Heshtja e ministres për skandalin e shtëpisë ministrore, skandali më ekstrem

Heshtja e ministres për skandalin e shtëpisë ministrore, skandali më ekstrem

Nga Genc Pollo - 16/01/2023

"Përgjegjësia personale dhe peshku i qelbur nga koka"

Në shtator 2005 një person u arrestua nga policia se kishte nxjerrë e shitur tezën e provimit për pranimin e maturantëve në një fakultet të njohur. Provat e dëshmitë, ku përfshiheshin edhe raporte miqësore mes të dyshuarit dhe disa nëpunësve të fakultetit, ishin rënduese e bindëse. Megjithatë prokuroria pas një viti e arkivoi çështjen pa ngritur akuzë.

Mbasi plasi skandali unë, asokohe ministër i Arsimit, kërkova që universiteti e fakulteti të bënin një hetim administrativ të brendshëm, për të sqaruar rrethanat e përcaktuar masat e pasojat jashtë përgjegjësisë penale. Reagimi ishte që "ne nuk kemi pse të bëjmë gjë se e ka marrë në dorë prokuroria"; shto këtu edhe një kujtesë për "autonominë universitare".

Që atëhere e kam kujtuar gjithmonë këtë rast si shembull tronditës të papërgjegjshmërisë. Por për të shikuar pozitiven tek problemi mund të them se ky rast gjithashtu u bë një shtysë më shumë për të shpejtuar në vitin në vijim me provimin kombëtar të standartizuar (Matura Shtetërore) mbi bazën e të cilit menaxhohej pranimi i maturantëve në universitete (sistemi Meritë/Preferencë). 

17 vjet më vonë evitimi i përgjegjësisë personale e institucionale ndër ofiqarët publike është ngjitur në maja ku është ntrashur nga koka tek vithet 

Kryeministri Rama për aferën e inceneratorëve ka deklaruar se ky projekt ka pastruar Shqipërinë nga plehrat dhe se edhe sot e kësaj dite do e bënte njëlloj siç e bëri. Ndërkohë  Kryeministri Rama nuk jep shpjegim për shkeljet ligjore, për faktin se inceneratorët nuk djegin ende plehrat, pra nuk mund të luajnë rol në pastrimin e ambientit; as për qindra mijë euro taksa-pará që paguhen çdo muaj personave në kërkim nga drejtësia.

Rama thotë se nëse ndonjë zyrtar ka ndyrë dorën pas shpinës së tij atëherë është krejt faji atij zyrtari dhe i askujt tjetër. Por sipas tij detyrën zbulimin e fajit (të dukshëm) e kanë të tjerë jashtë qeverisë. Gjithsesi, Rama ka folur duke shpjeguar qëndrimin e tij dhe gjithkush mund të gjykojë për rastin; e shumëkush mund të konkludojë se qeveria i shmanget përgjegjëse individuale e institucionale, në mos po rreket të mbulojë zullumin me shoshë. 

Kush ka menduar se papërgjegjshmëria e rastit më lart është e patejkalueshme në fillim të këtij viti do të ketë konstatuar se për rilindistët nuk ka gjë të pamundur.

Në 11 janar u arrestua Sekretari i Përgjithshëm dhe një drejtor në Ministrinë e Financave; akuza ishte se një personi privat që për një pretendim pronësie ishte dëmshpërblyer njëherë nga shteti me 2500 euro në vitin 2015  këta i akorduan sërish më 14 shtator 2022 një dëmshpërblim të dytë 480 herë më të madh.

Ky rast spikat jo vetëm nga banaliteti i artificit abuziv por edhe se në këtë nivel është rasti i dytë i arrestimit të ofiqarit në detyrë (rasti  i parë ishte i deputetit të inceneratorëve për firmosje, vini re, si Sekretar i Përgjithshëm ministrie).

Por çfarë e bën këtë skandal vërtet pa precedent është që deri sot kur po shkruaj këto radhë, katër ditë mbas arrestimit, Ministri i Financave, znj. Delina Ibrahimi nuk ka folur as edhe një gjysmë fjale për ngjarjen në ministrinë që drejton.

As për të thënë që po i pezullojmë dy zyrtarët e arrestuar e  po bashkëpunojmë me prokurorinë dhe as për të thënë se i konsideron të pafajshëm vartësit e  viktimizuar nga intriga.

Vetëm heshtje sikur të kishte ndodhur në një ministri në anën tjetër të rruzullit. 

Gjë që nuk ndodh as në Zullulandin e Faik Konicës. Jo se ministrit i erdhi arrestimi si surprizë: në  28 dhjetor, e pyetur nga gazetarët për këtë hetim, ministri deklaroi se "sigurisht që jam në dijeni dhe Prokuroria do të bëjë punën e vet". Për të vazhduar me shpjegimin shvejkian se "Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryen pagesa, në funksionin e saj primar ka kryerjen e pagesave përmes Thesarit, për llogari të qeverisë".

Në periudhën hetimore tetor-dhjetor kur ministri ishte në dijeni të hetimit mund fare kollaj përmes auditit të ministrisë ose një grup kontrolli të posaçëm të analizonte urdhër pagesën e 14 shtatorit dhe nëse e gjente të kundraligjshëm e anullonte atë dhe pezullonte e lironte nga detyra zyrtarët përgjegjës, pa interferuar fare me hetimin penal ose minstri e quan normale që shteti të paguaje dy herë e kripur për të njëjtën gjë e në këtë rast duhet të rreshtohet përkrah të arrestuarve. Këtë ne nuk e dimë dhe nuk lipset të telepatisim Ibrahimin. 

Por ajo që mund të themi me plot gojën është se heshtja e gjatë e ministrit për skandalin e shtëpisë ministrore është skandali më ekstrem. Edhe në Zululand nuk do të mbetej zulu pa protestuar në rrugë deri në dorëheqjen e ministrit. 

*Genc Pollo, Ish-ministër e deputet i PD

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco