Regjistrimi Berisha-Rama: rikthimi si çdo dhjetor i një teze anti-PD

Regjistrimi Berisha-Rama: rikthimi si çdo dhjetor i një teze anti-PD

Nga Alfred Lela - 10/01/2023

Tetorët dhe dhjetorët janë dy muajt e çdo viti, kur në Shqipëri, edhe pse dimër, harliset nga lulet e së keqes pema e një tërbimi politiko-kulturor. Në tetor, të gjithë persekutorët e rinj të Ismail Kadaresë, dalin e gëzohen nëpër rrjete sociale, si xhihadistët pas një akti terrorist, kur shkrimtari, bashkëkombas me ta, nuk laureohet me Nobel në Letërsi. Në dhjetor, njerëz të tjerë, por nga e njëjta racë mitpërmbysësish, thonë se Lëvizja Studentore, që i hapi rrugë pluralizmit, opozitarizmit dhe Partisë Demokratike, nuk solli përmbysje, por ishte ‘pashaportizimi’ që Ramiz Alia i bëri demokracisë.  

Nëse rastin e parë kemi të bëjmë me primitivizëm hereditar interneti, në të dytin bëhet fjalë për përllogaritje dhe cinizëm të ftohtë politik. Është përpjekja që, një moment themeltar të opozitarizmit dhe anti-komunzimit në Shqipëri ta infektosh me teori, sipas të cilave pluralizmi shqiptar nuk është më shumë se një vazhdimësi e lejuar dhe kontrolluar… pikërisht nga ata që ishin për 46 vjet kundër të gjitha lirive dhe lejeve!

Kryet e këtij qëllimi u shfaq edhe pas një regjistrimi audio, publikuar nga programi Opinion së fundmi. Një bisedë mes Sali Berishës, Edi Ramës, Azem Hajdarit dhe Sali Shijakut në studion e një piktori në janar 1991, shërbeu si një (re)start i pandehmës kronike se themeluesit e Partisë Demokratike nuk ishin politikanët dhe udhëheqësit e parë të pluralizmit, por delfinët e Ramiz Alisë. Teza, si çdo tezë, mund të jetë e qëndrueshme, por vetëm kur shoqërohet me fakte që u mbivendosen pandehmave. Sidomos dy fakte shkojnë kundër kaq shumë pandehmave: burgosja e Ramiz Alisë, i cili bëri 5 vjet në burgjet e Sali Berishës, dhe ndërprerja e këtij ndëshkimi prej ardhjes në pushtet të PS, e njohur dikur si Partia e Punës. Për dijeni, Alia doli nga burgu pikërisht në 1997-ën, vit që mund të konsiderohet si hakmarrja e komunistëve të vjetër dhe të rinj për Dhjetorin ‘90. Në këtë kuptim, 1997-a e përgënjeshtron ‘demkracinë e negociuar’, një term të përdorur së pari nga Shinasi Rama, huazuar nga Samuel Huntington dhe rimarrë edhe nga Fatbardh Kadilli në Opinion.

Proponentët e tezës se Berisha, Hajdari dhe të tjerët, ishin të dërguarit e Ramiz Alisë, mund ta mbajnë idenë, por duhet të shpjegojnë se pse Ramiz Alia u burgos nga lidershipi i dalë nga Dhjetori, dhe pse në krye të rebelimit të dhunshëm të ‘97-ës u vunë ish-oficerë të ushtrisë dhe të Sigurimit të Shtetit, apo pse Azem Hajdari ishte një target i preferuar i neo-komunistëve?

Teza e Preç Zogajt se Edi Rama në radikalizmin e tij, ishte përfaqësuesi i periferisë së Bllokut që në ‘91 u ngrit, jo kundër regjimit, por një pjese të establishmentit, është më i kthjellët dhe shpjegon edhe faktin se pse sot, në administratën e Ramës gjen, sa të hajë dreqi, pasardhës të nomenklaturës komuniste.

Regjistrimi në studion e Ramadan Karanxhës, u ka dhënë zë edhe disa gojëve që pjesë të aksionit opozito-dëmtues, që mund të mos jetë me këtë qëllim, por në këtë hulli bie, kanë pretendimin se, edhe sot, opozita dhe qeveria gjejnë kanale komunikimi përkundër interesit publik, gjë që u vërtetoka edhe nga ky takim kohëlargët, ku Rama dhe Berisha janë në tonalitete, të paktën jo armiqësore. Ky është vazhdimi i tezës trullosëse se opozita politike është pjesë e establishmentit, dhe është një dëm i madh që i bëhet rezistencës anti-qeveritare në Shqipëri. Bëhet për qëllimin kryesor të mpirjes së rezistencës, dhe kundër saj nuk mjaftoi, me sa duket, as grushti që u tendos fuqishëm mbi Sali Berishën më 6 dhjetor në Tiranë.

Një përpjekje e tillë bëhet për ta vënë poshtë fizikisht opozitën, por edhe për të bërë atë që në politikë quhet ‘character assassination’, pra vrasje karakteriale.

Në fund, Lëvizja e Dhjetorit dhe fronti opozitar që doli prej saj, nuk ishte ngjizja e papërlyeme, por, do-s’do shërbeu si (re)start i një Shqipërie që ishte e plandosur në fund të historisë. Kush xhonglon tezat se, edhe demokracinë, ashtu gjithë defekte, e kemi me leje të atyre që donin leje edhe per vezët e gjalpin, deri në vitin 1991, mund të jetë naiv, por pas gjithë gjasave është diabolik./Marrë nga Politiko.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco