Analiza e ministreve: Propagandë pa perspektivë e Arsimit dhe Rinisë

Analiza e ministreve: Propagandë pa perspektivë e Arsimit dhe Rinisë

Nga Elior Vila - 19/01/2023

Para disa ditësh Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët paraqitën analizën vjetore për vitin 2022: baza e suksesit të pretenduar ishin retorikat e ministreve përkatëse dhe disa grafikë të prezantuar për publikun.  Çka i mungoi kësaj analize ishte një raport publik i hollësishëm që do të përbënte burimin zyrtar të verifikimit të të gjitha veprimtarive dhe objektivave të realizuara në vitin që lamë pas.

Një lajm i keq që u anashkalua nga ministrja e MASH, ishte edhe mbyllja përfundimtare në vitin 2022 e Fondit të Ekselencës të krijuar në vitin 2007 nga qeveria Berisha. Ai fond u krijua si një mbështetje konkrete për ekselencën shqiptare, por edhe si vlerësim për më të mirët të cilët do të ishin të gatshëm të kontribuonin në fushat me të rëndësishme. Tashme e tutje buxheti i atij fondi sipas MAS do ti kalojë ekselencës së brendshme me premtimin që cilësia e universiteteve në Shqipëri nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga ajo e universiteteve me të mira në botë.

Inkurajimi pa ndërprerje i studimit të më të mirëve në universitetet shqiptare dhe mbështetjen pa kusht ndaj tyre, dy=uhet të jetë politikë thelbësore, krejt e kundërat e propagandës qeveritare me cilësinë në gojë, që çoi në boshatisjen graduale të universiteteve. Justifikimi për mbylljen e Fondit të Ekselencës tregon që të rinjtë dhe të diplomuarit në universitetet elitare në botë nuk i shohin ambientin dhe kushtet në Shqipëri si mundësi kthimi dhe kontributi për shkak të humbjes së besimit në institucionet shtetërore dhe klimës së korrupsionit. Këtë e tregoi më së miri edhe shmangja e përgjigjes ndaj pyetjes që ju drejtua ministres së SHRF në lidhje me  numrin e të rinjve që janë kthyer në Shqipëri për tju bashkuar programeve që pretendohet se janë hapur për ta.

Qeveria shqiptare nuk ka momentalisht asnjë plan apo iniciative për të inkurajuar kthimin e të rinjve dhe të diplomuarve jashtë shtetit. Përkundrazi, ajo qe po shohim çdo dite është një rrjedhje e frikshme e trurit dhe largim në masë i rinisë.

Partia demokratike është e angazhuar maksimalisht për të krijuar programe dhe iniciativa në mbështetje të ekselentëve dhe rinise duke premtuar se ata do të kenë një vend të veçantë në mjaft procese zhvilluese dhe vendimmarrëse në të mirë të progresit të vendit dhe shoqërisë. Thithja e trurit do te bazohet në politika efikase të cilat do të gërshetojnë përshtatjen e anës ligjore me atë financiare duke nxitur dhe motivuar kthimin e më të mirëve.

Analiza e MAS dhe MSHRF u fokusua në një mase të madhe në zhvillimin teknologjik me ane të ndërtimit të laboratorëve të IT dhe programeve te kodimit për të rinjtë.  Kjo pjese e analizës u duk se u zhvillua më tepër në botën virtuale sesa reale. U përmendën shifra laboratorësh të ndërtuar në 34 qytete pa dhënë hollësi se ku, 200 për tu ndërtuar në vitin 2023 apo 884 për tu ndërtuar në total në bashkëpunim edhe me fondacione të ndryshme. U përmendën po ashtu rroga në nivel evropian për ata që diplomoheshin në fushat e IT, por nuk u tha asnjë fjalë për rrogat e mësueseve të IT të cilat sikurse rrogat e çdo mësuesi të Matematikës, Fizikës, Gjuhës, Letërsisë Historisë etj. janë ndër me të ulëtat në rajon. Politikat e dështuara arsimore kanë bërë që programet e mësuesisë të braktisen në mase nga të rinjtë në një treg pune agresiv ku profesioni i IT është ndër më të paguarit.  Rrjedhimisht mungesa e mësuesve të IT do të bëjë që zbatimi i programeve në këtë fushë të ngelet vetëm në letër dhe do të jetë po aq surrealist sa ndërtimi i atyre qindra laboratorëve imagjinarë.

Madje edhe joshja me ane të bursave për të studiuar në programet e studimit prioritare nuk pati efekt për aq kohë sa mësuesit do të jenë të keqpaguar me trajtim aspak dinjitoz.

Ndërkohë MAS për të justifikuar braktisjen në masë të programeve të studimit i vë fajin numrit të madh të programeve që ofrojnë universitetet duke gjetur çelësin e zgjidhjes së problemit te profilizimi i universiteteve rajonale dhe duke centralizuar mjaft programe studimi në universitetet në Tiranë. Kjo gjë jo vetëm që nuk do të sjellë ndonjë zgjidhje por do të thelloje krizën e universiteteve rajonale, pasi mbyllja e programeve të studimit “jashtë profilit” jo vetëm do të sillte tkurrjen e mëtejshme të numrit të studentëve, por do të vinte në pikëpyetje se çdo të behej me stafin akademik apo infrastrukturën për të cilat janë investuar prej dekadash. Do të ishte qesharake të mendohej se nevojat për profesionistë të diplomuar në fusha jashtë “profilit rajonal” do të plotësoheshin vetëm nga të diplomuarit e universiteteve të Tiranës. Praktika e profilizimit për vende të vogla si Shqipëria do të thotë firmosje e dhënies fund të ekzistencës së universiteteve të cilët kanë historinë, kontributin dhe vlerën e tyre në arsimin shqiptar.

Analiza e MAS dhe MSHRF i ngjan një panorame verbuese në dritën e diellit por të trishtuar në realitet ku problematikat e arsimit të evidentuara në vite vetëm thellohen falë edhe fenomenit të shpopullimit që duhet ndalur me çdo kusht. 

*Drejtuesi i Departamentit të Brain gain dhe Ekselencës në Partinë Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco