Fundviti me një falenderim për pastorin Pano e një kërkesë për kandidatin Këlliçi

Fundviti me një falenderim për pastorin Pano e një kërkesë për kandidatin Këlliçi

Nga Genc Pollo - 30/12/2022

(Mbi një çështje jo të parëndësishme si promovimi i transgjinorizmit me taksaparatë tona nga ofiqarët shtetërorë; si dhe mbi reagimin politik ndaj tij)

Së pari, një falenderim pastorit Akil Pano që na solli në vëmendje se Bashkia e Tiranës ka aprovuar e financuar një pikturë në një fasadë konvikti të Qytetit Studenti, e cila paraqet një grua transgjinore gjysmë të zhveshur; si dhe nevojën që komuniteti i banorëve të pyetet për llojin e artit mural që ata e fëmijët e tyre do t'u duhet të vështrojnë përditë.

Së dyti, sqarimi i bashkisë se aty nuk paraqitej një transgjinore, por një lypëse rome me të cilën ‘kishte krijuar lidhje' piktori spanjoll (i kontraktuar nga bashkia) është i pavërtetë dhe për këtë nuk nevojitet hetim si për inceneratorët. Mjafton të shikosh muralen e të kesh parë lypëset me ose pa ngjyrë duke bredhur në Tiranë.

Më tej do të thosha se nevojitet një fokus më i madh i debatit publik, me përfshirjen e aktorëve politikë, për modelin e normat e shoqërisë tonë në këtë shekull.

Muralja e transgjinores, apo më herët tentativa në çerdhet bashkiake për të zëvendësuar emërtimin tradicional të prindërve me formula pa identitet si Prindi 1/Prindi 2, dëften se ofiqarët rilindistë po tentojnë vjedhurazi të aplikojnë një ideologji të konsoliduar në dy dekadat e fundit në Perëndim, sidomos në ShBA përfshi universitetet, korporatat dhe grupime politike të majta. Kjo ideologji, e njohur edhe si woke në aspektin gjinor të saj, përpiqet që forma ekstreme të seksualitetit t'i konsiderojë si normale madje edhe t'i promovojë si modele sociale.

Këtu nuk bëhet fjalë për homoseksualitetin e dy gjinive, i cili është fenomen i njohur që nga kohët e lashta e për të cilin lipset jo vetëm tolerancë e mosdiskriminim. Çdo personi, pavarësisht nga orientimi seksual, nuk mund t'i mohohet në asnjë mënyrë dinjiteti njerëzor. Mbase edhe duke parashikuar rregullime ligjore të përshtatshme. Por pa shkuar tek martesa e birësimi.

Këtu bëhet fjalë p.sh. për nxitjen psikologjike të fëmijëve të mitur që të ndërrojnë seksin edhe me kirurgji. Tashmë është e provuar se viktimat e këtij "tranzicioni" në moshë të rritur kanë pasoja serioze psikologjike e fiziologjike; shumë syresh nuk mundet të kthehen më mbrapa.

Ishte e rëndë që TVSh, i financuar nga publiku, në gusht 2021 transmetoi një film amerikan ku një preadoleshent fiksohet se do të jetë vajzë, bind prindërit e tij që t'i japin leje për të marrë medikamente bllokuese të pubertetit e më vonë për operacion ndryshimi të gjenitaleve nga mashkullore në femërore. Është edhe më e rëndë që askush nuk reagoi: as anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSh që kanë përgjegjësinë e tagrin për të ndërhyrë; as deputetët që i emërojnë këta anëtarë dhe që nuk e panë të arsyeshme t'u kërkojnë llogari apo edhe të shpreheshin vetë për filmin. Vetëm Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) u mjaftua me një vërejtje pa zarar. Megjithatë përgëzime e faleminderit edhe për kaq.

Është e diskutueshme nëse ofiqarët rilindistë si Veliaj veprojnë kështu në bazë të bindjeve të tyre (nëse kanë brendësuar ideologjinë woke) apo për oportunizëm politik (duke tentuar të marrin përkrahje nga segmente të komunitetit ndërkombëtar që janë pro-wokizmit). Mbase është kjo e dyta.

Por e sigurt është që këto gjeste fillestare të tipit "hedh gurin e fsheh dorën" duhen kundërshtuar me argument e me qartësi morale. Dhe personalitetet publike si pastori Pano nuk duhen lënë vetëm. Klerikët e organizatat e ndryshme kanë tërë të drejtën e Zotit, të angazhohen në këtë debat. Por përgjegjësia është në radhë të parë politike. Tirana ka vërtet probleme serioze si betonizimi, larja e parave, korrupsioni i lartë etj. Megjithatë publiku pret zgjidhje edhe për ato shqetësime që mund të duken të vegjël.

Prandaj kandidatët e opozitës për Këshillin Bashkiak e sidomos Belind Këlliçi, kandidati për "Qytetar i Parë" në kryeqytet, duhet të shpallin qartë vizionin e tyre për shoqërinë e moralitetin e saj. Përfshi edhe ndaj fenomeneve woke si dhe metastazave të tyre në murale e çerdhe fëmijësh.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco