziston një nen, i cili u siguron të pandehurve privilegjin e mbrojtjes nga vetëinkriminimi.

Amendamenti i 5-të, ose ligji Miranda siç njihet ndryshe, u jep individëve të drejtën që të mos dëshmojnë në një proces apo të mos i përgjigjen pyetjeve të autoriteteve kur ata mendojnë se përgjigja mund t’i inkriminojë.

I ratifikuar nga Kongresi në vitin 1791, klauzola e vetëinkriminimit synonte të mbronte qytetarët nga dëshmitë nën torturë apo përdorimi i forcës nga autoritetet për t’i detyruar që të fajësojnë veten. Por që nga ajo kohë fushëveprimit i kësaj klauzole është zgjeruar dhe aktualisht amendamenti i pestë është referenca ligjore më e dashur për personazhet e botës së krimit.

Prova për këtë janë proceset apo seancat publike kundër mafias si komisionet e famshme hetimore të senatit amerikan. Në vitin 1958, Vito Genovese, bosi famëkeq i mafies e thirri 150 herë Amendamentin e Pestë në seancën dëgjimore të Komitet Special Antimafie në Senatin Amerikan. Të njëjtën gjë bënë me radhë të gjithë anëtarët e 5 familjeve mafioze të thirrur për të dëshmuar para Komisionit Special, ‘Mçlellan’. Por atje është botë tjetër. Tani të kthehemi këtu.

Refuzimi për t’u përgjigjur interpelancës së thirrur nga deputetët e opozitës për çështjen McGonigal e vendos kryeministrin në pozitat e mbrojtjes nga vetëinkriminimi. Ndryshe nga Vito Genovese, kryeministri nuk është zyrtarisht i pandehur apo i akuzuar nga drejtësia shqiptare. Por kjo pak rëndësi ka.

Edi Rama ka minimalisht detyrimin moral nga pozitat e njeriut më të fuqishëm të shtetit të sqarojë qytetarët për marrëdhënien e tij të pazakontë me një ish-agjent të FBI-së, tashmë i diskriminuar. Do të ishte në nderin e Kryeministrit të tregonte publikisht se si është njohur me Charles Mcgonigal, sa herë është takuar me të, a i ka dhënë atij dokumente për t’i përdorur kundër opozitës e e shumë e shumë rrethana të tjera.

Do apo nuk do zoti Rama, sot emri i tij përmendet 14 herë në dosjen me të famshme të momentit që ka drejtësia amerikane. Në këtë situatë, çdo qytetar shqiptar besoj ka interesin, por edhe të drejtën të kërkojë sqarime nga kryeministri. Por kryeministri zgjodhi të heshtë.

Që nga shpërthimi i skandalit McGonigal, Edi Rama ka thënë vetëm tre fjali publikisht. E para, që nuk e ka mik shqiptarçe, por anglezçe. E dyta, që hetimi në SHBA nuk ka lidhje me të. Dhe e treta opozita është si Big Brotheri.

Sigurisht që është në të drejtën e tij të heshtë. Ligjërisht, e drejta për të heshtur i takon çdo të dyshuari, përfshirë kryeministrave. Por moralisht një kryeministër nuk mundet kurrsesi ta lejojë veten të shkojë në pozita të ngjashme me Vito Genovesen apo Frank Costellon.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco