Lufta për votat mizerabël dhe një kanal në mes

Lufta për votat mizerabël dhe një kanal në mes

Nga Ilda Zhulali - 15/01/2023

Ministrja strategjike për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj një postimi të Ministrit britanik të migracionit, i cili reklamon rezultatet e aksionit për deportimin e shqiptarëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Angli, përmes politikës ‘kapi shqiptarët dhe ktheji në Tiranë.’

Ministrja e shokuar thotë se kjo qasje që synon të fitojë ca ‘vota mizerabël’ në kurriz të një populli të tërë, është e papranueshme.

Por Ministrja harron se për ca ‘vota mizerabël’, ajo dhe shefi i saj Kryeministër janë përgjegjës për motivet dramatike që i shtyjnë këta njerëz për tú larguar turravrap nga vendi, qoftë edhe me koston e humbjes së jetës.

Për ca ‘vota mizerabël’, ajo dhe shefi i saj Kryeministër po bëjnë cdo gjë që të asgjesojnë me ligj e me Maliq opozitarizmin në Shqipëri.

Për ca ‘vota mizerabël’ rekrutuan më shumë se 600 individë me rekorde kriminale në parlament dhe administratën e pushtetit qendror dhe lokal, sa u desh të spastroheshin përmes një ligji të posaçëm dekriminalizimi.

Për ca ‘vota mizerabël’ e kthyen Shqipërinë në hambar të drogave dhe në bazë operacionale të krimit të organizuar.

Për ca ‘’vota mizerabël’ i kthyen të dhënat personale të shqiptarëve në plaçkë të tregut të zi.

Për ca ‘vota mizerabël’ trysnojnë pacipërisht çdo jo-votues të tyre përmes patronazhimit shtantazhues.

Për ca ‘vota mizerabël’ e kthyen ekonominë shqiptare në lavatriçe të pastrimit të parave të pista, duke heroizuar hajdutët, trafikantët, dhe kriminelët si modeli i suksesit në jetë.

Për ca ‘vota mizerabël’ Shqipëria është e gjitha e dhënë me konçesion tek pronarë që letrat i kanë fshehur në guacka ishujsh, por emrat e fytyrat ua njohim të gjithë.

Për ca ‘vota mizerabël’ skandalet korruptive të qeverisë neutralizohen nga përputhjet politiko-mediatike.

Për ca ‘vota mizerabël’ i kanë kthyer spitalet në qendra torture fizike dhe psikologjike duke i braktisur në një luftë mes vetes të pafajshmit të sëmurë e mjekë.

Për ca ‘vota mizerabël’ i kanë kthyer shkollat në fabrika që prodhojnë diploma emigrantësh.

Për ca ‘vota mizerabël’ qytetet e braktisura shiten si zbulime ekskluzive të eksploratorëve qeveritarë me ndonjë buzëqeshje ndërkombëtare në mes. 

Po zonja Ministre, të mjerët shqiptarë janë zënë çark në ujërat e kanalit, ndërkohë që në të dy brigjet zhvillohet lufta për ca vota mizerabël!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco