Bëmat e Ministrisë së Shëndetësisë me kontratat miliona euro të pandemisë

Bëmat e Ministrisë së Shëndetësisë me kontratat miliona euro të pandemisë

Nga Klodian Tomorri - 06/01/2023

1-Në 27 mars të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë sekrete me kompaninë TBS 96 shpk për blerjen e 54 respiratorëve me afate lëvrimi: 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe 34 respiratore brenda 25 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të kontratës. Vlera e kontratës ishte 800 mijë euro me tvsh.

Nga e gjithë sasia kompani dorëzoi vetëm 5 respiratorë. Këta 5 respiratorë qëndruan fizikisht 1 muaj në Spitalin Shefqet Ndroqi dhe nuk punuan asnjë ditë të vetme. Ndaj kompanisë nuk u mor asnjë masë për mosrespektimin e kontratës. Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe ata të mbikqyrjes së kontratës vazhdojnë ndajnë lekë nepër tenderat e shtetit edhe pse rrezikuan shëndetin dhe jetën e popullatës.

2-Në 3 qershor 2020, Ministria e Shëndetesisë lidhi një kontratë pa garë me kompaninë OES Distrimed për blerjen e 50 monitorëve multiparametrik për masat anti COVID-19. Vlera e kontrates 550 mijë euro.

Në specifikimet teknike e procedurës, pjesë e DST kërkohej që monitorët të ishin me rezolucion 1024*768. Por kompania i dorëzon me rezolucionin 800*600. Këtu u vodhën 150 mijë euro. Paratë u paguan për haviar, por qytetarëve u blenë pras. Askush nuk u penalizua. Përkundrazi. OES Distrimed është një kompani shumë e dashur për Ministrinë e Shëndetesisë dhe vazhdon merr mesatarisht 10 milionë euro tendera në vit nga Ministria apo institucionet e varësisë.

3-Në mars 2020, Ministria e Shëndetesisë lidhi një kontratë me kompanitë Farma Net Albania dhe Euromed për blerjen e e materialeve për mbrojtje personale nga COVID. Vlera e kontratës 3.2 milionë, procedura e prokurimit pa garë me ftesë per ofertë. Që të shpëtonte ministrja e shëndetesisë nga burgu procedura u miratua me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave.

Procedura pa garë u justifikua nga Ministria e Shëndetesisë me kushtet e emergjencës të krijuara nga pandemia. Por çfarë ndodh më pas?

Ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe negocion afatet e dorëzimit të mallrave duke vendosur që 15 per qind do dorëzoheshin brenda 7 ditëve nga lidhja e kontratës, 75 per qind deri ne 6 javë dhe 10 per qind deri në 8 javë. Afati 6 javë dhe 8 javë denatyron totalisht proceduren e emergjencës.

Pra përdoren emergjencën për të berë tenderin pa garë, por dorëzimin e mallrave e lanë me procedurë normale. Këtu nuk dihet sa janë vjedhur, por nuk është e vështirë të imagjinohet.

Këto ishin vetëm 3 procedura. Por për pandeminë u shpenzuan 50 milionë euro me këto procedura. Një masakër e vërtetë buxhetore. Kanë kaluar 3 vjet dhe të gjithë vazhdojnë biznesin si zakonisht. Zyrtaret e ministrisë së shëndetësisë ndajnë lekë nëpër tendera. Kompanitë marrin miliona. Dhe popullit i mbetet vetëm të bëjë pyetjen: Sa dardha janë ngrënë pa lejen e komandantit tek këto 50 milionë eurot?

Në gjithë Europen u arrestuan me qindra zyrtarë të shëndetesisë për tenderat e Covid. Italia futi në burg edhe komisarin e jashtëzakonshëm, njeriu qe menaxhoi pandeminë në Itali. Ndërsa këtu, që puna të behet tamam duhet që qeveria të shpallë Ministren e Shëndetesisë si ministren më të sukseshme të kabinetit. Se është e vetmja në Europë që nuk e ngjeu dorën hiç me tenderat e Covidit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco