Rama, frikë nga hetimi i 21 janarit, ai është 21 janar mbi çdo institucion

Rama, frikë nga hetimi i 21 janarit, ai është 21 janar mbi çdo institucion

Nga Basir Çollaku - 21/01/2023

Edi Rama nuk e do hetimin e 21 janarit 2011, protestës së kryesuar prej tij, ku përplasja solli pasojë ekstreme tragjike, katër qytetarë protestues të vrarë. Madje është njeriu më i interesuar për mos-hetim. Mundet të jetë njëherësh, kontribuuesi i rëndësishëm për ta fjetur e lënë shpërndarë viteve. Kryeministri Rama, prej shumë vitesh kontrollon dhunshëm çdo pushtet. Përfshirë këtu edhe drejtësinë, të cilën sot e kontrollon më tepër se qeverinë.

Provat e këtij fakti janë publike. E mbajti Sajmir Tahirin aq sa deshi jashtë qelie dhe hetimi. Sulmoi pacipësisht oficerin e antidrogës denoncues Dritan Zagani dhe oficerin italian të Guardias A.Giuliani, ndonëse antimafia italiane u dha të drejtë oficerëve.

E manipuloi hetimin për vëllanë e Fatmir Xhafës aq sa deshi dhe si deshi, duke bërtitur publikisht se zërin e Agron Geron Xhafës e njihte më mirë ai se ekspertët.

Ulërinte për qelibarllëkun e Elvis Rroshit, më pas i larguar nga dekriminalizimi, sot sërish në hetim përballë Prokurorisë së Posaçme.

E kontrolloi dhe trukoi hetimin për Taulant Ballën, Rrahman Rrajën, Artur Bushin, në ngjarjen e Postës së Policisë së Fushë Krujës, kur oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, iu vu pistoleta nga banditët në zyrën e tij në prani të emrave të mësipërm.

E mban varur dhe e gradon Ilir Beqën, dosja e të cilit në SPAK sot, dhe Krimet e Rënda dje, është me metër kub.

E quan Vangjush Dakon akullore, sapo është shpallur non-grata nga USA për afera të mëdha korrupsioni, madje bëri kurban ish-ministrin Xhafa kur u përpoq të arrestonte Dakon.

E mbron verbërisht edhe nga frika Arben Ahmetajn, sepse në vallen e inceneratorëve, rindërtimeve, ish-ministri e merr me vete bashkë me Agaçin, Subashin, Sakon, Gjiknurin dhe Veliajn në superdosjen gjysmë miliardë euro të inceneratorëve.

Ministrin Lefter Koka e dërgoi në qeli pasi e ftoi bashkë me ish-ministrin Naço t’i jepnin një dorë elektorale në vitin 2021. Dhe ai mbetet ne burg ku as e pyesin nga frika mos dëshmia hap kapitull vrasës për të pandehur të munguar brenda qeverisë.

Alqi Bllakon, deputetin e tij, e la të largohej, ndaloi policinë të zbatonte urdhrin e SPAK, pastaj e ktheu për të arnuar dosjen rrugës.

Kryebashkiakun e Tiranës, që ka më së paku dy dosje për mafian, ku i del emri dukshëm në SPAK, e rikandidon për ta larguar nga qelia.

Struket dhe tulat njëherësh Prokurorinë Speciale, pasi i vëllai Olsi Rama, gjendet në ortakëri me Amant Josifin, organizatën e akuzuar nga partnerët italianë, spanjollë, belge, gjermanë, për mashtrime mbi 2.4 miliardë dollarë, shifër më e madhe se piramidat e zeza të 97-ës.

Mbron me çdo marifet force Xhaçkën strategjike sepse i duhet për qokën katastrofike të detit dhe mjaft zullume te tjera të mëdha.  Belindën sërish e sajdis me garanci mos-hetimi, ndonëse masakrat financiare në investime rrugësh, energji, KESH, OSHEE, OST, janë puseta thithëse të parasë publike. Aty janë edhe Benet Beci kandidati i Shkodrës dhe Ardian Çela, pretendent për kandidat në Durrës. Për të dy mirë është të flasë prokuroria ku gjenden me hetimet. Se shefja e kabinetit të Çelës, kthyer me dorëzim të kontrolluar në qeli, bitisi qindra mijë euro tendera, për të cilat nuk paska pasur dijeni titullari!!!?

Kilometrat e rrugëve 20-milionë euroshe, më parë nga Damiani e tani nga Balluku, apo Porti i Durrësit miliarda dollarë ku shitet ajri e prokuroria bën sehir, janë shtesa të pafundme marrëzie.

E largoi Ardi Veliun si drejtues policie kur u bënë shkeljet mullar pastaj e ktheu mbikëqyrës të saj, pasi kishte larguar edhe drejtorin 10-mujor të policisë Gledis Nano, sepse një kasetë fort delikate dëshmitari, pati përfundim diplomatik dhe nuk ra në duart e tij.

Për t’iu rikthyer datës së dashurisë mbi hipokrizinë e Ramës. Po. Një nga fëmijët e viktimave të 21 janarit a punon në kryeministri dhe çfarë përgjigje i jep Rama për vrasjen e babait?!?! Ai mund të jetë fakt i ri hetimor. Mbase...

Sekretet e Ramës mund të jenë frikërat e Ramës dhe për të mbrojtur veten, ortakët e tij në krimet e ndodhura, ai, Edi Rama, është gati të vrasë çdo institucion. Përfshirë edhe pjesë të opozitës...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco