Elektoralizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci

Elektoralizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci

Nga Agim Nesho - 08/01/2023

Në 14 Maj zhvillohen zgjedhjet lokale në Shqipëri. Të tërë presin që gjendja të ndryshojë, por a mundet të ndryshojë kaq lehtë në kushtet kur regjimi ka kapur shtetin, ka kapur drejtësinë, manipulon me administratën publike dhe përpunon dhe shpërndan një propagandë dizinformuese nga mediat e blera apo të kontrolluara prej tij?! Është një ndeshje e pabarabartë, ku opozita do të ndeshet me diktaturën, jo vetëm me vizionin dhe idetë për të ardhmen por edhe me institucionet e shtetit që tashmë janë bërë mekanizma të pushtetit; me oligarkët dhe të fortët që duan të ruajnë pozicionet e tyre të privilegjuara duke u ushqyer nga fondet publike, nga krimi dhe bandat që duan ta mbajnë Shqipërinë ‘kolumbiane’ të Europës dhe të parën në prodhimin e kanabisit.

Në Shqipëri demokracia është zhdukur me kohë, por elemente të saj lihen në dukje nga frika e opinionit publik që kërkon perspektivën perëndimore për Shqipërinë. Të gjitha regjimet putineske lejojnë të drejtën e votimit, por ato kontrollojnë rezultatin e tyre. Sot ky lloj elektoralizmi quhet demokraci e dirigjuar, ose e kontrolluar. Regjimet duan legjitimitetin e jashtëm për institucionet e zgjedhura për të marrë pjesë në axhendën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sot regjimet autokratike kanë arritur ‘pjekurinë’ e tyre sa po shmangin cdo shfaqje të blerjes hapur të votës direkt me të fortët e tyre, sic e bënë në Dibër në 2017, në Durrës në 2021 dhe kudo në Shqipëri që kërkonin avantazh elektoral. Sot mekanizmi i pushtetit putinesk kërkon që këto zgjedhje të menaxhohen përpara ditës së zgjedhjeve nga autokratët e pushtetit me punonjësit e tyre, me grupet e lidhura me krimin e organizuar, të cilat sot kanë privilegjet e kontratave të kullave të ndërtimit, të pastrimit të qyteteve, me klientët e privilegjuar të PPP-ve e deri në klientët që kërkojnë akses në fondet dhe pronat shtetërore.

Për ti bërë të besueshme që këto zgjedhje janë të pamanipulueshme, propaganda e regjimit shërben me sondazhe të parapërgatitura, ku figurat e pushtetit janë jo vetëm të pakonsumuara por kanë edhe rritje të konsiderueshme edhe kur vjedhin dhe shkelin ligjin, duke bashkëjetuar me skandale në cdo moment. Liderët e opozitës na i tregojnë se janë gjithmonë e më shumë ‘jopopullorë’, me arsyen e vetme për të treguar se të gjithë janë njësoj, ndërsa ata që e cojnë Shqipërinë drejt greminës mbeten akoma të pranueshëm. Një non sense i papranueshëm që e bën sondazhin qesharak kur edhe vetë liderin global e evidenton si më pak të pëlqyeshëm sesa kopjet e tij në pushtet. Por këto sondazhe kanë vlerë vetëm për të treguar trendin e rremë, që njerëzit të mos habiten në këtë ambient të thellë pakënaqësie kur të shikojnë se pushteti akoma po fiton. Nuk mund të ketë sondazhe demokratike në një sistem jo demokratik autoritar. Putini gjithmonë del me pëlqyeshmëri të lartë, ndërsa liderët e opozitës të papranueshëm. Sa më shumë ata rrezikojnë pushtetin, aq më të papranueshëm ata paraqiten në sondazhe, që do ti mundësojë regjimit të fuqizojë luftën e tij të pa princip kundër opozitës.

Ajo që shikojmë tani me realizëm është përpjekja e një regjimi të inkriminuar, i cili kërkon ta mbajë pushtetin me cdo kusht dhe me cdo mjet. Opozita është e vërtetë, demaskuese në cdo deklaratë, e qartë se cfarë i duhet vendit për të rivendosur demokracinë dhe integruar në BE. Se sa e pranueshme është opozita këtë e thotë populli, ndërsa pozita vazhdon të mbajë mesazhin se ata janë të pazëvendësueshëm (ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka).

Opozita e ka të qartë se një regjim i tillë skandaloz dhe i inkriminuar nuk mund të ikë pa një revolucion. Dhe ky revolucion nuk mund të jetë vetëm i dhunshëm. Revolucion në qëndrim qytetar për fatet e vendit dhe kombit, revolucion në mendim që në demokraci kur ndjehesh i nëpërkëmbur dhe i abuzuar duhet të ngrihesh në mbrojtje të të drejtave të tua; revolucion në mentalitetin lindor të nënshtrimit, që pranon pa kushte autoritetin e liderit. Revolucion që të guxosh për të ndryshuar realitetin dhe mbrojtur demokracinë.

Opozita është e fortë dhe është alternativë e besueshme. Llogaritjet për mundjen e opozitës nga ‘të fortët’ e shoqërisë, që kanë kaq apo aq vota, është grahma e fundit e përpjekjeve dëshpëruese të shërbëtorëve të regjimit që duan ta mbajnë në sipërfaqe anijen e mbytur të regjimit. Opozita nuk beson që populli blihet edhe në kushtet më të këqija të varfërisë së tij. Ajo beson se e ardhmja perëndimore e Shqipërisë nuk mund t’ju besohet atyre që po e shkatërrojnë atë. 14 Maji do të jetë dita e kthesës së madhe dhe fitores së popullit për të rikthyer demokracinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber08/01/2023 16:56

Regjimi do ti pergjithesh ne veglat e tije, tja kthesh pikat me te forta ne pikat te dobeta te tije, psh patronazhistet qe te gjithe i njohim etj. Per keqardhje ose uroj te mos te jem i vertete, nuk shohe qe opozita ta luftoj forte ne terren, Shikoj foltore dhe demaskime qe tani skane me nevoje se dhe vete regjimi eshte pershtatur duke thene "se ne nuk jemi te mire por ata jane me te keqinj".

Shto koment

Denonco