Evolucioni i ‘hajdutit’ të votës; nga patronazhist në aktivist

Evolucioni i ‘hajdutit’ të votës; nga patronazhist në aktivist

Nga Hysni Gurra - 17/01/2023

Në zgjedhjet e vitit 2021 shpërtheu në publik skandali me patronazhistët. Çfarë ishin patronazhistët?

Punonjës të administratës shtetërore të cilët ‘markonin’ qytetarët për t’i intimiduar para se të shkojnë në kutinë e votimit. Dikë e shantazhonin, dikë e kërcënonin me vendin e punës, dikë e blinin.

Një patronazhist mund të kishte mbi 10 qytetar që i markonte.

Gjithë ky skandal kaloi pa asnjë pasojë për pushtetin, madje me benefit, mori mandatin e tretë.

Përdorën gjithë këtë makineri edhe pse përballë kishin një kundërshtar në marrëveshje me ta, ish-kreun e opozitës.

Duke qenë se gjendja e opozitës ka ndryshuar, marrëveshjet kanë rënë, kupola drejtuese e re nuk është në pazare më me ta, mazhoranca ka evoluar metodën e vjedhjes së votës për 14 majin.

Para se të shpjegoj evolucionin nga patronazhist në aktivist po shënoj shkakun;

Fitorja e parë e opozitës, specifikisht e kandidatit të saj për Tiranën, Belind Këlliçi, ndaj Veliajt, është psikologjike.

Këtë betejë Këlliçi e ka arritur ta fitojë vetëm në pak ditë pasi është zyrtarizuar si kandidat.

Kandidati i mazhorancës për Tiranën është dukshëm në panik nga rivali i tij derisa ka lënë çdo punë dhe po merret personalisht për të sofistikuar mënyra ekstraelektorale për të mbajtur pushtetin.

Edhe ato punë që po kryen, asfaltin elektoral, po i kryen me shkelje të papara.

Edhe pse ka pjesën më të madhe te mediave nën kontroll, të cilat ndërpresin çdo transmetim për të futur ‘live’ kronikat e tij, ai nuk ndihet i sigurtë dhe ka vënë në lëvizje ushtrinë dixhitale.

Në 31 vjetorin e FRESH-it përgëzon patronazhistin dhe shpall evolucionin e tij në ‘aktivisti’.

Kanë harxhuar miliona para për të krijuar aplikacionin aktivisti.al, aplikacion i cili bën patronazhist çdo punonjës të administratës së bashkisë dhe pushtetit qëndror.

Aplikacionit po i paraprin një fryrje si tullumbace e administratës, kap e fut njerëz në punë. Njerëz që paguhen me taksat e qytetarëve, jo për t’u shërbyer atyre, por për t’i shërbyer pushtetit.

Aplikacioni vendos në monitorim çdo punonjës të administratës së bashkisë dhe pushtetit qëndror që të masë pëlqimet, shpërndarjet dhe të komentojë në rrjetet sociale të kryebashkiakut Veliaj e KM Rama.

Po të futeni në faqet e këtyre të dyve do të vëreni se interaktiviteti në këto tre komponentë është rritur me 300% krahasuar me 1 ose 2 vite më parë në të njëjtën periudhë. 

Administratës së Bashkisë së Tiranës dhe pushtetit qëndror nuk i matet më puna në shërbim të qytetarit, por i matet puna në shërbim të kryetarit.

Nëse nuk ke bërë ‘like’, ‘share’, ‘koment’ sa duhet kryetarit e KM linçohesh para ‘aktivistëve’ të tjerë, motivohesh për më shumë punë, ose paralajmërohesh për shkarkim nga puna.

Terror psikologjik dhe terror i kafshatës!

Nëse ke performuar mirë me këto tre komponentë, atëherë lëvdohesh para kolektivit dhe shërben si model motivimi për ‘dembelët’ e partisë.

Pra, ndërkohë që kryetari i bashkisë duhet të fokusohet te zgjidhja e halleve të qytetarëve, pasi është akoma në kontratë të papërfunduar me ta, ai fokusohet te rinovimi i kontratës me forma presioni e shantazhi.

Nuk i besojnë votës së lirë, sepse me ç’duket modeli i Këlliçit i ka tromaksur.

Ose pse kanë kaluar në një mobilizim të tillë atëherë?!

Administrata publike paguhet me taksat e qytetarëve, këta e përdorin sikur i kanë skllevër në ugarin e tyre të cilin po e bëjnë gati për mbjelljet e pranverës.

Një administratë publike që nuk punon, por përgjon!

Një administratë publike që nuk punon, por spiunon.

Një administratë publike që nuk punon, por shantazhon.

p.s- Duke parë këto masa evolutive të patronazhistëve, jo të natyrshme, por me detyrim, nuk ka asnjë diskutim që feedback-u do të jetë poshtërues për ta.

Nga dhuna, presioni, shantazhi lind revolta ose nënshtrimi përfundimtar.

Le të zgjedhin qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit e gjithë Shqipërisë - do zgjedhin të çlirohen apo do të nënshtrohen përfundimisht.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco