Lajmi i fundit

Nëna me 3 fëmijët të zhdukur prej tre ditësh/ Gjendet i pajetë në Drin një prej të miturve. Dyshohet se…

Kurrë kaq shumë të korruptuar!

Kurrë kaq shumë të korruptuar!

Nga Arbër Zaimi - 13/01/2023

Rama dikur këndonte me shpërfillje "droga droga / krimi krimi", por ja që këto s'mbetën pa u vërtetuar fatkeqësisht faqe botës, duke dëmtuar rëndë imazhin e shqiptarëve. Kësaj kënge Rama duhet t´ia shtojë edhe vargun e tretë "korrupsioni korrupsioni", sepse ashtu si mbretit Mida që ish i mallkuar t'i shndërrohej në ar gjithçka që prekte, edhe kryeministrit tonë dikush duket sikur i ka lidhur magji, që t´i korruptohet cilido që ka pranë.

Reforma në drejtësi mund të ketë marrë kritika nga shumë krahë, e edhe unë i kam disa pikëpamje kritike sidomos sa i përket pritshmërive që ka publiku ynë prej sistemit gjyqësor, mirëpo nuk ka nevojë të jemi nihilistë. Ish-ministri i Rendit, Saimir Tahiri, i konsideruar njeri shumë i afërt i kryeministrit sot është i dënuar. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, me të cilin dikur Rama pinte raki dhe bënte video-selfie për të joshur Nasip Naçon duke i thënë "hajde se kemi edhe Damianin këtu", sot është i paraburgosur.

Nuk e dimë se pse përmendej Damiani në joshjen e Nasipit, se Damiani meze për raki nuk është, por sidoqoftë dimë se ajo thirrje mejhanesh funksionoi, Nasip Naçoja e pranoi ftesën. Disa kryetarë bashkish të Partisë Socialiste e kanë humbur mandatin për shkak të abuzimit me pushtetin, korrupsionit, apo raportit jotransparent me publikun dhe me drejtësinë. Disa biznesmenë të mëdhenj që merreshin me politikë parlamentare (për hobby apo për mburojë, ec e merre vesh), nuk u lejuan të kandidojnë.

Ka deputetë nën hetime, në faza të ndryshme para gjykimit. Ndërsa numri i zv.ministrave apo drejtorëve ministrorë e bashkiakë të cilët i ka marrë brenda drejtësia teksa po dalin në shesh aferat e tyre, është i madh dhe rritet çdo javë. Madje edhe veprimtaritë që në bazë duhet të kishin humanizmin dhe solidaritetin, siç ishte angazhimi financiar dhe infrastrukturor për të ndihmuar komunitetet e dëmtuara nga tërmeti, nuk mbetën pa ngjallur dyshime të thella, teksa timonieri i dikurshëm i atij procesi, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, bëri një dalje të befasishme nga sfera publike.

Është lehtë të thuhet se këto gjëra drejtësia e reformuar po i bën "sa për sy e faqe". Por nuk mund të mos vihet re se të gjitha këto denime po shpërfaqin korrupsionin e forcës që ka akumuluar më shumë pushtet në Shqipërinë pluraliste, Partisë Socialiste të Edi Ramës që kontrollon sot çdo instancë ekzekutive qendrore e lokale (përjashto Shkodrën). Ç'u bë Edi Rama, shkumë sapuni, që me të të lajë sytë e faqet drejtësia e reformuar?

Dikush ka qejf të shpjegojë gjithçka edhe me teori konspirative, dikush i interpreton lëvizjet e drejtësisë si ndryshim balancash brenda forcës qeverisëse. Po ikën Edi, do vijë Erioni se ai është «kanakari» i Sorosit. Me sa duket për popullin tonë shpjegime të tilla përqafohen lehtë sepse ngjajnë shumë me perceptimin e pushtetit që populli u mësua të kishte gjatë stalinizmit, ku e vetmja dinamikë e mundshme ishte ajo brenda Partisë, (zakonisht e karakterizuar nga shtypja e ashpër e vijave që ndryshonin nga zyrtarja, por ndonjëherë edhe nga tërmete që sillnin rrëzimin e vijës zyrtare dhe çrrënjosjen e saj nga një vijë e re po aq zyrtare dhe e dhunshme). Mirëpo fakti është se veprimtaria e drejtësisë së reformuar nuk ka lënë pa goditur korrupsionin edhe në bashkitë e mëdha, si psh. të Korçës, Durrësit, apo edhe Tiranës së Erionit.

Çka do të thotë kjo, mund të pyesë dikush, që reforma në drejtësi qenka pro-opozitare? Kjo pyetje natyrisht shtrohet vetëm nga ata që e kanë ndarë mendjen se në Shqipëri drejtësia nuk mund të jetë kurrë e pakontrolluar nga partitë, pra po e çlirove nga PS-ja do ta kapë PD-ja e kështu me radhë. Megjithatë nuk ka nevojë të jetë kështu, dhe urojmë të mos jetë. Thjesht: në tre mandate pushtet thuajse total, pushtet i cili kurrë nuk është përpjekur të ruajë ndonjë distancë prej afaristëve që kontrollojnë tregjet dhe mediat private, është e natyrshme që drejtësia të ketë punë më shumë me eksponentët e kësaj force. Pse nuk merret drejtësia e reformuar me opozitën? Sepse opozita aktualisht nuk e ka asnjë grimë pushtet, edhe biznesmenët që dikur e mbështesnin atë, sot janë partnerë të qeverisë (ec e guxo ndryshe).

Dy gjëra janë, ose për herë të parë në Shqipërinë pluraliste ka nisur të bëjë një farë pune gjyqësori, ose kurrë në Shqipëri nuk kemi patur ndonjë ekzekutiv kaq të korruptuar. Por, këto dy opsione nuk janë përjashtuese të njëra-tjetrës. A do të fitojë besueshmëri drejtësia e reformuar? Kjo varet nga jetëgjatësia e përkushtimit të saj dhe të amerikanëve e evropianëve që e mbështesin. Besimi aktualisht nuk ekziston, populli është i zhytur në nihilizëm, por besimin e ndërton puna e pandërprerë.

Zgjedhjet lokale po vijnë. Edhe kjo fushatë do të jetë një test për institucionet e drejtësisë së reformuar. Dihet se njëri nga llojet e korrupsionit është përdorimi i aseteve publike për fushatë partiake. Dhe tashmë Rama me kryebashkiakët e tij kanë filluar të organizojnë aktivitete që mbajnë era fushatë.

Të sfiduar nga aferat korruptive që po e krimbin PS-në nga brenda, ata do të përpiqen me çdo kusht ta përdorin avantazhin financiar për të mos humbur karrigen. Aktivitete të cilat nuk janë rutinore, pra nuk janë të përvitshme por po ideohen vetëm në këtë parafushatë, duhen parë me dyshim të madh. I tillë psh. ishte mbledhja e fëmijëve nga shkollat e ndryshme të vendit në një stadium që të kujtonte spartakiadat e dikurshme, apo edhe aktivitetet e lumtura të fëmijëve në shtetet diktatoriale.

Ai aktivitet që kinse u bë për të promovuar sportin te fëmijët e vegjël, në fakt nuk ishte aspak sportiv por thjesht promovues.

Kryeministri me disa nga figurat bashkiake përdornin edhe paratë publike por edhe fëmijët për diçka që as nuk është traditë, as nuk mbështetet në ndonjë rritje të dëshmuar të lëvizjes sportive tek fëmijët.

Përkundrazi, pika më e dobët e klubeve sportive shqiptare janë pikërisht akademitë e fëmijëve, ndërsa shkollave edhe kur nuk u mungon baza materiale apo kur fushat iu janë zënë nga ndërtimet (si në rastin e Tiranës), iu mungojnë kampionatet e mirëfillta e të rregullta. Nuk iu mungon parada me kryeministrin dhe minionët e tij të bashkive.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco