‘Vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë’

‘Vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë’

Nga Oerd Bylykbashi - 05/01/2023

Të nderuar miq,

Shumëkush nga ne ka një lidhje emocionale me RD. Si themelues të saj, gazetarë apo ish-gazetarë, si bashkëpuntorë, apo si lexues të saj ndër vite.

Më 5 janar 1991 nuk arritëm ta blinim në familje numrin e parë të Rilindjes Demokratike. U përpoqëm shumë, por në Durrës ajo u shit brenda pak minutash.

I kam në sy njerëzit që fillonin ta lexonin sapo dilnin nga grumbulli të rrethuar nga të tjerë.

Nuk na erdhi radha ta blinim kopjen tonë. Ishin shumë pak kopje për aq shumë dëshirë për liri. Sigurisht e lexuam më vonë dhe blemë numrin e dytë.

Nëse ka diçka që mund ta krahasoj atë 5 janar të 32 viteve më parë me të sotmen ky është shpërthimi i madh -Big Bang i medias së lirë në Shqipëri që sot jehon nga RD në rrjetet sociale - aty ku liria ende frymon.

Por mos harroni - Sot jeni kaq shumë gazetarë e media, me bindje, qasje e profile të ndryshëm falë atij eksplozioni që ndodhi në faqet e numri të parë të RD.

Kujtoj bisedat e para me shokët në gjimnaz për çfarë lexonim. Njëri prej tyre ishte gazetari dhe politikani i ardhshëm Sokol Olldashi. Nuk e di a e ka ëndërruar ai në ato ditë që do të bëhëj gazetar apo politikan, por do të kisha dashur t’ia uronim bashkë këtë 32 vjetor RD.

Ajo uri për të lexuar të lirë, më kujton gjithashtu të kundërtën. Detyrimin si nxënës tetëvjeçareje që të dërgonim si provë në shkollë abonimin vjetor tek Zëri i Popullit. Nuk mjaftonte që duhej ta çonin prindërit në vendin e punës atë provë, por edhe ne fëmijët duhej ta lexonim ZP, e të bënim informacion politik.

Më 5 janar 1991, RD e këputi përfundimisht atë zinxhir.

Sot Shqipëria ka qindra gazeta, revista, TV, radio e portale. Big Bang-u i 5 janarit 1991 e ka bërë detyrën e tij, themelimin dhe nisjen e shtypit dhe medias së lirë.

Ai numër i parë i RD duket vite dritë larg, por për ne që e kemi të gjallë, ato janë veç disa momente.

Nëse do të bënim pemën gjenealogjike të lirisë së medias, RD do të ishte trungu dhe rrënjët e saj dhe gazetarët që punuan aty e më pas migruan e themeluan media të tjera, janë kromozome të ADN të kësaj lirie të medias.

Nostalgjia ka edhe anën tjetër. Sot ne flasim për lirinë e shtypit por ju sot këtu jeni dëshmitarë se liria hibride nuk është liri. Pluraliteti i medias mund të përdoret kundër lirisë së saj. Sot flitet për treg mediatik. Tregu ka si shtysë interesin dhe si motor paranë. Në rastin e medias kjo sjell zhvillim, por bart edhe rrezik.

Në vitin 2015, profesori austriak Florian Bieber, do të shkruante dekalogun e famshëm ‘10 rregullat e Makiavelit të shek. 21 për Princin e Ballkanit’. Rregulli dy thotë:

‘Kontrolloni mediat, sigurohuni që të keni shumë zëra, të cilët thonë të gjithë të njëjtën gjë. Media është ajo që ka rëndësi për të ruajtur pushtetin brenda vendit.

Pak nga mediat janë ekonomikisht të qëndrueshme dhe mënyra më e mirë për t'i kontrolluar ato është të reklamoni vetëm në ato që raportojnë mirë për ju (dhe mos harroni, ju jeni reklamuesi më i madh). Shumë gazeta dhe stacione televizive ndoshta janë në pronësi ose të ndonjë kompanie mediatike perëndimore ose ndonjë biznesmeni vendas për të cilin sigurisht mund të gërmoni disa fatura tatimore të papaguara.’

Po në vitin 2015, ODIHR shkroi: ‘Pavarësisht numrit të madh të mjeteve të informacionit, lidhjet e tyre me partitë kryesore politike, si rezultat i interesave për biznes të pronarëve të medias, shkaktojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë editoriale, vetë-çensurim dhe kufizojnë pluralizmin e pikëpamjeve. Gjithashtu, varësia e medias nga të ardhurat e tenderave publikë dhe reklamat shtetërore dëmton përgjegjësinë që kanë mediat për të vëzhguar ata që janë në pushtet.’

Nëse ka një fakt që gjen  dakordësi të gjerë fajt është se Kryeministri ka çentralizuar pushtetin.

Gjyqësori ka rënë dhe nuk e mban në kontroll. Pasoja është ndjesia e pandëshkueshmërisë.

Dhe njëra nga viktimat e pandëshkueshmërisë është liria e shtypit dhe medias.

Sot nuk ekziston më nevoja që të arrestohet gazetari, kjo metodë është mesjetare.

Vër në diskutim pagën e gazetarëve duke përdorur dinamit mbi burimet ekonomike që financojnë median, mbylli mediat pa patur frike per qindra miliona euro gjobë nga arbitrazhi, dhe qëllimi arrihet me sukses, ashtu siç rekomandon Makiaveli modern.

Ka një nen në Kodin Penal që Kryeministri dhe shpura e tij po e përdorin kundër fjalës së lirë. Neni për shpifje. Ky është neni që përdoret si kamzhik për lirinë e medias.

Në rreshtat e parë të editorialit të parë të RD më 5 janar 1991, gjendet një fjali postulat:

‘Vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë.’

Këtë e kemi amanet të gjithë ne, gazetarë, politikanë, shoqëri civile apo opinion publik. Por mbi të gjitha e vërteta është arma më e fortë e medias së lirë për të mbajtur politikën në kontroll për interes të publikut. 

Duke i uruar ditëlindjen Rilindjes Demokratike, ky urim është edhe për lirinë e medias!

Gëzuar!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco