Leksioni i përjashtimeve të Alibeajt: I persekutuari të persekuton

Leksioni i përjashtimeve të Alibeajt: I persekutuari të persekuton

Nga Alfred Lela - 12/01/2023

Vendimi solo i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD katër kolegë të së njëjtës ngjyrë politike, është kundërthënës dhe kundërprodhues. Është një akt prej bolsheviku i kryer nga një menshevik. Është një aht që vjen nga thellësitë e kohës, dhe na jep shëmbëlltyrën (parabolën) e kampeve të punës së detyruar dhe të shfarosjes, që nazistët kishin ngritur për hebrejtë, hapësira të robërisë dhe mjerimit, ku vetë bijtë e Izraelit thonin se, të konvertuarit ndër ta si shërbëtorë të gjermanëve dhe persekutorë, ishin më të zinj se vetë nazistët.

Ndoshta një paralele nga komunizmi, një regjim të cilit vetë Alibeaj i referohet shpesh duke reklamuar fort se përgjatë tij, ai dhe familja qenë të persekutuar, vlen më shumë. Paradoksalisht, akti i sipërmarrë nga Alibeaj, jo vetëm në intencion, por edhe në gjuhë, imitonte pikërisht komunistët, persekutorët e dikurshëm të familjes biologjike dhe politike që ai thotë se përfaqëson.

Alibeaj shkruante në tekstin e linçimit se, pasi u ishte dhënë mundësia për reflektim, dhe kjo nuk ishte vërejtur, katër deputetët u përjashtuan. Vini re gjuhën, kaq të ngjashme të të persekutuarit nga komunistët dhe persekutorëve të tij të djeshëm. Edhe asokohe, një gjë të cilën vetë Alibeaj mund ta dëshmojë, mblidhej organizata e partisë, apo Fronti popullor, apo kolektivi punonjës, dhe pasi të lexonin fletërrufenë të jepnin mundësinë e reflektimit dhe të ndreqjes. Në këtë rast mund të faleshe, ose përndryshe përjashtoheshe nga një e drejtë apo privilegj, apo në rastin më të keq, dënoheshe. Alibeaj e mishëron dyfish persekutorin, sepse merr përsipër të luajë si ‘njeriun e partisë’ ashtu edhe kolektivin. Pra, ai e synon dënimin dhe e kryen po vetë, duke mos bërë as procedurën të cilën, komunistët, ashtu gjakatarë siç ata ishin, e respektonin, duke e mbledhur popullin apo gjykatën, edhe pse si formalitet.

Enkelejd Alibeaj, bir të persekutuarish, bëhet kësisoj persekutor, duke shpërfaqur, pikërisht atë stigmë të kundërtën e së cilës ka thënë se përfaqëson. Ky akt përbën një shembull të vetëvrasjes politike ekselente, kur ti vendos të shembësh simbolikën mbi të cilën ke ngritur, si ligjërimin ashtu dhe profilin publik. Është, pak a shumë, sikur një ambjentalist të bëhet pronar i një fabrike lëndësh kimike.

Përndjekja që Alibeaj u bën kolegëve është, sigurisht, një taktikë politike e cila i shpëton atij lëkurën, por dëmton kursin e opozitës dhe opozitarizmit dhe, favorizon pushtetin dhe Edi Ramën. Fshehja e qëllimeve të vërteta pas kësaj entropie të Alibeajt e bën atë edhe më komunist se persekutorët e tij. Ata të paktën të damkosnin si kundërshtar apo armik politik, dhe si të tillë të ndëshkonin.

Kthimi i viktimës si xhelat është një nga trillet më fantastike të ironisë historike dhe politike. Fakti që na e shërben dikush që e vesh viktimizimin e vet dhe të grupit si yllin e Davidit, në mënyrë që shoqëria ta njohë të shkuarën e tij dhe t’i japë kredite në të sotmen për të historinë, është keqardhje më vete dhe shenjë se shoqëria nuk ripërtërihet nëpërmjet ligjërimit, por prodhon ligjërime që vetëzbulohen si të rrejshme sapo thelbi shfaqet nëpërmjet nevojës.

Në fund, Alibeaj mund të mbajë firmën dhe t’i gëzohet përjashtimit të katër deputetëve të pakicës, në një lozhë politike ku edhe ai vetë është pakicë, por duhet të lëshojë tubin e persekucionit ku performonte streaptease-in e vet politik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Mirela Kopliku23/01/2023 09:28

Nje analize shume e bukur dhe shume aktuale z. Lela! Figura e viktimes qe behet persekutor i njerezve te tij, zbulim i arritur. Por perse na behet alibeaj persekutor? Mos valle nga prejardhja e tij prej fshatari kulak??? Ju lumte z. Lela per kete teme qe keni ngritur dhe analizuar ne menyre te persosur!!

Gj12/01/2023 20:30

Problem afati kohor (14 maji), pa do mbetet ky mjeran në vetmi, sa do t'i dhimbset edhe vetmitarit Lulzim...!

Shto koment

Denonco