Kolumbia dhe Shqipëria, dy realitete të pakrahasueshme!

Kolumbia dhe Shqipëria, dy realitete të pakrahasueshme!

Nga Armand Maho - 08/01/2023

Në vitin 1984 Rodrigue Lara Bonilla, aso kohe ministër i drejtësisë kolumbiane, do denonconte në kongres një foto ku tregohej Pablo Escobar i arrestuar për trafik droge. Ishte e vetmja provë që tregonte se ish kontrabandisti i cigareve në Medellin kishte ndërruar aktivitet dhe kish ngritur një perandori ku fitonte rreth 1.9 miliardë dollarë në vit. 

Atëmot  Pablo Escobar mund të thuhet se ishte njeriu më i fuqishëm i Kolumbisë, dhe përdori të gjitha makinacionet për tu zgjedhur deputet me qëllim kundërshtimin e ligjit të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të trafikantëve të drogës dhe jo vetëm. Kjo solli anulim të vizës së Escobarit nga ana e ambasadës amerikane dhe dorëheqje të tij nga parlamenti.
Denoncimin Bonilla do e paguante me jetë dhe pikërisht në ditën kur do udhëtonte drejt Çekisë për të marrë detyrën si ambasador, vendim që qeveria e mori për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual të perandorit të drogës.

Por Escobar nuk u mjaftua me kaq. Luftës së presidentit Bentacur, ai do i përgjigjej me të njëjtën monedhë… ekzekutime policësh në postblloqe, vendosje bombash e të tjera si këto prodhuan rreth 3000 viktima në 5 vjet. Ndërkohë që Escobar prej kohësh kish marrë aureolën e bamirësit. Me firmën e tij u ndërtuan rreth 2600 apartamente në Medellin ndërsa qindra mijra të tjerë merrnin pension dhe rroga në borderotë e kartelit.

Përgjatë viteve 1988-1989 ai do vriste 3 nga 5 kandidatët për president, mes tyre dhe Galanin një njeri që gëzonte goxha popullaritet. Atentatit i shpëtoi dhe presidenti Gaviria i cili u lajmërua disa minuta përpara se të hipte në avion. Në këtë atentat vdiqën 107 persona. Do ishte ky president më pas i cili, me gjithë presionet dhe rrezikun e një lufte civile, do sillte dhe asgjësimin e Escobar-it në vitn 1993.

Por cili ishte roli i ambasadës amerikane në Kolumbi në luftën kundër trafikantit më të madh në histori. Në fillim të viteve 1980 SHBA-të me gjithë informacionet për trafikun s’para e vunë shumë ujin në zjarr. Administrata e Reagan ishte më e interesuar në luftën kundër komunizmit që zhvillonte në Ameriken Latine, se sa për trafikun narkotikëve. Ishte kjo arsyeja që Escobar që në atë kohë arriti të fuste në Majemi 15 ton kokainë në një ditë të vetme. USA u angazhua në këtë luftë vetëm kur pa se miliardat e saj po i dilnin nga vendi. Atëhere ngriti një seksion të veçantë të DEA-s në Bogota, e cila iu bashkua forcave policore kolumbiane. 

Megjithatë frenimi ishte shumë i vështirë, pasi veç Escobarit operonte karteli i Calit, i Kartagjenës etj. Përpos kësaj qeveria kolumbiane duhej të përballej dhe me forcat komuniste të FARC, të cilat në vitin 1986 rrethuan pallatin e drejtësise dhe vranë gjysmën e gjykatësve si dhe zhduken të gjithë dokumentacionin e kartelit të Escobar dhe jo vetëm.
E bëra këtë panoramë të përgjithshme , për të dhënë një ide mbi gjendjen e Kolumbisë në atë kohë e për të shpjeguar se sa gabim është ta krahasosh Shqipërinë me atë vend. Është e vërtetë që laboatorët e karteleve ndodheshin gjithkund në xhungla apo edhe në zemër të qyteteve, por të zgjedhurit e atjeshëm nuk u bënë palë me krimin si këtu.

Synimet e Pablo Escobar për të hyrë në politikë sollën edhe fundin e tij. Ishte e njëjta forcë politike që i hapi rrugën, i njëjti ministër drejtësie e president që çuan më pas në vrasjen e tij. Natyrisht me një kosto të lartë. Por ai vend gjeti përherë forcën për të luftuar narkotrafikantët në një luftë ku u vranë rreth 300 policë, mes tyre dhe Hugo Martinez të cilin Escobar e vrau me dorën e tij për ta bërë shembull. Megjithatë sërish kishte të tjerë që angazhoheshin në forcat speciale të Search Bloc, njësi speciale e ngritur vetëm për Escobar-in dhe kartelet. Njerëzit e thjeshtë të Kolumbisë u ngritën në protesta kundër terrorit mafioz të ushtruar.

Në vitet që pasuan asnjë nga kartelet nuk u përfshi në politikë e nuk u emërua përfaqësues i popullit, pasi Pablo Escobar ishte shembulli më i mirë se çfarë të ndodhte. Të zgjedhurit kolumbianë treguan integritet duke e mbajtur të pastër tempullin parlamentar, duke i rezistuar presioneve dhe parasë së drogës që kish hyrë në çdo qelizë.
Ndërsa Shqipëria nuk është Kolumbi. Është një lloj hibridi i padëgjuar më parë, ku droga jo vetëm ka kapur çdo qelizë të këtij vendi, ku pushteti  është bërë mbrojtësi i trafikantëve të çdo lloji. Madje ky i fundit sajon gjithfarëlloj artificash ligjore për të siguruar paratë e tyre.

Fjala vjen amnistia fiskale po na shitet si e drejtë kushtetuese nga ku prej  një tarife prej 7% mund të legalizosh deri në 2 milionë euro. Për të mos folur më pas për ndërtime dhe kullat në Tiranë, nga kompani të mbira nga hiçi, apo afera si ajo e portit të Durrësit ku indivitë pa asnjë lloj filtri do invstojnë jo pak por 2.2 miliardë euro. 

Trafikantët këtu tek ne, jo vetëm janë njerëzit më të pashqetësuar, por janë ata që diktojnë ligjet, votojnë vettingun, zgjidhen në majat e pushtetit lokal, injorojnë çdo vendim gjyqi që pasqyron qartë të kaluarën e tyre, mbjellin çdo pëllëmbë toke me kanabis, dhe më pas me ato para blejnë votat duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzve.

Narkotrafikantët sot janë në krye të policisë, doganave, transporteve, kudo ku gjenden linjat e dërgimit të drogës. Vullneti për t’i luftuar është në nivelin zero, dhe jo vetëm kaq, të panginjur me fitimet e narkotrafikut  tashmë janë ata që bëjnë sekserin thuajse për çdo tender,  për çdo koncension, në emër të ligjit duke marrë çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve.

Kjo ka sjellë një situatë dëshpëruese, ku çdo njeri mendon një mënyrë për të ikur jashtë vendit. E si mund të punosh në një vend ku nderohet krimi dhe luftohet virtyti? Të jesh i ndershëm është turp, të jesh i varfër duhet të paguash…. Kolumbia nuk ishte kështu. Me Shqipërinë asgjë nuk krahasohet! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco