Njeriu që drejton Rilindjen është pothuajse e pamundur të jetë i urtë!

Njeriu që drejton Rilindjen është pothuajse e pamundur të jetë i urtë!

Nga Ndriçim Kulla - 28/12/2022

Këshilla më e vlertë e një intelektuali sot ose një manual i vogël për klasën drejtuese dhe politike shqiptare, mendoj se do ishte leximi dhe rileximi i një romani të madh, i një kryevepre botërore ashtu siç njihet e miratuar botërisht, e shkruar nga austriaku Robert Musil, me titull “Njeriu pa cilësi”.

“Njeriu pa cilësi” është simboli i gjallë i një gjenerate të tërë, që ashtu si gjenerata e shqiptarëve të tranzicionit, ndihet e shkulur prej pjesëmarrjes dhe realitetit të ndryshimit, prej mos-shfrytëzimit të kapaciteteve të saj e madje dhe prej shpresës për të ndërtuar një të ardhme të ndryshme. Po kështu Ulrich, personazhi kryesor i romanit, që i zhvillon ngjarjet nën dritën e muzgut të perëndimit të perandorisë austro-hungareze (në prag të luftës së parë botërore, më 1913), nuk është aspak, ashtu siç mund të na sugjerojë titulli, një shembull banal i një njeriu rruge.

Përkundrazi, ai ka shumë cilësi, të gjitha të rangut të parë: është i zgjuar, një vëzhgues shumë i hollë, dinak, paranojak e i ftohtë deri në mizori, dhe kur vepron e bën një gjë të tillë me një instinkt të sigurt dhe shpeshherë të pakontrollueshëm. Pra, në përgjithësi, ashtu siç dhe përkufizohet shpesh jo vetëm në diskurset letrare, por kryesisht politike, “njeriu” i Musilit ka mjaft cilësi, por nuk ka dhuntinë dhe vendosmërinë e nevojshme njerëzore për t’i realizuar ato, për t’i vënë në veprim ashtu siç duhet. Cilësive të tij u mungon një qendër e arsyeshme dhe racionale, që t’i trupëzojë e t’i konkretizojë në mënyrë normale ato. 

Dhe sot, kur mendojmë mënyrën se si e ka drejtuar jo vetëm vendin gjatë këtyre mandateve, por edhe bashkinë e Tiranës gjatë gjithë mandateve që ia besuan, ky personazh kaq i famshëm dhe i përfolur i Musilit, na identifikohet qartësisht me kryeministrin e sotëm Edi Rama. “Njeriu pa cilësi”, e përkufizon vetveten “Moglichkeitsmensch”, njeriun e mundësive, që kalon përtej së “majtës dhe së djathtës”, që me 1 milion votat e marra shihte para vetes mundësitë më të mëdha të mundshme të një shtetari për të kryer një “revolucion” të vërtetë të të gjitha përmasave, një njeri pra i cili ashtu si personazhi ynë nuk rresht së u nervozuari përpara të ashtuquajturës “sens të realitetit”, pra të “gjërave ashtu siç janë”. 

Të gjitha këto, në thelb, përbëjnë vërtet mundësi të mëdha nëse do të mishëroheshin në një mënyrë dhe me një cilësi tjetër, por që ashtu siç po vazhdon dhe ky mandat, mes oligarkëve, kriminelëve në parlament, vjedhjes së votave, kanabisit të frikshëm si lumë pa shterim dhe varfërisë, plagëve sociale që ka shpërthyer kjo simbiozë vdekjeprurëse, e së fundi dhe manipulimeve mjeshterore,gati proverbiale, kryeministri ynë personifikon identikisht fundin e personazhit të Musilit.

Më shumë se një “njeri pa cilësi”, ai është kthyer në një “bashkësi cilësisht pa një njeri brënda”, pa një qendër, pa një veprim që t’i bashkojë të gjitha ato dhunti intelektuale që reklamoi “Rilindja” e tij përgjatë fushatës së 2013; pra një njeri që ka nisur një “seancë të gjatë pushimore” nga jeta reale (aq sa mandatet i tij mund të etiketoheshin edhe si “qe verimi”, ose “ja tek është verimi i premtimeve që dhamë), një njeri që i pat parë gjërat nën profilin e mundësive te tij dhe që dalëngadalë nisi të mësojë të refuzojë t’i bashkohet pa kusht çdo lloj vlere.

Në këtë mënyrë, sensi i mundësive iu shndërrua në një kapacitet për të menduar për gjithçka (e nisur nga numri aq i madh i sektorëve ekonomik, pjesëve ligjore dhe institucioneve që mori përsipër të ndreqë apo të krijojë), por pa konsideruar atë që është më e rëndësishme për t’u ndryshuar thellësisht: demokracinë përfaqësuese nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit dhe vetë demokracinë shqiptare nëpërmjet transparencës së marrëdhënieve dhe shkëputjes nga oligarkia dhe lidhja e saj me krimin. Prandaj jeta e këtij “njeriu pa cilësi”, siç thotë autori, është e endur me penj tymnajash propagande, imagjinate të shfrenuar dhe fantazish perverse. Po ajo që është më e keqja, është udhëheqja që pretendojnë të bëjnë njerëz të tillë që ende nuk kanë formuar një karakter të tillë për udhëheqje. 

“Njeriu pa cilësi” sot është kthyer me çdo kusht edhe njëherë në mandatin tjetër të tretë të rrëmbyer të ëndrrave të shqiptarëve. E bëri me po të njëjtën fytyrë të “ënjtur” nga “mundësitë e mëdha” që shpalosi para Shqipërisë dhe me arrogancën e tij që injoron dëmet e pallogaritshme që i ka shkaktuar asaj nga “pushimet e tij artistike” që ai e quan qeverisje reformash. 

Në ungjillin e Mateut ekziston një varg, që ka shkaktuar gjithmonë interpretime nga më të ndryshmet. Flitet për të “urtët, (të ndruajturit, të thjeshtët, të varfrit) që do të trashëgojnë botën”. Të jetojnë në një botë totalisht ironike si ajo e “Njeriut pa cilësi” të Musilit, për të urtët është një përvojë e tmerrshme dhe e skajshme. Për një njeri politik si “Njeriu pa cilësi”,që urren tmerrësisht,hakmerret ndaj kujtëdo që i del përpara me firmën e tij kriminale dhe vrastare,që intrigon dhe fantazon marrëzira pa kufi është pothuajse e pamundur të jetë i urtë, pasi ai është i ankthshëm të dëshirojë vetëm pushtetin me çfarëdo këmbim, fuqinë, autoritetin, arrogancën: gjithçka, këto që të urtët i përçmojnë e ua kthejnë krahët kryeneçësisht.

Mirëpo, është pikërisht kjo dëshirë për pushtet dhe fuqi që duket t’ua “mprehë” edhe inteligjencën këtyre njerëzve, që i bën të fitojnë mbi kundërshtarët shpesh me lloj-lloj dredhish e të mbërrijnë atje ku në vende të tjera as do të mund të ëndërronin të arrinin. Dhe për ta, sigurisht, mund të ketë vetëm një shpëtim apo një rast të veçantë, që mund t’ua ndryshojë etiketën “njerëz pa cilësi”. Kur vizionet e këtij njeriu politik të ngrihen mbi aktivitetin “normal” të përditshmërisë në mënyrë të arsyeshme dhe racionale, kur kryen në një mënyrë të mirë një detyrë administrative dhe jo të krijojë imazhe artificiale vlerash siç po trumbeton ky njeri, atëherë energjitë e qenies së tyre transformohen në ide afatgjata apo largpamëse, dhe tërë pushteti dhe arroganca e zvogëlon apo e redukton fuqinë e vet natyrshëm. Vetëm kështu në mendjen e tyre nis të zbresë një cilësi e kulluar intelektuale, që i ngjan kthjelltësisë karakteristike të të urtëve. Është një situatë unike që ua urojmë politikanëve të ardhshëm por dhe këshilltarëve të tyre, për të mos na i vjedhur më ëndrrat si deri tani. 

E njëjta analogji zhvillohet mes funksionit të ushtruar në roman, nga ana e “Aksionit Paralel” të kryesuar nga Ulrich, dhe performancës dëshpëruese të drejtuesve të “gjeneratës tjetër” që “Rilindja” emëroi në pushtet. Grupi i larmishëm i politikanëve diletantë që mbart mbi vete emërtimin e “Aksionit paralel” e që kërkon me çdo kusht të shpëtojë perandorinë nga fundi i pashmangshëm (ç’premtim i madh si ai i një fushate demagogësh), në fund, “i ngjan një rrote që sillet përqark vetes pa gjetur dot zgjidhjen e duhur”.

Po njëlloj, “personazhet e panjohur” të gjeneratës tjetër, që “Rilindja” i mbiu si kërpudhat në administratë, erdhën me premtimin e dështimit të brezave të politikës së vjetër dhe të botës së tyre që duhej të dëbohej njëherë e përgjithmonë si çiban nga trupi drejtues i Shqipërisë dhe përfunduan në një “Aksion radikal” të kryer nga jo-ekspertë dhe të rinj të papërvojë e të “papjekur” politikisht, që ashtu siç i përshkruan shkrimtari në roman, nuk janë njerëzit e duhur për të ndryshuar diçka për mirë, duke mos pasur madje as edhe cilësitë minimale të domosdoshme për të parandaluar aventura të rrezikshme, siç po përjetojmë sot në rend, në ekonomi, në drejtësi, në arsimin kaotik që krijuan e kështu me radhë.

Duket qartë që ata nuk e kanë lexuar Musilin dhe as e njohin filozofinë e tij, të cilin sidoqoftë ne ua këshillojmë me dashamirësi si një recetë për një reflektim të mundshëm, përndryshe, përveç pasojave të tjera shumë shpejt dhe vet ata do t’i ngjajnë asaj “klase të vjetër” politike që premtuan të dëbojnë, e madje edhe më keq do të shndërrohen në të “rinjto-pleqtë e kësaj gjenerate”, dhe që ne, fatkeqësisht, do na lënë në vazhdimësi nga veprimi i tyre një “kohë dhe një vend më pa cilësi se ç’ishte më parë”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

EO28/12/2022 19:41

Dikur, në fillimet e rlnds, në moment sinqeriteti të pavetëdijshëm, një rilidse tha: - nuk kemi ardhur në këtë institucion ku duhet 24 orë në 7 ditë punë dhe të torturohemi, por kemi ardhur "t'ju mësojmë si punohet dhe do shkojmë në detyra më lart!!!"
Pra, ishin të bindur se ishin më të mirët!
Ashtu po rezulton:"Më të aftët"!

Shto koment

Denonco