Nga duhet t’i presim liderët tanë

Nga duhet t’i presim liderët tanë

Nga Agim Nesho - 14/01/2023

Shqipëria po jeton një fazë të rëndësishme të zhvillimit të saj historik, atë të mbajtjes së sistemit demokratik apo afrimit me një formë të re diktature dhe konsolidimit të sistemit autokratik të një demokracie jo liberale. Dhe në këto momente të rëndësishme të së ardhmes tonë, ne ndeshemi me paradokset e pashmangshme, të nxitura dhe mbetura në psikologjinë e popullit, jo se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të zgjidhim çështjen, por se cili individ do të angazhohet në të.

Është e zakonshme që në vendet tona të vogla, ku njerëzit njihen mes njeri-tjetrit, funksionon shprehja biblike “Asnjë profet në vendin e tij”. Për më tepër që eksperienca e paktë 30-vjeçare në demokraci dhe realizimin e paqes sociale pas ndryshimit të sistemit ka sjellë polarizime dhe vazhdimësinë e pozicioneve ideologjike ndarëse që shoqëronin shoqërinë komuniste.

Sot çështja e besimit tek lidershipi është bërë një çështje ekzistenciale për regjimin në pushtet, i cili do të mbajë dhe justifikojë çdo veprim që i lejon mbajtjen e pushtetit.

Së pari, pushteti si pjesë e një regjimi putinesk kërkon të mbetet alternativë e vetme dhe e pazëvendësueshme për pushtetin. Pushteti i korruptuar ka kohë që përdor shprehjen se ‘ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, një shprehje e huazuar nga diktatori i majtë Chavez i Venezuelës.

Së dyti, regjimet putineske përhapin propagandën dhe dizinformacionin se liderët e opozitës nuk janë të denjë të udhëheqin një iniciativë të re me popullin. Këtë taktikë përdorin regjimet putineske, siç po ndodh sot në Shqipëri.

Po pse për regjimin kleptokratik të Ramës është e nevojshme të godasë pa princip liderët e opozitës, Sali Berishën dhe Ilir Metën?

Së pari, liderët e opozitës janë pjesë e historisë së demokracisë së vendit tonë dhe si të tillë lufta për të mbrojtur demokracinë është çështje jetike dhe parimore për ta. Nuk ka kompromis për demokracinë, një sistem politik ku liderët e opozitës kanë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Së dyti, Berisha dhe Meta janë liderët e një opozite të vërtetë, të pablerë dhe lufta do të bëhet deri në fund për çmontimin e regjimit dhe sistemit diktatorial.

Regjimi i Ramës, përveç mëkateve të tjera, punoi që në fillim të zhdukte një alternativë për vendin. Ai kompromentoi një brez të ri duke e mësuar servil, me para të pista, duke e ‘edukuar’ se vetëm duke u përshtatur me regjimin ata mund të ecin përpara, duke u përpjekur të keqpërdorë një brez të ri për të mos u bërë alternativë. Ai i përdor të gjithë kategoritë shoqërore, të nevojshme për ndërtimin e shtetit, jo për të ndërtuar institucione por në funksion të shërbimit ndaj vetes ose shërbimit të pushtetit. Këtë kategori Rama e përdori për t’ju thënë të gjithëve se përpara pushtetit çdo njeri ka një çmim.

Së treti, liderët e opozitës e dinë se çfarë figure butaforike është Rama, ashtu siç njohim dhe aferat e pushtetit të tij. Diktatorët si rregull zhdukin shokët e tyre për të zhdukur të shkuarën.

Së katërti, liderët nuk emërohen, por zgjidhen dhe besohen nga përkrahësit e tyre. Liderët bëhen duke provuar veten e tyre në momente të vështira, duke pasur integritet dhe besuar çështjeve të mëdha. Meta provoi që qëndroi edhe i vetëm për të penguar regjimin për të shkelur Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës.

Rama është i prirur me fonde dhe presione të manipulojë opozitën dhe do një opozitë kukull. Prandaj politika e tij dhe propaganda pa princip kërkon largimin e lidershipit të opozitës, se ata janë sot faktorët kryesorë për të drejtuar popullin drejt fitores.

Lidershipi në çdo vend të botës zgjidhet nga besimi, integriteti, vizioni dhe eksperienca që kanë liderët e tyre. SHBA ka me miliona intelektualë të shquar por zgjedhësit kërkojnë politikanë si Biden apo edhe të tjerë që kanë dekada të tëra në politikë, t’i udhëheqin. Po kështu në Izrael, Netanjahu u zgjodh për të pestën herë, megjithëse e akuzuan për korrupsion dhe arrogancë të pushtetit. Zgjedhësit ndjekin liderin që i çon në fitore.

Në momente të tilla udhëkryqi për të ardhmen e kombit tonë, jo gjithmonë ndërgjegjja kombëtare ka qenë e qartë për të dhënë zgjidhjen më të mirë për interesat e kombit. Kështu kemi vepruar kur ka ardhur momenti i pavarësisë së vendit, kur kemi zgjedhur Haxhi Qamilin në vend të Princ Vidit ose në krizën më të madhe ekonomike-financiare të botës i kemi besuar administrimin e vendit një mësuesi vizatimi duke vlerësuar jo aftësitë e tij për lidership, por emocionet për karizmën e një shoëman-i. Shqipëria e shekullit të 21-të mbetet akoma nën hijen e Dum Babës, të dy të orientuar tek sulltanatet otomane apo neo-otomane.

Sot kur po shikojmë që diktatura po troket, bëhet gjithmonë e më e vështirë për të hequr shoëman-in, i cili jo vetëm ka kapur shtetin por edhe përpiqet të shkatërrojë opozitën dhe ta lërë vendin pa alternativë. Propaganda e tij negative, se opozita e bashkuar nuk është alternative, është vetëm taktika për të shtyrë dhe mbajtur pushtetin e tij të palimituar.

Shqipëria mund të ketë nevojë për një brez të ri në politikë dhe ne mirëpresim partitë e reja të Nismës Thurje apo Lëvizja Bashkë. Por ata duhet të rriten në beteja kundër regjimit, të tregojnë që nuk tundohen dhe shesin çështjet, të tregojnë lidership dhe integritet. Por pa pritur që gjërat të bien nga ‘qielli’, opozita e bashkuar është opozitë e vërtetë, e pamundur të blihet dhe e qartë për rivendosjen e demokracisë. Ne i besojmë ata se janë vetvetja, janë të vërtetë. Ne duam ndryshim, duam demokraci dhe me ta do të arrijmë kthesën e madhe.

Kjo është sakrifica e fundit e brezave që luftuan për demokraci dhe duan të ardhmen perëndimore të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco